Wednesday, October 5, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Komisioni për çështje historike do të ketë edhe sekretariat që do ta ndihmojë

Shkup, 16 shtator – Ministria e Punëve të Jashtme është duke formuar Sekretariat që do të ndihmojë në punën e pjesës maqedonase të Komisionit Historik, informoi sot në konferencën për media kreu i diplomacisë Bujar Osmani.

“Ministria e Punëve të Jashtme po formon Sekretariat, por sërish nga persona që do të propozohen nga Komisioni. Këta do të jenë ndihmësit e tyre që do të përgatisin materialet e tyre, do t’i ndihmojnë në pjesën administrative dhe në menaxhimin e punës së tyre. Do të jetë një Sekretariat i tërë që do të jetë përgjegjës për përgatitjen dhe funksionimin më efikas të Komisionit Historik, sepse shkalla e gatishmërisë së tyre do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për dinamikën e punës së tyre”, tha Osmani.

Ai theksoi edhe pse MPJ-ja do t’i lidhë kontratat me këta persona në Sekretariat, nuk do të propozohet asnjë emër nga Ministria, por presin që Komisioni të zgjedhë bashkëpunëtorët e tij.

Osmani shtoi se me propozim të MPJ-së është formuar grupi punues ndër-resor, i cili do të drejtohet nga ai dhe katër nëngrupe tematike në nivel ekspertësh, të cilët do të monitorojnë procesin e zbatimit të obligimeve që dalin nga Protokolli dypalësh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ai informon se Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar tashmë një shkresë MPB-së lidhur me një rast të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale ndaj qytetarëve që identifikohen si bullgarë dhe se ky është një shembull se si kjo pjesë e Marrëveshjes me Bullgarinë do të funksionojë.

Në pyetjen e një gazetari nëse historianët në takimin në Shkup kanë diskutuar dje për Goce Dellçevin, ai thotë se për këtë është po aq i informuar sa edhe gazetarët.

“Edhe unë nuk jam më i informuar për punën e Komisionit se ju, sepse Komisioni është autonom në punën e tij dhe në diskutimet e tyre, në përmbajtjen e temave. Ajo që di unë është se ata nuk kanë ardhur fare të punojnë për Goce Dellçevin dhe sot në mëngjes ka dalë një njoftim nga partia opozitare se janë marrë vesh për Goce Dellçevin. Unë e kuptoj debatin politik, por lajmet e rreme klasike për të manipuluar qytetarët janë një precedent i rrezikshëm që po e fusim në diskursin ditor politik”, vlerësoi Osmani.

Ai inkurajoi anëtarët e Komisionit që të jenë sa më të hapur me publikun, duke vlerësuar se me Sekretariatin do të kenë mundësi të punojnë më shumë dhe të jenë në komunikim me mediat.

Dje ekipi maqedonas në Komisionin përmes një komunikate për media informoi se temë e takimit dyditor me kolegët bullgarë ishin tekstet shkollore të historisë që trajtojnë periudhën e historisë mesjetare dhe përfundimisht nderimin e përbashkët të Goce Dellçevit.

Ky takim dyditor në Shkup kaloi pa konferencë për media apo deklarata për media nga anëtarët e dy ekipeve në komisionin e përbashkët.

Dimitar Llorovski, historian dhe profesor në Institutin e Historisë Kombëtare, iu bashkua ekipit maqedonas në këtë raund bisedimesh, duke zëvendësuar Vanço Gjorgiev, i cili u largua nga Komisioni vitin e kaluar.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.