Friday, February 23, 2024
spot_img

Latest Posts

Ali Ahmeti në rolin e “Baba Dimrit” dhurata e Vitit të Ri për shqiptarët do të jetë kryeministri shqiptar!

Shkup, 24 nëntor – Në fund vit ulen temperaturat por rriten dëshirat dhe pritshmëri të shumta për dhurata nga “Baba Dimri”. Mitologjia e Baba Dimrit ka të bëjë më shumë për plotësim të dëshirave dhe dhuratave për fëmijët. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të gjithë fëmijë, por dëshira nuk kushtëzohet nga mosha prandaj të gjithë grupmoshat i bashkon edhe entuziazmon dëshira e përbashkët që në Maqedoninë e Veriut të ketë një kryeministër shqiptar. Fëmijët kanë listë dëshirash, të rriturit kanë listë nevojash, në momentin që dëshira shndërrohet në nevojë kjo domosdo duhet të plotësohet por duhet të vijë momenti, të punohet e të ketë edhe një “Baba Dimër”. Tani kur flasim për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë ata që kanë qartësuar dëshirën e përbashkët për sa i përket kryeministrit të parë shqiptar, e kjo dëshirë është në proces të realizimit, pasi përpos dëshirës është gjetur edhe “Baba Dimri” që do ta realizojë këtë dëshirë, është fjalë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e ka premtuar dhe ka thënë se do të bëhet. Ajo që nuk dihet është enigma që kush ndodhet brenda kutisë që do ta bartë, Ali Ahmeti, mbi supet e tij deri në janarin e vitit që vjen. Por, urojmë që dhurata brenda kutisë së Ahmetit të jetë më shumë se simbolike e mos të jetë me afat të skaduar, shkruan Zhurnal.

Bashkë me Vitin e Ri po afrohet edhe dita e hapjes së kutisë në të cilën ndodhet kryeministri/ja shqiptar/e –

Ky fundvit do të jetë i pazakonshëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por në kuptim pozitiv. Thuhet i pazakonshëm për faktin që ka qenë diçka e jashtëzakonshme vetëm për ta menduar e lëre më për ta përjetuar. Bëhet fjalë për idenë e kryeministrit shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të flenë vitin 2023 me një kryeministër maqedonas, e do të zgjohen në vitin 2024 me një kryeministër shqiptar.

Ky ndryshim vitesh do të sjellë edhe këtë ndryshim, por kjo sigurisht që kërkon protagonist apo me fjalorin e festave një “Baba Dimër”, e këtë rol e ka marrë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, I cili në emisionin më të shikuar në shqiptari “Opinion” të Blendi Fevziut, është pyetur “Ju personalisht  besoni që mund të ketë një kryeministër shqiptar?” Përgjigja e Ahmetit ka qenë e tillë “Jo që besoj, por do të bëhet”. Kjo, deklaratë u morë si shprehje talljeje nga oponentët e Ahmetit, duke konstatuar që kryeministri shqiptar nuk u bë.

Katër vite më vonë pyetja ka ndryshuar nga a do të bëhet në kush do të jetë kryeministri i parë shqiptar?

“Përshëndes, unë do të kisha thënë, kryeministrin shqiptar Artan Grubin”, në këtë mënyrë Kryetari i Degës së BDI-Çair, Bekim Neziri, përshëndeti zëvendës kryeministrin e parë, Artan Grubin, gjatë një aktiviteti partiak të mbajtur në Shkup, që në opinion u interpretua se nga BDI tashmë po promovojnë Grubin si kryeministrin e parë shqiptar, më përputhje me marrëveshjen LSDM-BDI.

Por, zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi, më vonë gjatë një paraqitjeje publike theksoi se nuk e sheh veten dhe madje është i sigurt se ai nuk do të jetë kandidati për kryeministër shqiptar dhe se fjalën e fundit për këtë do ta ketë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, e përjavshmja “Fokus”, ka publikuar se për momentin në krye të listës së kandidatëve potencial është duke u ngjitur një emër tjetër. Sipas burimeve të larta partiake, ”Fokus” shkruan se bëhet fjalë për sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, Faton Ahmetin, ish-drejtorin e FSSH-së, i cili para disa muajve vendosi të tërhiqet nga ky funksion pa një sqarim konkret.

Emra të tjerë të cilët lakohen në opinion për sa i përket se kush do të jetë bartësi i këtij pozicion të lartë shtetërorë janë edhe kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministri Financave, Fatmir Besimi, drejtori i Fondit për inovacion dhe zhvillim teknologjik, si dhe emra të tjerë që kanë peshë përbrenda BDI-së.

Mundësia ekziston që bartëse e këtij funksione të jetë femër. Ndër emrat që përmenden janë Teuta Arifit, ish kryetare e Komunës së Tetovës, Arta Bilalli, deputete në Kuvend. Por, nuk përjashtohet mundësia që emri final mund të jetë tërësisht një figurë që nuk vjen nga strukturat e BDI-së, për të përçuar mesazh se nga kjo parti nuk luftojnë për pozita dhe shpesh herë kalojnë kufijtë partiak.

Ideja e kryeministrit shqiptar nuk ishte shaka, vazhdoi si shaka, por në janarin e vitit 2024 do të bëhet realitet –

Ideja për kryeministër të parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, BDI-ja nuk e ka propozuar të bëhet shaka, pati thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nga “Sheshi Maqedonia” në Shkup, gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 në të cilat kjo parti kishte garuar me idenë e kryeministrit të parë shqiptar.

“Ne e kemi propozuar këtë ide për ta konkretizuar dhe kështu do të jetë sepse është një e drejtë legjitime, një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve. Por më vjen keq pse maqedonasit sillen me një panik të tillë, pse nuk dalin për debat, pse nuk përballen me Naser Ziberin. Ata nuk përballen me Naser Ziberin sepse u mungojnë njohuritë e Naser Ziberit. Përballja e Naser Ziberit shkon natyrshëm, jo ​​tendenca. Ai shkon për të mbrojtur interesat e tij. Prej këtu kërkoj nga të rinjtë shqiptarë, misionarët shqiptarë që më 15 korrik të ma japin shpatën dhe do të shihni se si do t’i vë duart në funksion” pati thënë Ahmeti, para katër viteve viteve, korrik 2020.

Por, që në realitet pas zgjedhjeve Naser Ziberi me gjithë ato njohuritë e tij përfundoi si avokat i popullit, dhe ato votues shqiptarë të kësaj ideje mbetën pa kryeministër. Por, kjo nuk përfundoi me kaq sepse BDI hartoi një plan tjetër marrëveshje me partnerin qeveritar LSDM-në që të paktën në qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve të ketë kryeministër shqiptar.

Kjo strategji ishte menduar mirë dhe ishte favorizuese edhe për zgjedhjet e ardhshme që pikërisht në prag të zgjedhjeve të realizohet një ide e tillë do të ishte “fitore loto” për BDI-në, sepse tani kanë mundësinë të rrahin gjoks mbi atë që e thonë dhe e bëjnë.

Megjithatë, më e rëndësishme se emri, etnia apo gjinia e kryeministrit janë punët që bënë ai kryeministër apo kryeministre, të gjithë qytetarët pa asnjë dallim kanë nevojë për një lidership të përgjegjshëm që brengoset për vendin dhe gjendjen e qytetarëve. Por, kushdo që idenë e kryeministrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut e relativizon me atë që është simbolike, nuk mund të ndryshojë asgjë, bëhet fjalë vetëm për 100 ditë, janë vetëm pretekste sulmuese ndaj ideatorëve të kësaj ideje. Sepse, ndryshimi më i madh që ndodhë në vend kur në krye të Qeverisë është një kryeministër shqiptar është rrënimi barrierave, utopisë dhe mitit që ky shtet është i maqedonasve. Mes tjerash ky veprim vulos edhe karakterin multietinik të vendit.  /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss