Saturday, June 25, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

BDI dhe LSDM a po fyejnë qytetarët nga ikja e përgjegjësisë?

Shkup, 10 qershor – Deputetët nga radhët e LSDM-së dhe BDI-së kanë bërë një skandal me çka dëshmuan se besimi i qytetarëve për t’i përfaqësuar nuk është përmbushur as minimalisht. Ata dje nuk u paraqitën në seancën e Komisionit të Përhershëm Anketues Parlamentar për Mbrojtje të të Drejtave të Qytetarëve. Në Komision duhej të diskutohej për rastin e aksidentit të autobusit të “Besa Trans”-it dhe zjarri në Spitalin Modular të Tetovës. Dy rastet më tragjike ku kanë humbur jetën 59 qytetarë, por kjo sërish nuk ka ngjallë interesim për zbardhjen e këtyre rasteve, madje ata as nuk e shohin të arsyeshme të qëndrojnë në diskutim. Sipas opozitës, mungesa e deputetëve të pushtetit është skandaloze dhe ikje nga drejtësia, shkruan Zhurnal.

Përgjegjësia është kriteri i parë i një politikani pavarësisht ku vepron, në këtë rast deputet e Kuvendit nga pushteti LSDM-BDI, dje dëshmuan të kundërtën që u mungon kryesisht ky kriter primar esencial, për të qenë politikanë. Ata dëshmuan se dinë dhe munden të jenë edhe të pa përgjegjshëm por sërish kërkojnë besimin e qytetarëve që ata t’i përfaqësojnë qytetarët. Për çfarë përfaqësimi e përgjegjësie flasim kur të zgjedhurit e popullit nuk gjejnë kohë dhe pa asnjë pretekst dalin nga Komisioni ku do të diskutoheshin dy ngjarjet më tragjike që kanë ndodhur kohën e fundit në vend?. Kjo është e tmerrshme kur të zgjedhurit e popullit nuk punojnë për interesat e qytetarëve, por veprojnë sipas direktivave partiake.

Deputetët nga LSDM-së dhe BDI-së dje nuk u paraqitën në seancën e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje të të Drejtave të Qytetarëve. Në Komision duhej të diskutohej për rastin e aksidentit të autobusit të “Besa Trans”-it në Bullgari dhe zjarri në Spitalin e Tetovës. Kryetari i këtij komisioni, deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, tha se deputetët e shumicës nuk dëshirojnë që të diskutohet për të vërtetën e këtyre tragjedive.

Për shkak të mungesës të deputetëve të shumicës, komisioni nuk kishte kuorum për diskutim.

“Për fat të keq pushteti vendosi të mos vije dhe të mos sigurojë shumicë që të mos ketë debat për pikat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Komisioni është jofunksional për shkak të bllokimit të pushtetit. Pushteti bën kuorum kur bëhet fjalë për ndarjen e tenderëve, hapjen e kazinove, marrjen e borxheve, por jo edhe kur diskutojmë për tragjeditë me 60 viktima”, tha Snopçe.

Ndërkaq, deri më tani ende nuk janë prononcuar deputetët e pushtetit për të treguar arsyen e mungesës së tyre dje në Komision, mungesa e tyre dhe heshtja e tanishme flet se ata i frikësohen procesit më demokratik llogari-dhënies për dëmet që u shkaktohen qytetarëve, kryesisht nga pakujdesia e institucioneve përkatëse të shtetit.

Kjo flet edhe për gjendjen e mjerueshme të qytetarëve në vendin tonë, që kur edhe për tragjedi nuk ndjejnë deputetët përgjegjësi dhe pa pikë nevoje ikin nga Komisionet, çfarë ndodhë kur bëhet fjalë për nevoja elementare e gjëra të tjera që duhet të diskutohen në Komisione. Rast që flet shumë edhe për cilësinë e jetesës në vend dhe përpjekjet e qytetarëve për të mbijetuar.

Besimi në gjyqësor e shëndetësi është në nivelin më të ulët të mundshëm, por tani me këso veprime bie besimi edhe në organin legjislativ, sepse nuk kanë se si të besojnë qytetarët në ato deputet që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar interesat e tyre. Nuk mund të përfaqësohen qytetarët duke ikur nga Komisionet, kjo ikje duhet të dënohet dhe asesi të anashkalohet.

Kujtojmë se, më 23 nëntor të vitit 2021 ka ndodhur aksidenti tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata ktheheshin nga udhëtimi turistik nga Stambolli. Por, në vendin tonë është krijuar përshtypja se çfarë që ndodhë përfundon pa ndonjë epilog konkret e pa u zbardhur rasti në tërësi. Njëri nga këta raste është edhe ky i aksidentit tragjik në Bullgari dhe djegies së Spitalit modular në Tetovë. Pas 6 muajve të aksidentit tani hetohet pse kontrolli teknik ku kaloi autobusi i Besa Trans nuk u mbyll, pyetje e cila e plotëson konstatimin e asaj që rastet qofshin edhe ato fatale përfundojnë pa u zbardhur e hetuar në tërësi.

Aksidenti tragjik në Bullgari nga mediat evropiane u raportua si një ndër aksidentet më tragjike që kanë ndodhur në periudhën e fundit në Evropë. Një autobus i djegur në tërësi, udhëtarë që ishin brenda janë djegur duke parë njëri tjetrin tek sa digjeshin.

Tragjedia tjetër që ka qenë në rend të diskutohet në Komisionin që nuk ishin prezent deputetet e BDI-së dhe LSDM-së, ishte ajo e djegies së spitalit modular në Tetovë. Në 8 shtator të vitit të kaluar spitali modular i Tetovës, ku po trajtoheshin 26 pacientë, u bë shkrumb. Jetën e humbën 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë dhe dy persona që kujdeseshin për familjarët e tyre.

Pra, vetëm në dy tragjeditë e fundit bëhet fjalë për humbje jete të 59 qytetarëve të vendit, dhe deri në këto momente askush ende nuk ka dhënë llogari, madje nuk janë zbardhur rastet nuk dihet nga ka ardhur zjarri në spitalin modular në Tetovë, si dhe mjegullat e krijuara për autobusin e djegur në Bullgari, nuk dihet ende si i ka kaluar kontrollet teknike ky autobus.

Megjithatë, këto tragjedi nuk janë as të parat as të fundit që ndodhin dhe përfundojnë në këtë mënyrë. Që tragjeditë ndodhin dhe mbyllen rastet pa ndonjë epilog e zbardhje që zakonisht faji i hudhet atyre që nuk jetojnë më, nuk është për të ardhur çudi. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.