Shkup, 4 tetor – Edhe përkundër faktit Maqedonia e Veriut shpesh herë viteve të fundit ka kryesor në listat ku kanë figuruar shtetet për ajrin më të ndotur në botë, gjithë ato premtime duket se kanë qenë vetëm lojë fjalësh, pasi përpos që nuk është ndërmarrë diçka shtesë edhe ai buxhet që ka qenë në Ministrinë e Mjedisit është zvogëluar. Zvogëlimi i buxhetit me automatizëm zvogëlon masat dhe aktivitet në këtë drejtim. Me çka Maqedonia e Veriut edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të këtij viti do të përballet me ndotjen e ajrit, bazuar në mungesën e masave të institucioneve për përballje me të. Shkupi dhe Tetova, viteve të fundit kanë qenë në krye të listave botërore sa i përket ndotjes së ajrit, respektivisht pranisë së grimcave PM-10 shumë herë më të larta mbi normat e lejuara. Pra, mungesa e masave serioze kundër ajrit të ndotur krijon situatë alarmante për shëndetin e qytetarëve fati i të cilëve ka mbetur në adresë anonime, askush nuk kujdeset për këtë pjesë që prek në mënyrë direkte shëndetin e qytetarëve.
Ajri ndotur nuk do të largohet, nuk ka masa serioze-
Qyteti i Shkupit përgjatë këtij viti mbante pozita të larta në gjithë botën, për sa i përket ajrit të ndotur. Kryeqyteti i vendit u rendit në vendin e nëntë, ndërsa gjendja ende më alarmante ishte fakti pasi i njëjti ishte qyteti i tretë në botë me ajër më të ndotur. Me indeks të ndotjes së ajrit prej 182 mikogram për metër kub, qytetet e vetme më të ndotura se Shkupi ishin Nju Delhi në Indi dhe Lahore në Pakistan.
Pavarësisht kësaj, nga buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Ambientit Jetësor janë ndarë 30.4 milionë euro, shumë kjo më e ulët se ajo e vitit të kaluar, ndërsa është zvogëluar edhe numri i të punësuarve në Inspektoratin e mjedisit. Ndërkohë, Komuna e Shkupit për t’u përballur me ndotjen e ajrit ka ndarë 790.000 euro – vlerë kjo shumë më e vogël sesa në vitin 2022 kur ishin ndarë 1.4 milion euro.
Ky është absurditet në vetvete pasi me buxhet më të lartë nuk kishin mundësi të menaxhonin edhe të zbutnin ndotjen e ajrit, tani qytetarët në pritje të masave më serioze dhe të më të rrepta që para vjeshtës të ndërmerren, masat e Qeverisë kanë qenë në atë drejtim të zvogëlimit të buxhetit për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Dhe, tani mbetet të shihet nëse ky zvogëlim buxheti do të zvogëloj ndotjen e ajrit, veprimet e tilla në mënyrë të drejtpërdrejtë flasin për atë se si trajtohen qytetarët, dhe se sa brengosen qeveritarët për shëndetin e qytetarëve. Kjo është për keqardhje sepse pasojat do të vërehen ditëve në vijim, kur qytetarët nuk do të kenë mundësi të dalin nga oborret e tyre, e me ajrosjen e dhomave fusin dioksid karboni e ajr të ndotur.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?
Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.
Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.
Pasojat nga ajrit ndotur?
Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.