Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, raporton Ekonomia Online.
Hovenier tha se draft-statuti i Asociacionit që diplomatët euro-amerikanë ia kanë prezantuar kryeministrit Albin Kurti duhet ta respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës.
Madje sipas tij, qëndrimi i ShBA-së është që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Ai tha se qeveria s’ka arsye që të mos avancojë me themelimin e Asociacionit, pasi, siç u shpreh ai, kryeministri Kurti para dy jave ka shprehur gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi këtë propozim.
“Draft-statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian me prezentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është konsideruar që është në respektim të plotë më Kushtetutën e Kosovës. Qëndrimi ynë është që duhet të jetë konsistent me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të kërkohet ndryshmi i Kushtetutës, nuk do të ketë autoritet ekzekutiv. Ne besojmë se ky draft-statut i përmbush të gjitha këto kritere. Si e tha Kurti të premten, një pikë duhet të shkojë në Gjykatë që të merret vendimi”.
“S’ka arsye që qeveria të mos avancojë me draft-statutin. Kryeministri pranoi gatishmërinë e tij për të pranuar në tërësi atë vetëm dy javë më parë. Ne po ashtu po punojmë që të shohim se ajo bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. S’ka të bëjë vetëm me asociacionin, s’mund të jetë. Ka të bëjë me arritjen e zbatimit e plotë të të gjitha obligimeve të arritura nga Kosova dhe Serbia, si marrëveshjen bazë, ashtu edhe atë të Ohrit. Këtë duam ta shohim”.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar “pakrahasimisht më të avancuar” draftin për Asociacionin të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa marrëveshjet e mëhershme. Megjithatë, ka shtuar se kjo s’do të thotë që Kosova është e kënaqur me përmbajtjen e draftit.
