Thursday, February 9, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Dy shkolla me gjuhë e planprograme të ndryshme, por në një vend

Nxënës të komuniteteve të ndryshme e ndajnë të njëjtin oborr shkolle për të organizuar aktivitetet e tyre argëtuese, sportive e kulturore.

Në fshatin Jasenovik të Novobërdës, në një objekt janë dy shkolla: paralelja e ndarë e shkollës shqipe “Minatori” dhe shkolla serbe “Sveti Sava”.

Pavarësisht se nxënësit e komunitetit serb vijojnë mësimin me plan-programet e Serbisë, kjo nuk i pengon ata që së bashku me nxënësit shqiptarë të ndajnë të njëjtin objekt shkollor dhe të njëjtin oborr, madje realizojnë edhe projekte të përbashkëta.

Përgjegjësja e kësaj shkolle, Feime Morina, tha se në këtë shkollë vijojnë mësimin nëntë nxënës shqiptarë gjatë paradites, ndërsa janë rreth 20 nxënës serbë që vijojnë mësimin pasdite.

 “Kur kemi festa, ne ose ata, shkëmbejmë dhurata. Ndërsa me nxënës e kemi një projekt, ku çdo të premte kemi një orë mësimore aktivitet i lirë. Nxënësit punojnë punime e lojëra. Nuk kemi pasur probleme asnjëherë. Gjatë verës kur është moti i mirë, nxënësit tanë janë duke luajtur në oborr, vijnë serbët për mësim dhe iu bashkëngjiten shpeshherë. Nuk e kemi problem as ne dhe nuk e kanë problem as ata. Çdo gjë që kemi p.sh,dyshekë për Edukatë Fizike, kur është jashtë shi e borë, e shfrytëzojmë bodrumin poshtë në vend të sallës, i kemi të gjitha të përbashkëta, i shfrytëzojmë bashkë, tualetet i shfrytëzojmë bashkë. Nxënësit përshëndeten ndërmjet tyre”, tha Morina për Radio Kosova.

Nxënësi i kësaj shkolle, Orges Selmani, tregon se si kalojnë kohën me moshatarët e tij serbë në po të njëjtën shkollë.

 “E kemi një aktivitet çdo të premte dhe luajmë e vizatojmë. Flasim shqip edhe serbisht. Mirë kalojmë dhe nuk kemi probleme”, shprehet ai.

Në këtë shkollë, mësimdhënësit serbë hezituan të flasin për media, por ata jashtë mikrofonit u shprehën se çdo gjë shkon mirë dhe se janë të kënaqur.

Ndërkohë, edhe Komuna e Kamenicës, është një shembull se si bashkëjetojnë komunitetet. Në këtë qytet, kanë ndarë hapësirën dy shkolla, njëra për shqiptarët dhe tjetra për nxënësit serbë. Drejtori i gjimnazit serb, Dejan Nikoliq, tha për Radio Kosovën se pavarësisht plan-programeve të ndryshme, në Kamenicë të gjitha shkollat janë në një qendër shkollore. Ai tregoi se deri vonë kanë qenë në një oborr të njëjtë me shkollën fillore të gjuhës shqipe. Nikoliq, foli edhe për projektet e përbashkëta.

 “Vitin e kaluar kemi pasur një projekt të përbashkët me Shkollën Teknike, të cilin e ka financuar ambasada britanike. Kemi pasur projekte të përbashkëta për mësimin e gjuhës dhe një projekt tjetër me aktivitete sportive, që e kemi zhvilluar në Qendrën Sportive të qytetit, ka qenë një shoqërim i mirë dhe fëmijët janë njohur ndërmjet tyre”, tha Nikoliqi.

Ajo që theksoi drejtori Nikoliq, është se Kamenica zhvillon një jetë shumë të mirë multietnike.

 “Janë shumë të rralla incidentet me karakter etnik. Ne, të gjitha i kemi të përbashkëta, tregun, qendrat tregtare, madje siç e shihni edhe ju vetë edhe shkollat. Shpresojmë që kjo të vazhdojë të mbesë si e tillë dhe natyrisht kjo është krejt falë qytetarëve që jetojmë këtu, e jo politikës. Pra, janë njerëzit ata që krijojnë bashkëjetesë të mirë dhe ne do ta vazhdojmë këtë”, u shpreh ajo.

Drejtori i arsimit në këtë Komunë, Afrim Dervishi, tha se në Komunën e Kamenicës mësimi ndiqet në dy gjuhë, shqipe dhe atë serbe. Në këtë vit shkollor, vijojnë mësimin 3 mijë e 10 nxënës shqiptarë, ndërsa janë 493 nxënës serbë. Ai tha se kjo komunë është shembull i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.

 “Shkolla fillore “Fan Noli” e ka ndarë të njëjtën hapësirë me Shkollën fillore serbe “Desanka Maksimoviq”. Mirëpo tani, shkolla fillore shqipe është duke u rinovuar, do të rrënohet, pasi do të ndërtohet një shkollë e re dhe aktualisht nxënësit janë duke e ndjekur mësimin në objekte të tjera shkollore. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që raportet ndërmjet fëmijëve dhe mësimdhënësve kanë pasur tensione apo defekte. Në përgjithësi ka ekzistuar një atmosferë e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”, tha ai.

Drejtori Dervishi, bëri të ditur se të gjitha shkollat përfshirë edhe ato serbe, furnizohen nga buxheti i komunës.

E shkolla të tilla të përbashkëta ka edhe në komuna të tjera.

Radio Kosova, ka vizituar edhe vende të tjera, ku shkollat ndajnë të njëjtat hapësira për nxënës të të gjitha minoriteteve.

Shkolla “Pandeli Sotiri” dhe ajo “Sveti Sava”, janë dy shkolla në Plemetin të Obiliqit, që ndajnë të njëjtin oborr dhe të njëjtën fushë sportive, ku nxënësit zhvillojnë aktivitetet e tyre. Brenda hapësirës së këtyre shkollave, është fusha e përbashkët e basketbollit, ku nxënësit e të gjitha komuniteteve e shfrytëzojnë atë së bashku.

As nxënësit e komunitetit serb që vijojnë mësimin me plan-programet e Serbisë, nuk i pengon që së bashku me nxënësit shqiptarë dhe të komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptian, të ndajnë të njëjtin objekt shkollor dhe të njëjtin oborr.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sahit Zeqiri, tha për Radio Kosovën se kjo komunë ka 22 shkolla, me numër të përgjithshëm të nxënësve 4 mijë e 341, përfshirë këtu edhe ata të komuniteteve.

 “Tri shkolla i kemi në gjuhën serbe, i kemi 365 nxënës serbë, ashkali i kemi në këto tri shkolla 53, romë i kemi 236 dhe tre boshnjakë. Shkollat paralele serbe janë “Sveti Sava” në Plemetin, që e njëjta është edhe fillore dhe e mesme, Shkolla “Milan Rakiq”, është në fshatin Babimoc dhe Shkolla “Dositej Obradoviq”, në fshatin Palaj”, tha Sahiti.

Në Shkollën “Dositej Obradoviq”, në fshatin Palaj, në orarin e paradites e vijojnë mësimin nxënësit e komunitetit serb, romë, ashkali dhe ai egjiptian, ndërsa pasdite në po të njëjtin objekt, e vijojnë mësimin nxënësit shqiptarë. Drejtori i arsimit në Komunën e Obiliqit, Zeqiri, theksoi se kjo komunë është shembull se si nxënës të të gjitha komuniteteve e ndajnë të njëjtin objekt shkolle dhe asnjëherë nuk kanë pasur probleme.

Ndërkohë, drejtori i Shkollës “Pandeli Sotiri”, Bedri Neziri, theksoi se kjo shkollë numëron gjithsej 415 nxënës. Kjo shkollë ka edhe paralelen e ndarë në Plemtin, ku numri i nxënësve është gjithsej 250, dhe janë të përfshirë nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptian. Ndërsa, në të njëjtin oborr shkolle, është edhe Shkolla serbe “Sveti Sava” në Plemetin, tha drejtori Neziri. Ai theksoi se nuk i ka penguar asgjë, që shkollat ndajnë të njëjtën hapësirë dhe se nuk kanë pasur asnjëherë probleme.

Neziri, tregoi se herë pas here takohen me drejtoren e Shkollës “Sveti Sava”, Sunçica Zharkoviq, që ndajnë të njëjtin oborr me Shkollën “Pandeli Sotiri”. Radio Kosova, e përcolli nga afër një takim të tillë.

 “Doberdan, kakoste, izvolte… Mua nuk më pengon që të mos kemi bashkëpunim, sepse i kemi dy shkolla në të njëjtin oborr dhe duhet të funksionojmë. Jam falënderues dhe nuk kemi pasur asnjëherë probleme…”

Përgjegjësja e paraleles së Shkollës “Pandeli Sotiri” në Plemetin, Lavdina Terbunja, ka një klasë me nxënës të nivelit parashkollor.  Ajo flet edhe për bashkëjetesën brenda të së njëjtës hapësirë shkollore.

 “E kemi stadiumin, ku së bashku punojmë edhe klasat tona edhe klasat e shkollës serbe. E kemi edhe anën tjetër e nuk kemi asnjë problem, çdo gjë e kemi të përbashkët”, tha ajo.

Legjislacioni i aplikuar në Kosovë parashikon të drejta gjithëpërfshirëse dhe të veçanta për shkollimin e komuniteteve joshumicë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se sfida më e madhe e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve është plan-programi mësimor dhe organizimi i mësimit, pasi siç tha ajo, shkollat serbe mësojnë me plan-programin e Serbisë, si rezultat i Pakos së Ahtisaarit dhe kompetencave të veçanta, që me Ligjin për Arsimin Parauniversitar u janë dhënë komunave, duke pasur në fokus komunat me shumicë serbe. 

 “Për të ndryshuar ligjin për arsimin nga komunat, duhet që të ketë së paku edhe një votë nga Lista Serbe, që është shumë sfiduese. Kjo është një nga pasojat e trashëguara nga e kaluara. Përtej kësaj, kemi ndërmarrë një varg hapash që të sigurohemi, që të respektohet legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës, të rritet bashkëpunimi me qytetarët pa marrë parasysh etninë e tyre. Kemi filluar një analizë të situatës, sepse shkollat janë në kompetencë dhe menaxhim të komunave. Si ministri, jemi angazhuar që të mos ketë keqpërdorim të buxhetit”, tha Nagavci.

Njëri nga raportet e OSBE-së në Kosovë, thekson se institucionet në përgjithësi u ofrojnë komuniteteve një nivel adekuat të mbështetjes për qasje në arsim. Raporti lavdëron përkrahjen e ofruar nga institucionet për komunitetet për të mundësuar qasje më të lehtë në arsim, si p.sh. transporti, bursat dhe orët plotësuese.

Në legjislacionin e Kosovës, përfshihen e drejta për vijim në shkolla publike në të gjitha nivelet, në njërën prej gjuhëve zyrtare (shqipe ose serbe). Në zonat e banuara që i përkasin komuniteteve, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuhë zyrtare, këta persona që iu takojnë këtyre komuniteteve kanë të drejtë të shkollimit publik në nivelin parashkollor, fillor dhe të mesëm, në gjuhën e tyre amtare. Në praktikë, ekzistojnë dy sisteme shkollore të ndara. Nxënësit shqiptarë vijojnë mësimin pa asnjë orë në gjuhën serbe, ndërsa nxënësit serbë vijojnë mësimin sipas plan-programit mësimor nga Serbia, pa asnjë orë në gjuhën shqipe.

Korniza ligjore e Kosovës për të drejtat e komuniteteve është mjaft e pasur për sa i përket larmisë së legjislacionit të miratuar pas shpalljes së pavarësisë, bazuar kryesisht në Planin e Ahtisaarit të vitit 2007. Përveç Kushtetutës, ekzistojnë katër ligje që adresojnë posaçërisht mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss