Thursday, July 7, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Abazoviç përkrah Ballkanin e Hapur, çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Shkup, 26 maj – Fitorja e Abazoviçit në krye të Qeverisë së Malit të Zi u bë festë kombëtare duke festuar e uruar gjithkund e nga gjithkush se tani më shqiptarët në Ballkanin Perëndimor kanë tre kryeministra shqiptarë dhe do të përfaqësohen më mirë. Por, pikërisht Ballkani i Hapur po i ndanë këta kryeministra shqiptarë nga tre në dy, sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kategorikisht është kundër kësaj nisme. Ideja e Vuçiqit për Ballkanin e Hapur po mbyllë unifikimin shqiptarë në rajon. Përkrahësi më i madh i kësaj ideje nuk ka qenë as vetë propozuesi Vuçiq, ka qenë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë i cili ka bërë fushatë e presion të jashtëzakonshëm që kësaj nisme t’i bashkëngjiten gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Thirrjet e Rames arritën në veshin e Abazoviçit, i cili menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të Qeverisë është deklaruar se është pro idesë së Ballkanit të Hapur, edhe se deri më tani Mali i Zi kishte qenë kundër, shkruan Zhurnal.

“Ballkani i Hapur” si ide e Serbisë është përkrahur fuqishëm nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe e emërtuan si nismë për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Janë ftuar që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, deri më tani këta tre shtetet ishin shprehur kundër kësaj iniciative, por me ardhjen në pushtet të Abazoviçit kjo ide përkrahet edhe nga Mali i Zi.

A po fuqizohet nisma e Ballkanit të Hapur me përkrahjen e Malit të Zi?

Ballkani i Hapur si nismë filloi vetëm me tre shtete pjesëmarrëse nga gjashtë, vetëm gjysma e shteteve nuk mund të kompletonin e të ketë kuptim ideja në tërësi për një Ballkan të hapur.

Dritan Abazoviç, ka bërë të ditur se është pro “Ballkanit të Hapur”, nismë që Kosova dhe Mali i Zi e kanë refuzuar deri tani pjesëmarrjen. Madje, ai tha se kjo iniciativë është krijuar që brenda vetes të ketë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani i Hapur’ është i bërë për gjashtë shtete, nuk është i bërë për pesë shtete e gjysmë ose tre shtete e gjysmë, ose për 4.7 shtete, por për gjashtë shtete. Gjithkush që participon reprezanton vetveten dhe shtetin e vet. Mendimi im, ndoshta jam gabim, është se interesi më i madh në rajon i Kosovës është që të jetë në çdo iniciativë rajonale”, ka thënë Abazoviç.

Por, në të vërtetë kjo nismë pak para shkatërrimit u ringjall duke marrë edhe një shtet tjetër. Pas invazionit rus në Ukrainë dhe neutralitetit serb karshi këtij agresioni që nuk pranonte të sanksionojë “nënën Rusi” u krijua skepticizëm në vazhdimin e kësaj ideje që për parim ka bashkëpunimin mes shteteve pjesëmarrëse.

Dje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njëherit edhe hartuesi i kësaj ideje e ftoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, që t’i bashkohet një takimi të nismës rajonale, “Ballkani i hapur”, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Konfirmimi i tij paraprakisht se është pro kësaj nisme dhe tani ftesa direkte nga hartuesi kësaj nisme, nënkupton që nisma po fuqizohet e Ballkani Perëndimor po dobësohet me këtë nismë rajonale që izolon e përjashton në mënyrë të vullnetshme shtetet kandidate për anëtarësim në BE. Përpos kësaj kjo përkrahje e Abazoviçit dhe ndryshim i qëndrimit të Malit të Zi për idenë në fjalë është shpresë për hartuesin Vuçiq që me kohë do të bind edhe shtetet tjera.

Pse është e dëmshme kjo nismë për rajonin?

Kjo ide është e dëmshme për rajonin dhe kategorikisht janë kundër Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës e kundërshton në çdo formë “Mini-Shengenin Ballkanik”, nismë kjo që iu ndërrua emri në “Ballkani i Hapur”, nga tre udhëheqës në Ballkan, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe ish kryeministri Zoran Zaev. Tre udhëheqësit e tri vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkruan në Shkup (29.07. 2021) marrëveshjen me të cilën synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, duke filluar nga 1 janari 2023.

Serbia, përmes kësaj nisme në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon sovranitetin territorial të shtetit të Kosovës, me çka kjo ide flet për bashkëpunim rajonal mes shteteve dhe heqje kufijsh, në të njëjtën kohë kemi shtetin kryesor e propozues të kësaj ideje Serbinë që nuk e njeh shtetin e Kosovës a dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën, poashtu kërkon heqje kufijsh a në anën tjetër nuk i njeh kufijtë e një shteti ekzistues e të pavarur, si Republika e Kosovës.

Përkundër kësaj, është një nismë e cila nuk përkrahet nga faktori ndërkombëtarë, ku në asnjërin prej takimeve të zhvilluara nuk ka qenë pjesëmarrës asnjë përfaqësues ndërkombëtar. Një nismë e tillë largon shtet nga Procesi i Berlinit, gjegjësisht anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vuçiq bashkë me Ramen duan ta kërcënojnë BE-në se kinse paskan alternativa tjera të zhvillimit të rajonit, pra me këtë dërgohet mesazh se munden edhe pa BE-në, e kjo i hap rrugë e terren të përshtatshëm ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Se Rama është në shërbim të Vuçiqit e ka pohuar edhe vet presidenti serb duke deklaruar se Rama po bënë punë të mirë, ndërsa, kryeministri Kosoves po gabon.

Ndryshe, një iniciativë rajonale që të ketë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht tre elementet kyçe: Një të ketë gjithëpërfshirje politike. E dyta të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe e treta  të ketë strukturë administrative që do të monitorojë zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e Mini-Shengenit e emëruar me Ballkan të Hapur nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto tre kritere bazë, sepse Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk do të bashkëngjiten në këtë iniciativë e cila është fuqizuese për Serbinë.

Kujtojmë se, nisma “Ballkani i hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme. Por, Kosova që nga fillimi ka hedhur poshtë një mundësi të tillë edhe përkundur presionit të Rames i cili e luan rolin e “tellallit” të Vuçiqit. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.