Friday, August 19, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Dy javë që nga zhdukja e Martinit në Halkidiki, përveç robave asnjë shenjë tjetër

Athinë, 23 korrik – Shpëtimtarët vullnetarë edhe sot vazhdojnë me kërkimin në pjesën më të gjerë të Halkidikit dhe në Detin Egje për gjetjen e Martinit, i cili para saktë dy javëve, të shtunën e 9 korrikut u zhduk në Posidi në krahun e parë, pasi me dy shokë të tij kishin hyrë në det dhe iu humb çdo gjurmë.

Nga ekipi shpëtimtar vullnetar OFKAT thonë se vazhdojnë me kërkimin jo vetëm në pjesën detare, por edhe nga ajri me ndihmën e aeroplanit të aero-klubit në Selanik, i cili sot do të fluturojë edhe në pjesën rreth Evrosit dhe ishullit Tasos.

Për shkak të zjarrit të djeshëm në Evros, avioni pjesëmarrës në kërkim nuk ka mundur të fluturojë në pjesën specifike, pasi kanë ndërhyrë mjetet ajrore për shuarjen e zjarrit, kështu që do të bëjë sot.

Anëtarët e OFKAT-it kanë qenë në terren që në momentin e parë,  tashmë ditën e 15-të janë në kërkim çdo ditë në pjesë të ndryshme si në tokë ashtu edhe në ujë dhe kërkimi i tyre ka vazhduar edhe pas përfundimit të kontrollit zyrtar të drejtuar nga Shërbimi Bregdetar i  Greqisë.

Kryetari i ekipit vullnetar grek të shpëtimit OFKAT, Hristos Ramos të enjten, në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina tha se “nuk do të ndalen derisa të gjejnë Martinin”.

“Këtë deklaratë e kam bërë që në fillim dhe është një premtim që ia kam bërë familjes së Martinit”, tha Ramos për MIA-n.

Pasditen e 9 korrikut filloi  operacioni i shpëtimit kur tre shtetas të Maqedonisë së Veriut hynë në det në plazhin Miti në Posidi në krahun e parë të Halkidikit dhe për shkak të motit të keq u gjendën në gjendje të pafuqishme dhe u larguan nga bregu.

Njëri nga tre miqtë, 25-vjeçari Vasil, u shpëtua po atë ditë pasi kishte qëndruar rreth dy orë në ujë, ndërsa një ditë më vonë, pas rreth 20 orësh në det, u gjet edhe 30-vjeçari Ivan, ndërsa kërkimi për shokun e tretë, Martinin, vazhdon tashmë dy javë.

Edhe pse praktika e zakonshme e Shërbimit Bregdetar grek është që kërkimi të zgjasë 72 orë, pra tre ditë pas zhdukjes, kjo periudhë u zgjat pas kërkesës zyrtare nga pala maqedonase dhe bisedës telefonike mes krerëve të diplomacive të të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Nikos Dendias.

Kërkimet zyrtare nga Roja Bregdetare e Greqisë përfunduan të enjten e kaluar dhe operacioni vazhdoi dhe vijon nga ekipet vullnetare të shpëtimit.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.