Monday, September 26, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

EDITORIAL / Si do ta kalojnë dimrin shkollat me krizën energjetike!

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 14 shtator – Shkollat në Maqedoninë e Veriut kanë filluar mësimin ashtu siç pritej dhe siç ka ndodhur gjithmonë, me 1 shtator, por frika tek nxënësit dhe prindërit është se si do të veprohet pas 15 tetorit, tanimë kur po fillon të ftohet moti dhe a do të ketë mjaftueshëm energji për ngrohje. Autoritet qetësojnë, por shqetësimi është dukshëm më i lartë dhe me vend!

Pas një muaji pritet të lëshohet ngrohja!

Siç ndodh zakonisht, pavarësisht nëse moti ftohet edhe me herët, më 15 tetor do të nisë sezoni i ngrohjes. Qytetarët kanë dilema të mëdha, sepse nuk e dinë se si do të faturohen lidhur me energjinë termike që do të harxhojnë dhe sa dot’iu kushtojë ajo.

Deri më tani, nëpër banesat e tyre, pavarësisht kush sa ka harxhuar, ka paguar një shumë fikse, por tanimë kërkojnë që të vendosen pajisje matëse për energjinë termike, me qëllim që ta dinë saktë se kush sa energji termike harxhon dhe në bazë të energjisë së shpenzuar të paguajnë faturat për ngrohjen qendrore.

Shumë qytetarë duke pasur këtë hall, janë shkyçur nga sistemi qendror i ngrohjes, me qëllim që të ulin koston e jetesës, teksa po përballen me krizën energjetike. Aktualisht, energjia e shpenzuar termike përpjesëtohet me numrin e banesave që janë të kyçura në sistemin e ngrohjes si një objekt i vetëm banimi. Por, ky model për qytetarët është i papranueshëm pasi ata argumentojnë se paguajnë edhe për banesat që janë të shkyçura nga sistemi i ngrohjes, por të cilat shfrytëzojnë energjinë termike përmes gypave që kalojnë nëpër këto banesa.

Qytetarët e Shkupit thonë se pajisje matëse për energjinë termike, apo kalorimetër, ka në çdo objekt banimi dhe energjia e konsumuar përpjesëtohet vetëm për ato banesa që janë të kyçura në sistemin qendror të ngrohjes.

Lëndët djegëse janë shtrenjtuar dukshëm

Çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile. Lëvizjen e tyre e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Konsumi i energjisë elektrike gjatë sezonit të sivjetmë të dimrit do të rritet edhe më shumë, pasi që lëndët tjera djegëse, që shfrytëzohen për ngrohje nga qytetarët, janë shtrenjtuar.

Lëndët e ngurta djegëse, si drurët e zjarrit apo peleti, kanë shënuar rritje për afro 50 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Halli më i madh është se si do të ngrohen shkollat

Problemi që më së shumti ka shqetësuar prindërit është se si do të funksionojnë shkollat. Shumë prej shkollave duhet të fillojnë me ngrohjen në 15 tetor, por kjo ka ngjallur dilema të tjera. Shumica e shkollave kanë të ndërtuar sistem vetanak të ngrohjes, i cili për bazë të energjisë kërkon naftë ose gas. Megjithatë asnjëri prej këtyre sistemeve nuk funksionon nëse nuk ka rrymë elektrike. E këtë dimër është njoftuar se do të ketë mungesë të rrymës elektrike, ose ndryshe thënë do të ketë nevojë të kursehet shumë më shumë se viteve të kaluara. Në këtë formë rreziku që shumë shkolla të mbeten të mbyllura është shumë i madh.

Shkollat kërkojnë që qeveria të vendosë si prioritet financimin e paneleve diellore përmes së cilave do të uleshin dukshëm këto fatura dhe edhe nëse do të kishte ndërprerje të energjisë elektrike, ngrohja qëndrore e shkollave do të punonte.

Ministria e Arsimit është zotuar se në kushte të krizës energjetike “shkollat do të jenë të fundit që do të mbyllen”, dhe nëse ndodh një e gjë e tillë, prapë “shkollat duhet të jenë të parat që do të hapen”.

Drejtorët e shumë shkollave kanë dorëzuar kërkesë për vendosjen e paneleve diellore por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe procedurat për këtë formë të energjisë janë të stërngarkuara.

Nëse shkollat vendosin panele do të prodhojnë vetë rrymë dhe nuk do të ketë nevojë që shteti t’ua paguaj faturat e energjisë dhe as të ngarkohet sistemi i energjisë elektrike.

Tani shkollat duhet të ndajnë mjete për fatura e rrymës, të cilat janë gjithnjë të larta, në vend se këto mjete t’i destinojmë për përmirësimin e kushteve në shkolla.

Një nga mënyrat se si duhet shkollat të gjejnë zgjidhje për të kursyer rrymën elektrike është edhe zëvendësimi i poçeve elektrike me efikasitet energjetik.

Në mesin e masave për kursim të energjisë elektrike përfshihet ndërprerja e ndriçimit dekorativ të fasadave në institucione dhe në monumentet kulturore, shkyçja e dritave, kompjuterëve dhe të gjitha pajisjeve elektronike, sapo të largohen të punësuarit nga ndërtesat.

Por me këtë plan për kursim të energjisë elektrike dhe ngrohjes, ndoshta kategoritë e tjera të qytetarëve mund të qëndrojnë në ambiente më të ftohta, por kur bëhet fjalë për nxënësit ata duhet të kenë kushte të përshtatshme që mendjen ta kenë te mësimi dhe jo te ngrohja apo ndriçim i dobët.

Andaj, institucionet përgjegjëse duhet të dalin urgjentisht me plan konkret se si do të ngrohen shkollat dhe si do ndihmohen ata.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.