Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se Republikanët që kanë kaluar në veprim për fillimin e një hetimi për shkarkim ndaj tij “duan ta shkarkojnë atë me qëllimin për të mbyllur qeverinë”, transmeton Anadolu.
Në një aktivitet donacionesh të mbajtur në Virginia, Biden foli për herë të parë lidhur me deklaratat për hetimin e shkarkimit ndaj tij. Ai tha se nuk e di pse Republikanët duan ta shkarkojnë atë. “Mund të them se duan të më shkarkojnë mua sepse duan të mbyllin qeverinë”, tha Biden.
Presidenti amerikan theksoi se pika e fokusimit të tij janë çështjet që prekin amerikanë dhe jo procesi i shkarkimit. Më tej ai shtoi se anëtarja republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, Taylor Greene ka dashur ta shkarkojë atë që nga dita e parë e presidencës së tij.
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, më 12 shtator bëri thirrje zyrtare për ngritjen e një hetimi për shkarkimin e Bidenit.
McCarthy deklaroi se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë paraqitur akuza “serioze dhe të besueshme” në lidhje me Bidenin dhe se hetimi i shkarkimit do të bëhet së bashku me Komisionin e Drejtësisë, Mbikëqyrjes dhe Legjislacionit Financiar, i cili ka punuar mbi këto akuza kohët e fundit.