Në nderë të piktorit me renome botërore Omer Kalesh, pasdite në Çifte hamam do të organizohet homazh në organizim të Galerisë Nacionale dhe në bashkëpunim me Universitetin “Nënë Tereza” – Shkup dhe anëtarët e familjes së tij.
Ekspozita do të mbajë rreth 30 vepra të Kaleshit dhe e njëjta do të jetë e hapur deri në fund të muajit qershor.
Në hapjen e ekspozitës për personalitet dhe veprimtari të Omer Kaleshit, fjalim përshëndetës do të mbajë drejtorja e Galerisë Nacionale, Dita Starova Qerimi.
Omer Kaleshi lindi në Maqedoni, emigroi në Turqi, ku u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura, rrëmbeu bukurinë e qytetërimit ballkanik dhe gjithë ndërthurjen kulturore përballë psikologjisë së imponuar të ndarjes dhe përçarjes.
Maestro i madh Kaleshi kishte një shpirt kozmopolit. Në punën e tij krijuese gjatë gjithë jetës i qëndron besnik rrënjëve të tij, me fokusin kryesor në fytyrën e njeriut, duke theksuar kokën si simbol të shpirtit të tij. Nëpërmjet punës së tij ai bashkon tre shtete ballkanike, që në fakt janë atdheu i tij: Maqedonia, Shqipëria dhe Turqia.
Në biografinë e tij të pasur pati disa ekspozita vetjake në Stamboll, Beograd, Shkup, Manastir , Hagë, Prishtinë, Paris, Flavin, Ankara, Kanë.
Veprën e tij e vlerësuan veçanërisht Zhak Lacarier, Jordan Plevnesh, akademik Luan Starova, Ismail Kadare e të tjerë.
Në vitin 2018 u zgjodh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe po atë vit fitoi çmimin shtetëror “Nënë Tereza”.
Pjesë e trashëgimisë së tij kulturore janë galeritë me emrin e tij në UMT, Universiteti Ilirik në Prishtinë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë, galeritë në Turqi në Bursa dhe në Tiranë.
Qendra e Kulturës “Koço Racin” nga Kërçova planifikon të hapë galeri-muze me vepra të Omer Kaleshit.