Monday, December 5, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

EDITORIAL/ Qytetarët kanë harruar si duket një teatër nga brenda, mungesa e kushteve pamundëson shfaqje

Shkup, 14 nëntor – Gjendja në teatrot e Maqedonisë së Veriut është e mjerueshme. Përveç që mungojnë kushtet e domosdoshme për punë, nuk ka as ide e koncept se si të bëhen më atraktive shfaqjet që publiku të jetë më i pranishëm. Në teatër vështirë të shohësh nxënës, studentë, e të rinj. Çfarë po ndodh në këtë katrahurë!

Teatrot pa kushte elementare!

Është bërë e vështirë që kur vjen fjala për kulturë, shfaqje e punë të aktorëve të dëgjosh fjalë miradije. Gjithmonë top-lajm bëhen mungesa e kushteve, mungesa e rrymës elektrike, mungesa e vizitorëve dhe premierave. Muaj më parë, faturat e larta të energjisë elektrike i lënë në errësirë institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, kurse pjesë e tyre ishte edhe Teatri Shqiptar në Shkup, ndërsa më herët publiku ishte dëshmitar se për shkak të borxheve mbetën pa energji elektrike edhe Opera dhe Baleti.

Aktorët vazhdimisht janë ankuar se punojnë në kushte të mjerueshme. Në Shkup, teatri thuajse u rinovua për gati dhjetë vite, ndërsa në Tetovë në çdo buxhet ndahen mjete për teatër, e në fund rezultati është zero. Mos të flasim për qytetet tjera shqiptare, ku nuk e dinë se çfarë do të thotë teatër!

Kushtet nëpër teatro lënë shumë për të dëshiruar. Aty mungojnë edhe kushtet më elementare, e që ndikojnë edhe në zhvillimin normal të procesit të punës. Në sallat ku janë parashikuar për t’u mbajtur shfaqjet ka mungesa të ngrohjes së objektit, e që e pamundësojnë zhvillimin e shfaqjeve.

Kjo situatë me teatrot është prej vitesh dhe kështu duket që arti dhe kultura kanë zënë një vend të parëndësishëm, duke u lënë pas dore në çdo aspekt.

E fatkeqësisht, Ministria e Kulturës jo që i prin idesë për të zhvilluar kulturën por gjithmonë është një hap me vonesë. Mundohet të zgjidhë problemet me rrymën e elektrike dhe ngrohje, e në asnjë mënyrë të çojë një hap përpara kulturën duke dhënë sugjerime për programe atraktive.

S’ka organizime të shkollave nëpër teatro

Dikur fëmijët që nuk kishin mundësi e traditë që të njiheshin me tetarin nga familjarët e tyre, shkonin nëpër shfaqje të ndryshme në mënyrë të organizuar nga shkollat. Së paku njëherë në vit, këta nxënës ishin pjesë e teatrove, qofshin për fëmijë apo më vonë edhe për të rritur. Tani, fatkeqësisht nuk ka një organizim të tillë. Ndoshta e bëri të veten edhe pandemia dhe droja nga mos shpërndarja e virusit Covid 19, por tani kur ky virus ka marrë fund shkollat bashkë me institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin aktivitete të tilla. Edukata e pjesëmarrjes në shfaqje teatrale mësohet që në fëmijëri dhe kështu krijohet traditë e mirëfilltë e pjesëmarrjes, prandaj është e nevojshme që urgjentisht fëmijët t’iu kthehen teatrove. Fatkeqësisht, kohën e lirë dhe jashtë shkollave fëmijët po e kalojnë nëpër rrjetet sociale, duke parë video të ndryshme, të pamoralshme e me shumë tema shfrenuese, prandaj duhet që urgjentisht t’i kthehen promovimit të kulturës.

Artistët të luajnë shfaqje atraktive

Është fakt tjetër shumë i rëndësishëm se çfarë tematika trajtohen nëpër shfaqjet teatrale. Shpeshherë nëse pyet të rinjtë, përse nuk marrin pjesë në ndonjë shfaqje teatrale, përgjigjja e menjëhershme është se s’ka asgjë atraktive. Dhe, në fakt kanë të drejtë sepse kohët kanë ndryshuar dhe nëpër teatro duhet të luhen shfaqje të cilat janë atraktive dhe aktuale për publikun. Shfaqjet pa shije dhe pa asnjë mesazh nuk janë në interes të shikuesve, prandaj bashkë me institucionet e kulturës dhe me publikun, duhet që edhe regjisorët, producentët e aktorët të bëjnë shfaqje që i kërkon koha.

Është fakt i pamohueshëm se bota e internetit dhe e televizionit, e sidomos së fundmi rrjetet sociale kanë ndikim të madh në jetën e të rinjve dhe shoqërisë, por teatrot e mirëfillta duhet të dinë që t’i mbijetojnë kohës, ngjashëm siç ndodhë në botën e moderuar.

Kushtet e këqija financiare dhe mungesa e vizionit për avancim të kulturës te shqiptarët janë bashkuar dhe e kanë lënë teatrin, aktrimin e shfaqjet në mjerim të plotë!

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.