Wednesday, October 5, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

EDITORIAL / Kokëfortësia e politikanëve maqedonas, bëri që vendi për dekada të tëra të mbetej i bllokuar në rrugën e integrimit në NATO e BE !

Shkruan, Agjencisë Zhurnal.mk

Shkup, 17 shtator – Duket se përplasjet midis politikave të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të shkaktojnë kokëçarje për të dyja palët edhe për shumë vite në të ardhmen. Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar që i trajton çështje arsimore dhe historike duket se nuk po arrin të merret vesht për shumë tema të rëndësishme, dhe kjo ka ndikim direkt në marrëdhëniet politike midis dy vendeve. Bashkë me mosmarrëveshjet brenda këtij komisioni, çështjen e rëndon edhe më tepër mos-ndryshimi i Kushtetutës, si zotim që u morr nga Shkupi zyrtar pas pranimit të propozimit francez të Marrëveshjes. Andaj, çdo vonesë në të ardhmen do të shkaktojë thellim të përçarjes dhe vonim të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Komisioni i përbashkët Marrëveshje vetëm për disa pika!

Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike më 15 gusht miratoi dhe publikoi rekomandime për përmirësimin e teksteve të historisë për klasën e VI në Maqedoninë e Veriut dhe për klasën e V në Bullgari, si dhe rekomandime për nderim të përbashkët të figurave të mesjetës – Shën Kirili dhe Metodi, Shëm Klementi, Shën Naum dhe mbreti Samuel. Këto rekomandime janë miratuar nga Komisioni i përbashkët ndërqeveritar i themeluar në përputhje me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.

Periudha e shekujve 19 dhe 20 do të jetë një nga më të vështirat që do të diskutojë Komisioni dhe kjo fazë pritet të diskutohet në muajin tetor. Çfarë do të arrihet në këtë mbledhje vështirë të paragjykohet, por është fakt se edhe më e vështëri është që të arrihet ndonjë marrëveshje, sepse pikërisht kjo pjesë e historisë është ajo që i prek edhe maqedonasit edhe bullgarët. Bullgarët nga ana e tyre zotohen se kanë dokumente historike se shumë politikanë të asaj kohe, që maqedonasit i quajnë të tyre, publikisht kanë deklaruar se kanë punuar për idealet bullgare. Maqedonasit edhe në himin e tyre, edhe në historinë e tyre edhe në librat e tyre, vazhdimisht kanë pohuar se këto figura publike janë deklaruar se janë maqedonas.

Megjithatë në këtë moment duhet të shihet e ardhmja e dy shteteve. Me rëndësi është është të ndryshohen gjërat aty ku ka keqkuptime dhe atyre veprimeve të cilat mund të kontribuojnë në thellimin e përçarjes të marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve dhe të dy vendeve, dhe që mund të shkaktojë tensione dhe urrejtje te brezat e rinj.

Maqedonia e Veriut u zotua se do ndryshojë Kushtetutën!

Pas 17 vitesh pritje, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e përbashkët të konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Por, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë së Veriut, e cila për votim në Kuvend kërkon dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica ende nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Por, me marrëveshjen e fundit u qartësua se Maqedonia e Veriut në BE do të paraqitet me gjuhën e saj maqedonase dhe çështja e historisë po diskutohet nga historianët.

Qeveria me vendimin për të mos lejuar mbajtjen e referendumit që do të shfuqizonte Marrëveshjen për Miqësi të mirë me Bullagrinë, tregoi se është e bindur dhe e vendosur në rrugën e gjetjes së zgjidhjeve dhe nuk do të tolerojë asnjëlloj devijimi të rrugës së integrimit Evropian.

Opozita maqedonase duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se dëmi është më i madh se dobia kur bëhet fjalë për integrimin në BE. Nëse nuk zgjihet kjo çështje sa është në pushtet kjo qeveri proevropiane, atëherë gjërat mund të shkojnë keq edhe për vite të tëra.

Maqedonia e Veriut duhet ta ketë kuptuar shumë mirë leksionin e Marrëveshjes me Greqinë. Nëse kjo çështje do të zgjidhej para 30 viteve, sot Maqedonia e Veriut ishte shteti i parë anëtarë i Bashkimit Evropian nga i tërë Ballkani Perëndimor. Kokëfortësia e politikanëve maqedonas dhe ruajtja e interesave të ngushta populiste bëri që vendi për dekada të tëra të mbetej i bllokuar në rrugën e integrimit në NATO e në BE.

Prandaj, një gabim i tillë, i kushtoi shumë shtrenjt gjeneratave të shumta në Maqedoninë e Veriut. Në vend se sot rinia jonë të pres për viza pune nëpër Ambasadat e vendeve të BE-së, mund të ishte një qendër lulëzimi dhe zhvillimi ekonomik si anëtare e BE-së. Të mos kishin ndodhur këto gabime politike, sot, rinia në Maqedoninë e Veriut do të merrte rroga sikur në Bruksel e Berlin, dhe jo të endej me çanta në dorë heukurudhave të Evropës.

Këtij vendi i duhen burrështetas, të cilët përkundër rrezikut të humbjeve dhe përfitimeve të politikave ditore, do të lenë hapur derën e integrimit, zhvillimin, përparëimit të vendit si aleate e Bashkimit Evropian dhe e vendeve të zhvilluara të perëndimit.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.