Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje ekipit si dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e frytshëm, dhe se projektet e përbashkëta me FMN-në ishin në fokus të diskutimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës u vlerësua për zhvillimin ekonomik në dy vitet e fundit. U theksua se të hyrat buxhetore janë rritur rreth 15% ndërkaq niveli i inflacionit ka rënë dukshëm, në vetëm 2.8% në muajin qershor.
Kryeministri nënvizoi se sipas të dhënave të ATK-së, për herë të parë ekonomia jonë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive. Duke shërbyer kështu si dëshmi e suksesit të politikave tona të punës dhe ekonomike që kanë ndihmuar gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara, sipërmarrësit dhe të tjerët të jenë pjesëmarrës të suksesshëm në fuqinë punëtore”, bëhet e ditur në njoftim.