Shkup, 16 maj – Ministri i Financave dje tha se paga e tij ka arritur në 2000 euro. Kjo është vetëm paga, pa “dhurata”. A e di ministri i Financave sa është paga e shkencëtarit në këtë vend?, tha sot Zeqirija Ibrahimi, Sekretar i Përgjithshëm i Alternativës.
Ibrahimi i bëri Besimit edhe disa pyetje.
“Si ndihet kur një studiues shkencor, të cilit i duhen 10-15 vite angazhim shkencor për të arritur titujt e nevojshëm, përfundon në një pozicion poshtërues dhe lyp për rrogën që meriton? Sepse edhe kur rritet paga minimale dhe kur rriten pagat e arsimit të lartë dhe kur shpenzimet mujore dyfishohen, rroga e shkencëtarit mbetet e njëjtë. Pse e lejon këtë ministri i Financave? Pse një diskriminim dhe poshtërim i tillë i shkencës dhe i punëtorit shkencor në këtë vend?”, pyet Ibrahimi.
Besimi bëri të ditur dje se 1060 zyrtarë kanë marrë pagë më të lartë për 78% për muajin prill. Ai po ashtu ka treguar se ka marrë pagë prej 125.960 denarë, ndërsa më parë ka qenë 71.145 denarë.