Saturday, June 25, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Aleanca për Shqiptarët me propozim të tyre për tarifimin e energjisë elektrike

Shkup, 13 qershor – Pas publikimit e prezantimit të draftit për ndryshime të sistemit tarifor për furnizuesin universal nga ana e KRRE dhe ekspertëve të përzgjedhur nga ana e këtij institucioni, pasi ASH u njoh me të njëjtin dhe u bënë analiza nga grupi i ekspertëve të saj, sot para opinionit Aleanca del me propozime e analiza konkrete.

Fillimisht si ASH shprehim indinjatën e thellë ndaj KRRE pse gjatë prezantimit e pastaj ky material i ndryshimeve të sistemit tarifor nuk është edhe në gjuhën shqipe. Poashtu, në internet faqen zyrtare të këtij institucioni ky material është vetëm në gjuhën maqedonase. Përse gjithë kjo arrogancë dhe mospërfillje ndaj gjuhës shqipe!?

Me sa jemi të informuar, në bordin drejtues te këtij institucioni ka edhe shqiptarë. Pyesim në këtë rast ku është zëri i këtyre në këtë institucion, pse po lejojnë një injorim të këtillë!? Kjo le t’u shërbejë ndërgjegjes së tyre!

Në këtë dalje para opinionit publik, sot do të fokusohemi më së tepërmi për:
– kategorinë konsumuese 0,4 shkalla e dytë ( kategoria industriale për biznesin e vogël )
– kategorinë konsumuese ndriçimi publik dhe
– kategoritë konsumuese në tensionin e mesëm.

Nga ajo që prezantohet në atë publikim të KRRE për kategorinë konsumuese 0,4 shkalla e dytë, shihet e propozohet si mundësi aplikimi edhe i tarifës së ulët pos asaj të lartë për këtë kategori. Që të jetë më e kapshme për opinionin publik, deri më tani ka patur vetëm një tarifë ajo e lartë dhe çmimi për një kWh ka qenë 11,42 denarë, ndërsa tani, në bazë të asaj që propozohet e duke i ruajtur raportet ” 2 me 1 ” gjatë përcaktimit të çmimit mes tarifës së lartë e të ulët, çmimi në tarifën e ulët duhet të jetë 5,705 denarë. Në parim duhet mbështetur, por ky propozim nga ana e ASH shihet me një fije dyshimi dhe është brengosës fakti pse po propozohet pikërisht tani kjo tarifë e ulët për këtë kategori konsumuese.

Zbatimi i tarifës së ulët për këtë kategori, duke e ditur që e njëjta aplikohet nga ora 22:00 deri në ora 7:00 çdo ditë, ndërsa të dielën gjatë gjithë periudhës kohore, nuk do të ketë ndikim të mirëfilltë tek esnafët, zejtarët e tek bizneset familjare, pasi të njëjtët në kohën kur do të aplikohej tarifa e ulët aktivitetin e tyre ( dyqanet dhe punëtoritë ) i kanë të mbyllura, pasi të njëjtët aktivitetet e tyre pranë Drejtorisë së të Hyrave Publike i kanë paraqitur si orar pune nga ora 8:00 deri në ora 20:00 e të dielën si ditë pushimi, pra dobia nga zbatimi i tarifës së ulët për këtë lloj aktiviteti do të jetë “nult” ( zero ) efekt .

Mos vallë me zbatimin e kësaj tarife të ulët për këtë kategori konsumuese jeni dakorduar dhe po mbroni interesat e ndonjë grupi biznesi!?

Konkretisht, nga ky propozim në këtë kategori, përfitues më të mëdhenj do të jenë shitoret me pakicë të produkteve ushqimore të kompanive të mëdha, restorantet, furrat e bukës, bar kafet, etj, të cilët kanë një orar më të tejzgjatur për ushtrimin e aktivitetit dhe në oraret kur do të zbatohet tarifa e ulët energjia e konsumuar nga pajisjet e shumta që kanë të instaluara e të montuara si p.sh. frigoriferët, kondicionerët dhe pajisjet e tjera që konsumojnë energji, do t’u faturohet me çmimin preferencial të tarifës së ulët.

Me këtë propozim, ju si KRRE dhe grupi i ekspertëve të përzgjedhur nga ana juaj, a po e paralajmëroni dhe po e lejoni edhe një shfrytëzim të mundshëm të hapësirave ligjore nga ana e kompanive të mëdha që do të kalojnë një pjesë të biznesit të tyre për furnizim me energji elektrike nga furnizuesi në treg të lirë në furnizuesin universal?

Por, pikërisht në daljet e tij publike kryetari i KRRE ankohej, mundohej e përpiqej të na bindë se pikërisht këta kompani të mëdha që po shfrytëzojnë hapësirat ligjore e po formojnë firma të reja e një pjesë të biznesit të lidhur në tension të mesëm po e kalonin të furnizohen me energji nga furnizuesi në tregun e lirë në furnizuesin universal, do të jenë shkaktarët kryesorë të rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike. Tani, po ai nga posti i kryetarit të KRRE dhe grupi i ekspertëve pranë tij po na propozojnë përsëri masa ku efektet e përfitimit nga këto kompani të mëdha do të jenë kolosale. Shumë kontradiktore e konfuze janë këto deklarata dhe propozime. Vërtet jetojnë në një vend të çudirave!
ASH në këtë pikë me qëllim që të ruhen ekuilibrat dhe që nga kjo masë të përfitojnë të gjithë konsumatorët e lidhur në këtë kategori konsumuese ( 0,4 shkalla e dytë ), propozon dhe kërkon që të zbatohet si deri më tani vetëm një tarifë për faturim, por pasi konjukturat financiare dhe përllogaritjet e publikuara e të prezantuara lejojnë hapësirë për korrigjime të çmimit, propozon që çmimi për një kWh për këtë kategori nga ai aktual 11,42 denarë të ulet në 9,35 denarë.
Më konkretisht, nga prezantimi i publikuar shihet se konsumi mesatar mujor nga një konsumator në këtë kategori është 370 kWh.

Për këtë harxhim me çmimet aktuale duhet të paguash 5.353,00 denarë:
370 * 11,42 = 4.225,40
TVSH 18% = 760,57
Ndriçim pub.= 367,50
Totali 5.353,00
Ndërsa me propozimin e ASH do paguajë 4.450,00 denarë:
370 * 9,35 = 3.459,50
TVSH 18% = 622,71
Ndriçim pub.= 367,50
Totali 4.450,00 denarë

Pra, do të ketë një përfitim për konsumatorët nga propozimi i ASH në vlerë prej 903,00 denarë ose shprehur në përqindje 16,87 % .

Pasi KRRE nuk i ka marrë parasysh asnjë nga propozimet reale e korrekte të ASH lidhur me sistemin tarifor të furnizuesit universal, ftojmë grupet e interesit, shoqatat e bizneseve, esnafët e zejtarët si dhe odat ekonomike të na bashkëngjiten në këtë nismë që është në favor të çdo konsumatori të lidhur në këtë kategori konsumuese.

Sa i takon kategorisë konsumuese “ndriçimi publik ” edhe për këtë kategori nga ana e KRRE shihet si mundësi aplikimi i tarifës së ulët të faturimit, pos atij të faturimit të tarifës së lartë.
Por, pse janë kaq cinike e arrogante e në momente edhe të neveritshme këto propozime nga ana e KRRE?

Tani më dihet se në bazë të kritereve të vendosura nga qeveria e RMV, gati mbi 95 % e njësive të pushtetit lokal ( komunat ) i kanë plotësuar kushtet që të furnizohen me energji elektrike vetëm në tregun liberal e jo në atë universal dhe parashtrohet pyetja se kujt do t’i hyjë në punë dhe çfarë efekti ka për komunat ky propozim i KRRE? Nult ( zero ) efekt!

Kjo është tallje dhe përbuzje e skajshme e KRRE ndaj pushtetit vendor.

Nëse kjo qeveri e ky KRRE me të vërtetë duan të ndihmojnë e t’u dalin në ndihmë njësive të pushtetit vendor, atëherë le të marrin parasysh propozimin e ASH e le të heqim nga përdorimi atë kriterin famoz ( 50 të punësuar e 2 milionë euro qarkullim financiar) e t’u mundësojnë komunave që të paktën vetëm për pjesën e ndriçimit publik e jo edhe për ndërtesat administrative, të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi universal.
Nga informatat që kemi mbi 95% të njësive të pushtetit lokal furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi në tregun liberal ku çmimi aktual është mbi 100% deri në 150 % më i lartë nga ai që ofron furnizuesi universal, ndërsa ka edhe komuna që furnizohen nga furnizuesi i mundësisë së fundit ku çmimi është gati 200% më i lartë nga ai që ofron furnizuesi universal.

Prandaj për këtë pikë ftojmë njësitë e pushtetit vendor ( komunat ) që ta mbështesin këtë propozim të ASH.

Ndërsa, për pjesën e konsumatorëve me matje në tensionin e mesëm, në disa raste e prononcime ASH ka propozuar që të gjithë konsumatorët e lidhur në kategoritë e këtij tensioni të kalojnë që të furnizohen me energji elektrike vetëm në tregun liberal e në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohen të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi universal.

Në njërën anë me propozimet e prezantuara KRRE thotë se të njëjtat janë në dobi të liberalizimit të plotë të tregut për furnizim me energji elektrike për të gjitha kategoritë konsumuese, por nga ana tjetër edhe pas 8 viteve të hapjes së kësaj mundësie në RMV ende ka vende konsumuese ku pikat matëse të konsumimit te energjisë elektrike janë të lidhura në tension të mesëm dhe furnizohen me energji elektrike nga ana e furnizuesit universal.

Ditët në vijim do të kemi edhe dalje të tjera lidhur me problematikën e energjisë elektrike. I sigurojmë konsumatorët se grupi i ekspertëve të ASH i ndjek me vëmendje të veçantë këto zhvillime dhe se në kohën e duhur do të dalë me propozime konkrete.
Aleanca për Shqiptarët (ASH), konferencë shtypi e Elmi Azirit

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.