Wednesday, February 21, 2024
spot_img

Latest Posts

Kosovë, qytetarët serbë të shqetësuar për vendimin e largimit të dinarit

Nga 1 shkurti 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton që valuta e vetme e pranuar për operim në Republikën e Kosovës, është euro, raporton Anadolu.

Kjo rregullore, për zbatimin e së cilës nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se do të ketë një fazë tranzicioni e cila përfshinë informim dhe edukim për qytetarët dhe bizneset dhe jo menjëherë ndëshkime, ka prekur më shumë serbët e Kosovës të cilët ende e përdorin dinarin serb.

Në Komunën e Graçanicës, ku shumica e banorëve janë nga komuniteti serb, qytetarët kanë shprehur shqetësim për këtë ndryshim të valutës të cilën ata e përdorin për vite me radhë.

Pensionistja Stanica Trajkoviç nga kjo komunë, në një prononcim për Anadolu ka thënë se përveç pensionit të pleqërisë në Kosovë, ajo merr pension edhe nga Serbia në dinarë dhe se është shumë e shqetësuar për situatën aktuale. Ajo thotë për ndalimin e dinarit, qytetarët janë njoftuar vetëm përmes mediave.

“Askush nuk na thotë asgjë për këtë, vetëm përmes mediave, askush nuk na informon se çfarë do të ndodhë. Pres që në një kohë të shkurtër të zgjidhet, sepse pensionin duhet ta marrim për dhjetë ditë. Shpresoj se do të zgjidhet nëse marrim para në euro apo në dinarë, por besoj se dinari ynë është i vlefshëm”, thotë Trajkoviç dhe shton se ky vendim është shumë i keq për serbët, të cilët janë mësuar ta përdorin dinarin.

Aktivistja civile nga Graçanica, Nevenka Rikalo, beson se vendimi për ndalimin e dinarit në Kosovë është shkelje e të drejtave njerëzore të serbëve që jetojnë në Kosovë. Rikalo, e cila vetë merr pension nga Serbia, tregon se jo të gjithë mund të shkojnë në Serbi për të marrë të ardhura në dinarë.

“Shumë njerëz do të mërziten, do të nervozohen dhe madje do të mendojnë të largohen nga Kosova, sepse nëse ia mohojmë të drejtën e njeriut për të marrë paratë që i kemi arritur gjatë jetës, do të jetë një vështirësi shumë e madhe. Sa i përket politikës së Beogradit dhe Prishtinës, ne duam që të realizohet gjithçka që është dakorduar dhe nënshkruar nga të dyja palët dhe të mos bëhet asgjë pa marrëveshje, pa pëlqimin e Bashkimit Evropian dhe të tjerëve që marrin pjesë në negociata”, thotë Rikalo.

Mesazhi i saj për politikanët është që të vendosen në pozitën e njerëzve të zakonshëm, të fillojnë të mendojnë për komunitetet dhe të merren më pak me politikë dhe më shumë me problemet lokale të popullsisë.

Një shitës në Graçanicë, i cili nuk ka dashur të deklarohet para kamerave, tha se deri më tani në fshatrat serbe është përdorur edhe euro edhe dinari, por çmimet janë të vendosura në shitore në euro. “Askush nuk erdhi tek ne sot (nga autoritetet). Thonë se dinari është ende i vlefshëm, kështu që do të shohim se sa do të zgjasë. Nëse është e mundur, do të punojmë si më parë me dinarë, e nëse jo, do të punojmë sipas të riut”, thotë ai për Anadolu.

Në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, të mërkurën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se zbatimi i rregullores së re të BQK-së, nuk nënkupton se do të ketë menjëherë ndëshkime për qytetarët dhe bizneset që e përdorin dinarin, por fillimisht do të ketë investime në informim të tyre.

“Mekanizmat e Qeverisë që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregulloreje, do të fokusohen në plotni që në këtë fazë tranzitore të investojnë më shumë në informim dhe edukim të qytetarëve dhe bizneseve dhe jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”, theksoi Bislimi më 31 janar.

Bislimi ka shtuar se Qeveria ka lutur menaxhmentin e BQK-së që të vendosë linjë komunikimi me Bankën e Serbisë për të gjetur “mekanizëm për transfer transparent të mjeteve” për serbët e Kosovës që paguhen nga Serbia.

Shtetet e Quintit (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë kërkuar nga Kosova që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të rregullores së BQK-së që parasheh ndalimin e përdorimit të dinarit si valutë e vlefshme në treg.

Gjithashtu, në një deklaratë rreth kësaj çështjeje të zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, bëhet e ditur se BE “periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”.

Stano tha se BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss