Prokuroria hapi një hetim për kontrabandën e makinave luksoze. Dyshohen 20 persona fizikë dhe një person juridik. Mes tyre ka edhe referentë në Ministrinë e Brendshme. Makinat janë blerë nga vende të ndryshme evropiane, janë ndryshuar numrat e shasisë dhe janë rishitur dokumente të falsifikuara. 18 persona janë arrestuar.
18 persona janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë duke u kërkuar, është epilogu i aksionit policor që është realizuar mbrëmë. Të njëjtit akuzohen për kontrabandë me automjete luksoze nga shtetet e BE-së, përveç kësaj ndaj të njëjtëve qëndron edhe akuza për falsifikim të dokumenteve, keqpërdorim të të dhënave zyrtare. Nga të akuzuarit, 5 persona janë referent në MPB, ku të njëjtit kanë regjistruar vetura në bazë të dokumenteve të rrejshme. Të njëjtat vetura janë sjellë në vend me ndryshimin e numrit të shasisë dhe janë falsifikuar dokumentet për ta fshehur zinxhirin se prej nga kanë ardhur. Nga gjykata thonë se kanë dëshmi për 14 automjete, një motoçikletë, të cilat disa herë janë shitur.
“Bëhet fjalë për kontrabandë me automjete luksoze nga shtetet e BE-së, të cilat kapin shumën e përgjithshme 500 deri më 600 mijë euro. Të njëjtat vetura kanë qenë pjesë e krimeve në disa vende evropiane, ku ka pasur edhe kërkim ndërkombëtar. Por, për to ishin përgatitur dokument i falsifikuar për regjistrim.”, – deklaroi prokurorja, Natasha Saramandova.
Në aksionin policor ishin bastisur 23 lokacione në Shkup dhe nga një lokacion në Manastir, Koçani dhe Resnjë. Padi penale është ngritur ndaj 23 persona privat dhe një subjekt juridik.
“Në kuadër të hetimeve janë konfiskuar 14 automjete, të cilat janë në kuadër të hetimeve ndërkombëtare në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Belgjikë, Holandë, Luxemburg, Danimarkë, Spanjë, Gjermani, Suedi, Britaninë e Bashkuar dhe Bullgari. Si dhe një xhip “Land Rover” dhe një motoçikletë.”, – theksoi zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiq Talevska.
Gjykata ka kërkuar paraburgim për 8 persona, ndërsa ndaj të tjerëve është caktuar masa e kujdesit.