Thursday, March 23, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Korrupsioni sërish në nivel të lartë, me të korruptuar nuk luftohet korrupsioni!

Shkup, 2 shkurt –  Korrupsioni me shumë gjasë është fjala më e përmendur në Maqedoninë e Veriut, përmendet edhe nga ata që korruptojnë e janë të korruptueshëm, edhe nga ata që e luftojnë edhe nga ata që frikësohen, pra çdokush që e kupton fjalën korrupsion e përmend në çdo bisedë kur flitet për të ardhmen e vendit, e politikbërjen në vend. Por, korrupsioni si shqetësim nuk përmendet vetëm nga qytetarët, ambasadat e huaja kanë qenë çdoherë me zë kritik ndaj këtij fenomeni, e së fundmi këto kritika edhe janë shpeshtuar sidomos nga ambasada amerikane në Shkup, e përpos kësaj janë përkthyer edhe me veprime konkrete. Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85 nga 180 vende sa janë gjithsej sipas Indeksit më të ri për perceptimin e korrupsionit, që për çdo vit publikohet nga Transparency International. E porsaardhur në ambasadën amerikane në Shkup, Price Aggeler, ajo tha se patjetër duhet të ndryshojë kultura, e për këtë duhet edhe vullnet politik, lufta kundër korrupsionit është në interes të të gjithëve, por më së shumti për të rinjtë të cilët për shkak të korrupsionit po e braktisin shtetin, shkruan Zhurnal.

Raporti i Transparency International për korrupsionin Maqedonia e Veriut në vendin e 85-të –

Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë.

Nga rajoni para nesh janë Sllovenia (41), Greqia (51), Kroacia (57), Mali i Zi (65), Kosova (84), ndërsa pas nesh janë Shqipëria dhe Serbia (101).

“Bota ka nevojë për veprim urgjent,” thotë titulli i Transparency International mbi Indeksin Botëror të Korrupsionit. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2022 tregon se shumica e vendeve po dështojnë të ndalojnë korrupsionin.

Indeksi rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në sektorin publik dhe vlerësohet në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) në 100 (shumë e pastër). Në krye të kësaj liste është  Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia.

Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

“Që të sigurohet përgjegjësia dhe të tregohet vullnet i vërtetë për luftën anti-korrupsion, Qeveria duhet që në mënyrë adekuate të sigurojë resurve dhe të mundësojë pavarësinë e Komisionit Antikorrupsion dhe të institucioneve përgjegëjse për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar” – thonë nga Transparency International.

Reaguan nga VMRO-ja dhe Lëvizja Besa –

“Me Kovaçevskin dhe Ahmetin në vend të Bashkimit Evropian, Maqedonia shkon në shoqërim me Surinamin, Indinë dhe Tunizinë. Kjo sepse krimi dhe korrupsioni janë shndërruar në simbol të kryeministri me biznese në energjetikë dhe kompanive të cilat po i shtohen përderisa populli po varfërohet. Kjo sepse përderisa popullin e kap uria, Ahmeti në Zajaz jeton si sulltan nga Brunei”, u shpreh Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Lëvizja Besa ngrit shqetësimin e saj se mungon vullneti për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe se ne si shtet akoma përballemi me ndërhyrje politike në gjyqësor si dhe vjedhje në çdo institucion shtetëror. Edhe pse Qeveria çdoherë ka proklamuar se për të t’u anëtarësuar në BE duhet të luftohen fenomenet negative, sipas raportit tregohet se në këtë drejtim janë bërë shumë pak lëvizje dhe se anëtarësimi i vendit, përmbushja e gjitha reformave është detyra kryesore e një vendi që pretendon në të ardhmen të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane.

“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss