Shkup, 9 nëntor – Komisioni për çështje të rregullores dhe imunitetit sot e ka filluar debatin rreth amendamentit të Propozim-ligjit për punë të Kuvendit. Janë parashtruar 1965 amendamente, më së shumti nga E Majta – rreth 1800.
Disa amendamentet e para që janë shqyrtuar dhe nuk janë pranuar nga propozuzesi, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ishin të ndërlidhura me përdorimin e gjuhës maqedonase, gjegjësisht gjuhës shqipe për zhvillim të seancave edhe të trupave punuese.
Dimitar Apasiev tha se zhvillimi i seancës edhe në gjuhën shqipe është antikushtetuese
Deputetja, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE tha se gjuha maqedonase është gjuha e vetme që flitet në të gjithë territorin e vendit.
Debat ka shkaktuar edhe amendamenti që deputetët që flasin vetëm gjuhën maqedonase të mos marrin materiale edhe në gjuhën shqipe. Kjo, siç sqaroi deputetja Siljanovska Davkova, nuk gjendet askund në Evropë.
Halil Snopçe nga ASH-ja tha se është tronditur nga kërkesa e deputetëve maqedonas që të mos marrin materiale në gjuhën shqipe.
Apasiev nga E Majta theksoi se atëherë në Kuvend, për shembull, përveç gjuhës shqipe, duhet të vendoset edhe gjuha turke. Apasiev tha se nuk është kushtetuese që arkivi të drejtohet në dygjuhësi. Nëse po, thotë ai, atëherë arkivi duhet të udhëhiqet edhe në gjuhë të tjera.
Debati i amendamentit për Rregulloren nisi pas një jave konsultimesh mes deputetëve pasi E Majta parashtroi rreth 1.800 amendamente. Biseda dhe konsultime janë zhvilluar mes koordinatorëve të grupeve parlamentare, Xhaferi dhe E Majta. Pritjet e Xhaferit ishin që Rregullorja, e cila është rezultat i bisedimeve në kuadër të procesit Zhan Mone, të miratohet me konsensus.