Shkup, 11 nëntor – Nëpunësit policorë të Njësitit për krim të dhunshëm në kuadër të SPB Shkup, dje në bashkëpunim me nëpunësit policorë të Departamentit për Operacione Speciale Policore – Njësitin Special Antiterrorist “Tigrat”, në të njëjtën kohë bënë bastisje në gjashtë lokacionet e shtëpive të personave të dyshuar për vepra kriminale “vrasje” dhe “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, me ç’rast nga liria janë privuar katër persona I.A.(31), N.A. (20), A.R. (27) dhe B.Sh. (40), të gjithë nga Shkupi.
“Gjatë bastisjeve të kryera tek I.A. në fshatin Vizbeg të Shkupit, tek G.M. (31), tek A.R. dhe tek B.Z. (31), të tre nga Çairi, tek N.A. në rajonin e Bit Pazarit dhe tek B.Sh. në rajonin e Aerodromit, janë gjetur dhe marrë një pistoletë dhe një karikator me 14 plumba, pistoletë “Astra” kalibri 6,35 mm dhe një karikator me 5 plumba, pistoletë “Smith dhe Veson” kalibri 9 mm dhe 2 karikatorë me 32 plumba, pistoletë “gllok” kalibri 9 mm dhe një karikator me 17 plumba, dron me memori kartelë dhe kontrollues për fluturimin dhe gjësende të tjera lidhur me vepra penale”, kumtoi zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiq Talevska.

Katër persona janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa për G.B. dhe B.Z. është lëshuar fletëarrestim qendror. Në koordinim me Prokurorin publik, pas dokumentimit të rastit do të pasojnë parashtresa përkatëse.