Monday, May 29, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Kaos në Qendrën Klinike në Shkup, ministrat ndërrohen problemet mbesin të njëjtat!

Shkup, 20 mars – Qendra Klinike në Shkup krahas problemeve të shumta që përballet përbrenda në aspektin e funksionimit dhe menaxhimit të situatës me numrin e stërngarkuar të pacientëve, nga jashtë vetëm sa shkon e vështirësohet edhe më shumë kaosi në parkingun e klinkës. Ministrat ndërrohen problemet mbesin të njëjtat, dhe zgjidhje nuk gjinden dot pacientët alternativë tjetër nuk kanë, sepse pikërisht nga politikat e papërgjegjshme janë bërë më shumë se një dekadë prej kur është paralajmëruar ndërtimi i një klinike të re por ende vazhdon të mbetet vetëm premtim elektoral. Nga ana tjetër, ministri i sapo ardhur në Ministrinë e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili gjatë prezantimit të prioriteve të tij ka vendosur primaren rregullimin e këtij kaosi në parkingun e Qendrës Klinike. Ndërkaq, vazhdon ende të mbetet nevojë jetike ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, me këtë do të ishin zgjidhur shumë probleme duke përfshirë edhe këtë të kaosit në parking, si dhe qytetarët do të kishin edhe një vend tjetër për trajtim, shkruan Zhurnal.

Kaos në parkingun e Qendrës Klinike në Shkup –

Radhë të gjata veturash të cilat nuk lëvizin për gati një orë, qytetarë të nervozuar e bërtitma. Kjo është pamja e cila vërehet me të hyrë në Qendrën Klinike në Shkup. Pacientë me sëmundje të ndryshme nga e gjithë Maqedonia e Veriut malltretohen madje me orë të tëra për të gjetur një vendparkim brenda Qendrës Klinike. Për shkak të kaosit shpesh ata humbin dhe terminët të cilat i presin me muaj me radhë, ndërsa për këtë askush nuk bart përgjegjësi. Të revoltuar, pacientët kërkojnë që ky problem të zgjidhet si dhe parkimi brenda Qendrës Klinike të mos paguhet, pasi sipas tyre shërbimi është shumë i dobët.

“Një orë e gjysmë kam prit që të parkohem dhe tani për të dal ka me siguri 1 orë. Kreva punë por është shumë tollovi. Nuk ka vende për parkim, nuk ka asnjëfarë rendi. Hyn brenda paguash ndërsa parking nuk ka dhe humbim kohë e humbim terminin, të gjithë janë me terminë. Shëndetësia është katastrofë”, tha një qytetar për Alsat.

Ky është një problem serioz që me të vërtetë kërkon zgjidhje urgjente sepse si pasojë e lëtij kaosi qytetarët janë të hutuar e të dëshpëruar nga shërbimet katastrofale shëndetësore që marrin në vend. Prandaj, edhe ministri i sapoardhur kishte vendosur prioritet të parë këtë problematikë.

“Në programin tonë prioritet i parë do të jetë zgjidhja e kaosit të trafikut në Qendrën Klinike. Jemi konsultuar me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara që ta zgjidhim sa më shpejt. E dyta është azhurimi i listës pozitive, e cila nuk është përditësuar prej më shumë se 10 vitesh. Ne do t’i kushtojmë një fokus të veçantë kësaj dhe do t’i kontrollojmë të gjitha ligjet, aktet nënligjore, rregulloret dhe gjithçka tjetër që duhet që të bëhet”, ka thënë Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Ai gjatë prezantimit të prioriteteve të tij përgjatë qeverisjes me këtë Ministri ka përmendur metodat inovative për mjekim dhe trajtim si dhe rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

Mes tjerash ai theksoi se rëndësinë e realizimit të projekteve për Qendrën e re urgjente të triazhit të mjekësisë interne, ndërtimi i Qendrës së re Klinike dhe rajonalizimi i infrastrukturës shëndetësore në vend. Dhe se për këto siç theksoi ai në program ka projekt të detajuar për realizimin e tyre.

Por, nuk duhet të merren aq seriozisht dhe aq të mirëqena këto prioritete e plane të në letër të këtij ministri aktual, sepse edhe shumë të tjerë para këtij pothuajse planet e njëjta i kishin por që fillonin dhe përfundonin mandatet pa i realizuar. Mbetet të shihet çfarë do të bëj Mexhiti edhe pe gjasat janë minimale për të shpresuar në diçka pozitive në këtë drejtim.

Ministria e Shëndetësisë ka një rëndësi të veçantë, nevoja për një Qendër të re Klinike është e padiskutueshme –

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit.

Qytetarët janë të bindur se ka edhe më shumë skandale financiare, krahas atij për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup, por është çështje kohe deri sa të zbulohen, se buxheti i shtetit keqpërdoret e nuk menaxhohet në formën e duhur tashmë janë dëshmitarë të gjithë qytetarët.

Se si menaxhohet buxheti në institucione të veçanta është shumë e lehtë të shihet gjendja reale dhe kuptohet qartësisht. Ta zëmë se kemi dilema në atë se si menaxhohet buxheti nga Shëndetësia, duke lënë anash këto skandale financiare, kuptohet me një vështrim të lehtë e të thjeshtë duke parë gjendjen katastrofale të spitaleve në vend, duke kujtuar situatën me pandeminë që në vend nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për të ofruar shërbimet e duhura.

Megjithatë, nëse premtimi për ndërtimin e Qendrës së re Klinike do të ishte realizuar deri më tani, qytetarët do të trajtoheshin në një Qendër të re Klnike, me kushte moderne e në mënyrë efikase, e me automatizëm do të ishte eliminuar edhe problemi apo kaosi me parkingun në Qendrën aktuale Klinike, sepse qytetarët do të kishin edhe një vend tjetër për trajtim,

Situata me pandeminë më lehtë e më mirë do të ishte menaxhuar sepse kishte pasur kapacitete të mjaftueshme, si kadrovike ashtu edhe me shtretër. Mbase, kriza shëndetësore me pandeminë dha përgjigjen e qartë se në çfarë gjendje të mjerueshme është shëndetësia në vend. Por, edhe dy vite më vonë asgjë nuk ndikon pandemia që shëndetësia të përgatitet për situata të paparashikuara dhe të jetë në gjendje për të ofruar ndihmën e nevojshme për qytetarët e këtij vendi. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss