Tuesday, January 31, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Gjermania me ndryshimet e fundit do të zbrazë Ballkanin Perëndimor, rajoni do të shndërrohet në “zonë lufte” pa luftë!

Shkup, 10 dhjetor – Sa më shumë ndryshime që bënë Gjermania në drejtim të procedurave për marrjen e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor aq më shpejt ky rajon do të shndërrohet në një zonë “lufte” pa luftë sepse do të mungojnë shumë qytetarë dhe të rinjtë do të hapërojnë jashtë vendlindjeve të tyre. Gjermania së  fundmi do të ndryshojë Rregulloren për Ballkanin Perëndimor ku parashikohet dyfishimi i numrit të punëtorëve që mund të vijnë nga këto vende dhe të gjejnë punë në Gjermani, sepse ky vend ka nevojë për punëtorë gati në çdo fushë. Pastaj, në vrazhdën e këtyre ndryshimeve të projekt ligjeve parashihet edhe “Karta e shansit”, si një përparësi dhe mundësi për punëtorët e kualifikuar. Megjithatë, ky sa mund të jetë lajm i mirë për të rinjtë që duan të prosperojnë pa u penguar, është edhe lajm i keq për vendet e rajonit që tani më krahas krizave të shumta që kanë, do tu shtohet edhe kriza më e rëndë dhe e parikuperueshme, “kriza për banorë”, shkruan Zhurnal.

Gjermania do të dyfishojë numrin e punëtorëve pa kualifikime nga Ballkani Perëndimor?

Autoritetet gjermane synojnë të dyfishojnë kuotën për imigrimin e punëtorëve të pakualifikuar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, thuhet në një projektligj të përgatitur nga Ministria federale e Punës dhe Ministria e Brendshme e Gjermanisë, në të cilin ka pasur qasje agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Në të ardhmen, në vend të 25.000 punëtorëve sa lejohen tani me Rregulloren për Ballkanin Perëndimor, numri do të dyfishohet në 50.000 punëtorë pa kualifikime të cilët brenda një viti mund të vijnë në Gjermani.

Me të ashtuquajturën “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor” lejohet aktualisht ardhja në Gjermani e 25.000 punëtorëve pa kualifikime, nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Këta punëtorë duhet të gjejnë së pari një kontratë pune e pastaj duhet të kërkojnë termin për një vizë pune në ambasadat gjermane në vendin ku jetojnë. Procedurat që shpesh herë janë të mërzitshme për të interesuarit për shkak të pritjeve të gjata, që shpesh ndodhë edhe me vite të pritet për të marrë një termin.

Sipas ligjeve aktuale, fuqia e kualifikuar punëtore mund të vijë në Gjermani nga të gjitha vendet e botës. Ndërsa vetëm nga Ballkani Perëndimor mund të marrin punë dhe vizë pune, edhe punëtorët pa kualifikime profesionale.

Kjo Rregullore është hartuar pas valës së parë të krizës së refugjatëve në vitin 2015 dhe 2016, pasi që në kohën e valës së madhe të refugjatëve nga Siria në Gjermani ka ardhur edhe një numër i madh i shtetasve të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ideja e Berlinit ishte që njerëzit nga Ballkani Perëndimor, në vend që të kërkonin pa shpresë azil politik, duhet të përpiqeshin të gjenin punë në Gjermani, dhe në këtë formë të integroheshin gradualisht.

Çfarë është “Karta e shansit“?

Ky nuk është ndryshimi i vetëm që parashikon ky projektligj i dy ministrive federale. Gjermania po përpiqet të reformojë ligjet e tanishme, me qëllim që të “përballet me mungesën dramatike të fuqisë punëtore në degë të shumta”, vlerëson agjencia dpa.

Ndryshimet përfshijnë edhe të ashtuquajturën “Karta e shansit”, pra mundësinë që njerëzit të vijnë në Gjermani dhe këtu të kërkojnë një vend pune. Gjatë kësaj kohe ata do të kishin të drejtën të bëjnë ndonjë punë tjetër me një orar të përgjysmuar pune, në ndonjë vend pune jashtë profesionit të tyre për të siguruar jetesën sa janë në Gjermani për të kërkuar punë.

Sipas dpa, “Karta e shansit” duhet të jepet sipas sistemit të ri të pikëve për këdo që mbledh të paktën gjashtë pikë. Katër pikë jepen për kualifikimet profesionale, tre pikë për njohjen e mirë të gjuhës gjermane ose për të paktën tre vjet përvojë pune, dy pikë nëse personi është më i ri se 35 vjeç dhe një pikë nëse personi ka jetuar më parë ligjërisht në Gjermani, në një kohëzgjatje prej të paktën gjashtë muaj.

Nevojat e mëdha për fuqi punëtore në Gjermani po largojnë rininë nga vendet e Ballkanit-

Gjermania ka nevojë të madhe për fuqi punëtore. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur gjatë vitit 2022 se ky vend ka nevojë çdo vit për rreth 400.000 punëtorë të kualifikuar nga vende të tjera, në veçanti në ekonomi, shëndetësi dhe profesione të tjera. Ndërsa Ballkani Perëndimor shihet si një rezervuar i lakmueshëm i fuqisë punëtore. Por kjo njëkohësisht thellon problemet me emigrimin e të rinjve dhe mungesën e fuqisë punëtore në vendet e kësaj zone pra në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa më shumë rritet nevoja për punëtorë në Gjermani aq më shumë rritet numri i të rinjve që lëshojnë vendet e tyre amë, tashmë çështja e shkuarjes në Gjermani ka mbet vetëm çështje teknike sepse pothuajse numri dërrmues i të rinjve ka ndarë mendjen dha ka marr një vendim të tillë.

Pasojat do të vërehen në një të ardhme jo të largët, pasi veçmë janë paraqitur nevojat e para për punëtorë në vendet e Ballkanit Perëndimor që nëse para 10 viteve ka qenë e vështirë për një vend pune tani në çdo cep të çdo qyteti shihen letrat e vendosura nëpër biznese duke kërkuar punëtorë. Sektorët që kanë vërejtur simptomat e para të këtij fenomeni janë gastronomia dhe investitorët e jashtëm që realisht nuk mund të zhvillojnë bizneset e tyre edhe përkundër investimeve që kanë bërë.

Dhe, tani kur shihen ndryshime që bëhen në drejtim të lehtësimit për punëtorët që dëshirojnë të punojnë në Gjermani, shihet lehtësisht edhe e ardhmja e rajonit që do të zbrazet për një kohë shumë të shkurtë, duke u shndërruar në një zonë ku mungon perspektiva, dhe si pasojë e dëshpërimit nga zgjatjet e integrimit evropian kolektiv si shtete, të rinjtë po ndajnë mendje të integrohen si individë, më shpejt dhe më mirë. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss