Tuesday, November 29, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Ish-ambasadori i Holandës zbulon planin e Serbisë

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka mirëpritur marrëveshjen e re në mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit të mërkurën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Serbia të ndalojë regjistrimin e targave, kurse Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me regjistrimin e automjeteve.

Sipas ish-ambasadorit Bosch, Kosova bëri mirë që dëgjoi miqtë e saj ndërkombëtarë.
“Është mirë që Qeveria e Kosovës dëgjoi miqtë e saj më të mirë, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.

Ai ka thënë se në veri ishte plani që Serbia e përkrahur nga Rusia, të shkaktonte dhunë nëse do të zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, dhe faji t’i mbetej Prishtinës.

“Një pjesë e popullsisë në veri përbëhet nga serbë ekstremistë nacionalistë, të cilët mbështeten nga ekstremistë të tjerë dhe me gjasë të mbështetur nga Rusia, e cila ka interes që problemet në rajon të shpërqendrohen nga Ukraina. Do të thotë se zbatimi i targave të veturave do të shkaktonte ndoshta dhunë, për të cilën pa të drejtë do të fajësohej Prishtina. Pra, edhe pse juridikisht e drejtë, politikisht e humbur”, është shprehur Robert Bosch.

Ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të përqendrohen në procesin e normalizimit dhe t’i vlerësojë miqtë e saj të vërtetë, pasi tani presioni, sipas tij, do të bie mbi Serbinë.

“Më mirë të përqendrohemi në procesin e normalizimit, ku presioni është mbi Serbinë dhe jo mbi Kosovën. Njeriu duhet të luftojë luftën që mund të fitojë dhe jo ato që nuk mund t’i fitojë dhe gjithmonë duhet të vlerësojë mendimin e miqve të tij të vërtetë”, ka shtuar ish-ambasadori holandez për gazetën “Bota sot”.

Dakordimi për targat dy ditë pas dështimit të negociatave ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Kurti nuk pranoi propozimin e kryediplomatit evropian Josep Borrell, të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për targa, me arsyetimin se në takim nuk ishte planifikuar edhe negocimi për një marrëveshje finale me Serbinë.

Pak orë më vonë, Kurti u pajtua të shtynte zbatimin e vendimit për targat për 48 orë, pasi këtë e kërkoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Brenda këtyre orëve, marrëveshja në Bruksel është arritur mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve. Zyrtarët e Kosovës falënderuan ambasadorin amerikan në Kosovë, për rolin dhe mbështetjen e tij për arritjen e marrëveshjes.

Kryeministri Kurti, ka theksuar dje në Kuvendin e Kosovës se me dakordimin për targa nuk është cenuar kurrfarë substance e shtetit të Kosovës.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.