Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Biseda u zhvillua me iniciativën e Borrellit, i cili i tha Vuçiçit se përpara i pret një punë e rëndësishme për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.
“Ne duam të llogarisim te Serbia si një kandidate të sinqertë dhe partnere të besueshme evropiane për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, shkroi Borrell në llogarinë e tij në Twitter.
Biseda midis Borrellit dhe Vuçiqit ndodhi teksa ky i fundit gjendet në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është nën presion të madh nga Bashkimi Evropian, i cili i kërkon Beogradit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, në përputhje me vendimet e bllokut në përgjigje të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.