Wednesday, May 25, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Greva vazhdon, SASHK-u kërkon shumë apo Qeveria jep pak?

Shkup, 18 prill – Greva e Sindikatës për Arsim dhe Kulturë në Maqedoninë e Veriut ka filluar më 11 prill, dhe tani kanë hyrë në javën e dytë që bojkotojnë të punësuarit në arsim dhe çerdhe, duke respektuar vendimin e SASHK që kërkojnë rritjen e pagave, konkretisht harmonizimin me pagat minimale, shkruan Zhurnal.

Dje pritej që të arrihet marrëveshje midis Qeverisë dhe SASHK-ut, që sot të fillonte procesi mësimor, megjithatë kreu i kësaj Sindikate, Jakim Nedelkov, informoi se greva do të vazhdojë pasi nga Qeveria kanë marrë ofertë gojore për rritje të pagave për 10% me rebalancin e buxhetit në maj ose qershor dhe jo 18% sa ata kanë kërkuar.

Dhe kjo ka sjellë një situatë që ende greva të vazhdojë, dhe me automatizëm edhe humbja e mësimit për nxënësit vazhdon ende, krejt kjo si pasojë mos plotësimi i kërkesës së SASHK-ut nga ana e Qeverisë për rritjen e pagave të mësimdhënësve.

“Rritja e pagave prej 10% fare nuk korrespondon me rritjen e pagës minimale dhe nuk është stimulim përkatës për kthimin e dinjitetit. Mbi 95% e organizatave sindikale janë deklaruar për hedhjen poshtë të ofertës gojore”, deklaroi Nedelkov.

Qeveria vendimin e SASHK-ut e ka vlerësuar si të papërgjegjshëm.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në negociatat me SASHK-un ka ofruar rritje prej 10% të pagave që do të sigurohet nga buxheti plotësues. Kjo do të thotë se arsimtarët dhe edukatorët do të kenë një rritje mesatare prej 2.500 denarë në të ardhurat e tyre mujore. Qeveria konsideron se është e papërgjegjshme, përkundër zgjidhjes së ofruar për rritjen e pagave në arsim dhe përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, të vazhdohet me grevën dhe të shkatërrohet procesi tashmë i krijuar arsimor në kushtet kur po përballemi me krizë ekonomike dhe shëndetësore”, kanë thënë nga Qeveria

Paraprakisht, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, dje me një postim në Facebook u bëri thirrje mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme që të vazhdojnë procesin arsimor, sepse është në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë në rend të parë, sepse e drejta për arsimim e çdo fëmije është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Humbja e mësimit në kushte si kjo pandemi, kur Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës bënë përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor, nuk i sjell dobi askujt, e më së paku nxënësve”, ka shkruar Shaqiri.

Ndërkohë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje edukatorëve dhe kujdestarëve që të normalizojnë procesin edukativo-arsimor dhe t’i pranojnë fëmijët në çerdhe, pasi siç thotë ajo, çdo orë dhe ditë e humbur e mësimit shkon drejtpërdrejt në dëm të zhvillimit të hershëm fëmijëror, që është baza për zhvillimin e mëtejshëm të çdo individi.

“Si Qeveri dhe ministri që kujdeset jo vetëm për zhvillimin e fëmijëve, por edhe për avancimin e kuadrit eduativo-përkujdesës, ne kemi një vendosmëri të fortë për të vazhduar dialogun social nga i cili presim zgjidhje sistematike nga të cilat do të përfitojnë të gjithë. Edhe më herët kemi dëgjuar për kërkesat e personelit në çerdhe dhe se nuk ikin nga zgjidhja që përmirëson statusin e tyre ekonomik dhe social”, tha Trençevska.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se refuzimi për rritje prej 2.500 denarë ose 10% të pagave nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) si dhe metodologjia për rritje graduale dhe zgjidhje të përhershme të statusit social të kuadrove arsimore është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se me refuzimin e ofertës së dhënë nga ana e Qeverisë, SBASHK vendos interesat personale mbi interesat e nxënësve derisa dëmi shkon në llogari të mësimdhënësve dhe nxënësve pikërisht në prag të përfundimit të procesit mësimor, pasi që e drejta për arsimim e secilit fëmijë është e garantuar edhe me Kushtetutë. Është e pa tolerueshme humbja e mësimit në kushte si sot, kur mbarë globi përballet me Pandeminë, krizën ekonomike dhe energjetike, derisa Qeveria dhe Ministria e Arsimit e shkencës po bën përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga LSDM thonë se pagat që duhet t’i marrin, tani le t’i kërkojnë nga SASHK. Kjo për arsye se siç thonë, të gjithë duhet të kujdesen për interesin e fëmijëve.

Nga Lëvizja Besa mbështesin vazhdimin e grevës, dhe e vlerësojnë si vendim të duhur.

“Mirë është që brenda këtij subjekti të harmonizohen qëndrimet, ministri i financave nga radhët e tyre deklarojë se nuk do të ketë rritje të pagave, ministri i arsimit po nga kjo parti duket se nuk ka ide për të menaxhuar me situatën ndërsa qëndrimi i BDI-së ishte se “mësimi do të fillojë”, në këtë rast kemi tre palë që mashtrojnë ndërsa janë nga e njëjta parti, prandaj edhe vazhdimi i grevës nga ana e SASHK është vendim i duhur dhe ka mbështetjen e plotë të Lëvizjes BESA”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Kujtojmë se, Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin parashkollor janë të punësuar rreth 4,500 persona, rreth 20,000 në arsimin fillor dhe afër 8,000 në arsimin e mesëm.

Paga mesatare e arsimtarëve në arsimin fillor arrin 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro). /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.