Wednesday, February 21, 2024
spot_img

Latest Posts

Bislimi: Nga nesër, pagesa me para të gatshme do të bëhet vetëm ne euro

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.

Bislimi, megjithatë, tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar.

“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.

Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis”.

“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që në periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa u dëmtuar”.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Bislimi nguli këmbë se rregullorja e BQK-së nuk ka të bëjë me dinarin serb në veçanti.

“Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe e pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, theksoi ai.

Ai tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është përkujdesur që Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të fillojë operimin në katër komuna në veri, në mënyrë që bizneset të mund të regjistrohen dhe të fiskalizohen.

Bislimi, po ashtu, bëri të ditur se bankat komerciale në Kosovë janë udhëzuar të hapin degë të reja në komunat në veri dhe se BQK-ja i obligoi ato të ofrojnë xhirollogaritë bazike, pa kosto për poseduesit e tyre.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Bislimi tha se afro 27 mijë pensionistë serbë marrin pensione edhe nga Kosova, në xhirollogari të tyre bankare në valutën euro, dhe se ata mund t’i pranojnë pensionet nga Serbia në llogaritë e njëjta në valutën euro.

“Do të thotë rreth 35 për qind e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë kanë llogari bankare, pranojnë euro dhe kryejnë pagesa me euro si çdo qytetar tjetër i Kosovës. Ata mund t’i transferojnë paratë [nga pensionet serbe] në të njëjtat llogari bankare pa asnjë problem”, theksoi Bislimi.

Ai shtoi se mijëra serbë të tjerë paguhen nga autoritetet kosovare me valutën euro në llogaritë e tyre bankare në Kosovë, dhe se ata që nuk kanë llogari bankare, mund t’i hapin ato për t’i pranuar të hollat në valutën euro në bankat komerciale në veri.

Bislimi tha se bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores, duke iu referuar takimeve të fundit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti këtë javë, si dhe vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë të martën.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të QUINT-it – Gjermania, Italia, Franca dhe Britania – kanë thënë se vendimi i BQK-së “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Bislimi e kritikoi Serbinë për keqpërdorim me para në emër të serbëve të Kosovës.

“Presidenti serb deklaron që ai dërgon në Kosovë çdo vit 800 milionë euro. Sikur të vinin 800 milionë euro në Kosovë, serbët e Kosovës do t’i kishin të ardhurat si qytetarët e Japonisë. Në Kosovë do të vijnë më pak se 200 milionë euro. Vendosja e transparencës e vë në siklet Vuçiqin të deklarojë ku shkojnë paratë e tjera”, shtoi ai.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss