Wiston Churchill ka shkruar dikur se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes përveç çdo forme tjetër të saj. Përveç çdo forme tjetër, në radhë të parë vijnë regjimet moniste, regjimet në të cilat një parti ka të gjitha pushtetet, regjime të cilat një ideologji shndërrohet në ideologji shtetërore, regjime të cilat një besim fetar shndërrohet në themelet e një shteti, në teokraci.
Jam këtu për të bërë një deklaratë në emër të Partisë Demokratike. Në Shqipëri vendoset monizmi i plotë. Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se pas zgjedhjes me datën 6 qershor të vitit 2022 me votën vetëm të Partisë Socialiste të Presidentit të Republikës, Edi Rama vendosi nën pushtetin e tij edhe institucionin e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të tij dhe në vend u vendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi demokratik i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar në Kushtetutën e Shqipërisë.
Kështu, sot në Shqipëri për herë të parë pas 31 viteve të gjitha pushtetet pa përjashtim janë në duart e një force politike dhe të një njeriu të vetëm. Kjo ndodh në çdo nivel të pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, në pushtetin vendor apo çdo institucion dhe agjenci shtetërore të pavarur.
1 – Sot si asnjëherë më parë prej rënies së regjimit komunist, në pushtetin ekzekutiv, çdo ministër, zv. ministër, Sekretar i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm apo Drejtor Drejtorie është përfaqësues i vetëm një force politike, asaj të Partisë Socialiste.
2 – Sot, njëlloj si në të shkuarën moniste të Shqipërisë, të gjitha institucionet e larta shtetërore të konsideruara me Kushtetutë si të pavarura apo autonome, siç është Presidenti i Republikës, Kryetari i Kontrolli i Lartë i Shtetit, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, Komisioneri i të Dhënave Personale, Drejtuesit e Bordeve të Konkurrencës, të Energjisë, të Telekomunikacionit, të gjithë zëvendësit dhe funksionarët e këtyre institucioneve janë të emëruar, votuar apo zgjedhur vetëm nga Partia Socialiste.
3 – Sot në këtë shtet monist, si kurrë më parë, të gjithë kryetarët e institucioneve më të larta të drejtësisë, si kryetari i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Kryetari i Komisionit të Posaçëm i Kualifikimit (KPK), Kryetari i Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA), Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i Prokurorisë Speciale, të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Lartë, çdo gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, përpos njërit që nuk i ka mbaruar ende mandati, janë të përzgjedhur dhe emëruar nga mazhoranca e Partisë Socialiste. Kurrë ndonjëherë që nga diktatura e Enver Hoxhës një kontroll i tillë total partiak mbi drejtësinë shqiptare nuk ka ekzistuar.
4 – Sot në Shqipëri, të gjithë drejtuesit e Komisioneve Parlamentare, të gjithë drejtuesit e delegacioneve parlamentare, janë deputetë të Partisë Socialiste në tërësi dhe në raste të veçanta të veglave të saj, Basho – opozitarëve.
5 – Sot në Shqipëri, për shkak të bojkotit të opozitës të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, i gjithë pushteti vendor, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët vendorë, janë të Partisë Socialiste.
6 – Sot në Shqipërinë moniste të gjitha organizatat jo-qeveritare përpos një numri tejet të kufizuar, kontrollohen totalisht nga qeveria dhe rrjetet e sponsorizuara dhe të lidhura me George Soros.
7 – Të gjitha mediat e mëdha dhe të vogla, qofshin ato elektronike apo tradicionale, me përjashtime tepër ta rralla, kontrollohen nga ajo që mund të cilësohet si një qeverisje çensuruese e Edi Ramës. Për shkak të modelit të tyre ekonomik e linjës editoriale që ato ndjekin, këto media të kapura përhapin me zell të veçantë propagandën e qeverisë dhe i shërbejnë dezinformimit të qytetarëve shqiptarë për interesa të qeverisë.
Mjafton t’ju rikujtoj ju një fakt të nderuar gazetarë, janë bërë me dhjetëra, dhjetëra, dhjetëra orë transmetimi, debatesh, lajmesh të lidhura me zgjedhjen e Presidentit të Republikës me të cilën u firmos në mënyrë përfundimtare vendosja e monizmit, por nuk u bë asnjë minutë debat për këtë mynxyrë që pllakosi vendin.
8 – Sektorët më madhorë jetik të ekonomisë së vendit zotërohen nga oligarkë të lidhur ngushtësisht me qeverinë Rama. Në Shqipëri 4 – 5 oligarkë zotërojnë 35% të ekonomisë shqiptare, kjo si në asnjë v end tjetër ndoshta në Europë dhe mundet edhe në botë.
Si përfundim mund të thuhet se, data 4 qershor 2022, zgjedhja e njëanshme e Presidentit të ri të Republikës vetëm nga deputetët e PS, shënon zhdukjen përfundimtare të çdo lloj kontrolli të pushteteve në Shqipëri, duke nxitur dhe më tej abuzimet e tyre me qytetarët, publikun dhe interesat e vendit. Pa kontroll dhe ekuilibër mes pushteteve, nuk mund të ketë asnjë ushtrim pushteti i cili të mund të cilësohet kushtetues apo demokratik.
Me zgjedhjen e një Presidenti socialist nga pseudo-mazhoranca socialiste, Partia Demokratike konsideron se u zhduk përfundimisht elementi i fundit të balancës midis pushteteve, kusht vendimtar për të mos patur një pushtet monist, anti-demokratik dhe anti-kushtetues.
Partia Demokratike rikujton:
Së pari, kjo kapje e të gjitha pushteteve nuk erdhi brenda një dite apo një viti. Monizmi, marrja e të gjitha pushteteve nga Edi Rama në Shqipëri erdhi si rezultat i modelit politik të partisë-shtet që ai trashëgoi nga etërit e tij bllokmen-hoxhist, model në të cilin të gjitha pushtetet kontrolloheshin nga një forcë e vetme politike-Partia e Punës së Shqipërisë.
Së dyti, ri-vendosja e monizmit total në Shqipëri u arrit nëpërmjet përdorimit të frikës, terrorit, dhunës shtetërore, bandave, krimit, drogës por dhe varfërisë, me të cilat Edi Rama nënshtroi njerëzit, bleu, rrëmbeu votat e tyre, dhe largoi nga vendi mbi gjysmë milioni shqiptarë.
Së treti, me një urrejtje të pashembullt, Edi Rama arriti me tendera, dosje gjyqësore të blejë dhe të marrë peng drejtuesit e ish-opozitës.
Por, në të gjithë këtë proces zhbërjeje të balancës dhe kontrollit midis pushteteve dhe të ngritjes së një sistemi monist të plotë në Shqipëri, Edi Rama pati mbështetjen e fuqishme të multi miliarderit George Soros, Fondacionit të tij ‘Shoqëria e Hapur: në Tiranë. Falë tyre, ai vuri nën kontrollin e tij dhe të ekzekutivit jo vetëm organizatat e shoqërisë civile, por dhe sistemin e ri të drejtësisë nëpërmjet pseudo-reformës së këtij sistemi të hartuar nga truri, i ndërtuar nga fondacioni i ‘Shoqërisë së Hapur’ dhe financimet e këtij Fondacioni.
George Soros, nëpërmjet deklaratave të njerëzve të tij përligji grabitjen e votës së shqiptarëve në zgjedhjet e fundit dhe me lobimin e tij korruptiv, ndërhyri në politikën e brendshme të vendit me qëllim për të larguar nga skena politike ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha. Kjo, me objektivin e vetëm për të ndihmuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij të korruptuar dhe të kriminalizuar.
Partia Demokratike e Shqipërisë, i bën thirrje qytetarëve shqiptarë në këtë situatë politike e cila është më dramatikja e 30 viteve të fundit, të ngrihen në mbrojtje të idealeve të tyre demokratike dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi monist i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe mbështetjen e George Soros.
Zgjidhja është sot më shumë se kurrë në duart e vetë qytetarëve shqiptarë, të atyre të cilët e duan këtë vend, konsiderojnë lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë si premisën më jetike për zhvillimin e tyre dhe të vendit të tyre. Shembja e sistemit të kalbur monist arrihet me guxim, vendosmëri, organizim dhe krijimin e një fronti opozitar si një lëvizje e fuqishme shpëtimtare për Shqipërinë.
Në këtë kontekst Partia Demokratike konsideron jetike krijimin në këtë moment kritik, të një Fronti Opozitar për shpëtimin e Shqipërisë të përbërë nga të gjitha forcat politike të vërteta opozitare, shoqëria civile, personalitete dhe individë, kundërshtarë të regjimit, grupe interesi, sindikatat, rrethi akademik, të gatshëm për t’u përballur me regjimin monist të Edi Ramës.
Partia Demokratike i bën thirrje shqiptarëve kudo që janë, në diasporë, emigracion, në çdo vend të lirë, të angazhohen me potencialet e tyre për të shpëtuar vendin, Shqipërinë, nga shteti i kriminalizuar, i korruptuar dhe monist i Edi Ramës. Asnjë shqiptar nuk duhet të harrojë se Shqipëria sot nuk është Republika moniste e Enver Hoxhës, por Republika moniste e Edi Ramës.
Ajo nuk është Republika moniste e George Orwell, por Republika moniste e George Soros.
Partia Demokratike i bën thirrje miqve të Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë së tyre në Europë dhe SHBA, e kudo në çdo vend të lirë të ndërpresin menjëherë çdo mbështetje për regjimin monist të Edi Ramës, si një kontribut për rivendosjen e sistemit demokratik kushtetues të kontrollit dhe balancës së pushteteve në këtë vend.
Ne do të fitojmë!