Tuesday, November 29, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Kush u mërzit e kush u gëzua për dorëheqjen e Selës?!

Shkup, 22 gusht – Një fjali e urtë popullore thotë: “Nëse dëshironi të tjerët të flasin mirë për ty, vdis!”.

Kjo i ka ngjarë këtë herë ish liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selës, i cili dha dorëheqje të parevokueshme nga posti kryetar i ASH-së, si shkak rezultatet e dobëta në këshillin e Tetovës ku ASH nga 3 këshilltarë sa kishte më parë, tani nuk ka asnjë, shkruan Zhurnal.

Fjalia e mësipërme nuk ka kuptimin se Ziadin Sela tanimë ka vdekur mirëpo ishte në aspektin që atë filluan ta lavdërojnë me fjalë të ndryshme si guximtar, lider, me integritet, i ndershëm e çka jo tjetër, veçanërisht simpatizuesit dhe anëtarësia e ngushtë e ASH-së, vetëm disa çaste pasi ai dha dorëheqje, e këto fjalë druanin ti thonin derisa ai ishte në krye të partisë.

Në opinion që moti flitej se brenda ASH-së ka pakënaqësi të madhe veçanërisht në raportet me liderin e partisë. Flitej se simpatizuesit kërkonin dorëheqjen e liderit të tyre Ziadin Sela, por ky i fundit ndonëse humbi disa palë zgjedhje me radhë, gjithsesi nuk dorëzoheshte.

Ziadin Sela vazhdimisht është pyetur nga mediat vendase nëse do të jepte dorëheqje, sidomos pas zgjedhjeve lokale vitin e kaluar, po i njejti thoshte se një politikan duhet të japë dorëheqje nëse humbë diçka nga pushteti apo e humbë tërësisht pushtetin. Ai mbështeteshte te ajo që strukturat e partisë nuk kërkojnë dorëheqjen e tij, ndaj dhe nuk bënte zë.

Në kongresin e dytë të partisë, në muajin mars të këtij viti Ziadin Sela u rizgjodh kryetar i ASH-së, ndërsa nuk kishte askënd si kundër kandidat. Ndonëse ai u dorëhoq para kohe, ky do të ishte mandati i tij i fundit, pasi kështu kishte njoftuar ai vet në konferencë për media.

Ai pati thënë se ASH do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin do ta çojë deri në fund.

“Ky është mandati im i fundit si kryetar partie, kjo ngritja në foltoren e kongresit si kryetar partie ishte e fundit sot, Ziadin Sela do të jetë pjesë edhe katër vite në krye të ASh-së sepse do i fitojmë zgjedhjet dhe pas kësaj periudhe do të jem pjesë e pandashme e ASh-së”,pati thënë Sela, shkruan Zhurnal.

Pakënaqësitë e anëtarësisë ndaj ri-zgjedhjes së Selës

Ish themeluesi i Reforma PDSH, Latif Arifi pati deklaruar se rizgjedhja e Selës është e treta me radhë dhe jo e dyta siç potencon ai. Ai e konsideronte rizgjedhjen e tij si jolegjitime dhe do ta kontestonin para organeve gjyqësore.

Sela ndaj kësaj u përgjigj se pakënaqësitë duhet të tregohen brenda partisë dhe jo në publik, duke shtuar se edhe ky veprim i Arifit ka qenë kundër statutit të partisë.

Gjithashtu, vlenë të theksohet se Aleanca për Shqiptarët para dhe pas koalicionimit me Alternativën ishte fuqizuar bukur mirë, por pas shkëputjes së koalicionit dhe bashkëpunimit me partinë e Dimitar Apasievit, “Të Majtën”, kjo parti u kritikua tejmase për këtë veprim, dhe humbi besimin te blloku shqiptar. Madje nënkryetari i partisë, Arben Taravari pati siguruar se kanë mbledhur 61 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë.

Rënia e ASH-së është vërejtur edhe në qytetin e Kumanovës, ku pak para mbajtjes së kongresit të dytë, ASH kishte zgjedhur strukturat e nëndegës. Në çdo mbledhje vëreheshte numër shumë i vogël i simpatizuesve prezent ndërsa nëndega “Lagja e Trimave” kishte mbetur me vetëm 20 anëtarë. Edhe në Kumanovë fliteshte se anëtarët duan Arben Taravarin si lider i ardhshëm i partisë.

Kush u mërzit për dorëheqjen e Selës?

Anëtarësia e ngushtë dhe anëtarët e tjerë të partisë, sipas asaj që kanë shkruar në rrjetet e tyre sociale, duket se janë mërzitur tejmase për largimin e tij nga posti lider i partisë, duke thënë se ai ishte lider me vizion, i guximshëm, me integritet dhe i përulur, i cili i ka shërbyer popullit shqiptar me shumë sinqeritet.

Disa prej tyre gjithashtu shprehen se dorëheqja e tij duhet t’i shërbejë politikës dhe politikanëve si shembull se pozita e liderit nuk është e përjetshme. Ata marin si shembull Ali Ahmetin e Menduh Thaçin për të cilët shprehen se asnjëherë nuk morën përgjegjësi për veprat e tyre.

Zëdhënësi i kësaj partie madje i quajti zvarranikë e bretkoca kritikuesit e Selës si dhe kolegët nga partia e PDSH-së për të cilët tha se mburren me një këshilltar në Tetovë dhe “krekosen si bretkoca kur kcen nga tenxherja”. Ai ka shkruar se Ziadin Selën do ta donin të gjithë më shumë nëse do t’i bashkangjiteshte pushtetit dhe do t’i rehatonte të gjithë me nga një post. Ai e vërtetoi se ASH pas këtij veprimi nuk do ta ketë aspak lehtë.

Çfarë shkroi Taravari, pasuesi i mundshëm i Selës?

Nënkryetari i ASH-së, Arben Taravari, i cili që moti kohë përmendet si pasues i mundshëm i Selës, ka shkruar se kauza e Selës nuk ishin vetëm shqiptarët por të gjithë njerëzit dhe mirëqenia e tyre pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare etj. Sipas tij, Sela ishte avokat i të drejtave të njeriut.

Madje Taravari përmendë edhe sulmin e tmerrshëm ndaj Selës në Kuvend, duke thënë se ai rrezikoi jetën e tij që shteti të çlirohej nga kthetrat e diktaturës. Por Taravari shprehet se Sela do të vazhdojë të jetë pjesë e ASH-së dhe kjo do të jetë mbështetje e madhe për partinë. Ai nuk përmendë diçka lidhur me të ardhmen dhe pasuesin e tij, por e përshëndetë me fjalët e tij: Vazhdojmë përpara!

Kush u gëzua për dorëheqjen e Selës?

Padyshim ata që më së shumti u gëzuan për dorëheqjen e Selës ishin vet lideri i PDSH-së Menduh Thaçi dhe mbështetësit e tij partiak. Që nga koha kur Sela u shkëput nga PDSH dhe kjo e fundit pësoi rënie të madhe në skenën politike, raportet mes Selës e Thaçit nuk kanë qenë asnjëherë të mira.

Nga tabori i BDI-së nuk mund të thuhet se nuk kishte reagime. Disa nga anëtarësia e ngushtë e BDI-së thonë se i gjithë ky proces zgjedhor në Tetovë u shfrytëzua nga nënkryetari i ASH-së, Arben Taravari, i cili pastroi terenin për dorëheqjen e Selës dhe ardhjen e tij në vendin e tij, shkruan Zhurnal.

Nga BDI janë të mendimit se Taravari i ka ndihmuar Bilall Kasamit në qytetin e Tetovës për në këshill, duke fituar disa vota më tepër dhe këshilltarë më tepër, me qëllim për të shkatërruar ASH-në në këtë degë, dhe me këtë rezultat, të shkaktojë dorëheqjen e Selës. Sipas tyre, Taravari e realizoi me sukses qëllimin e tij.

Ndryshe në qytetin e Tetovës dhe në zgjedhjet e fundit për këshilltarë komune, mund të thuhet se të gjitha partitë politike humbën në një farë mënyre, duke patur parasysh se ët drejtë vote kishin 84,072 qytetarë, ndërsa të drejtën e votës e shfrytëzuan vetëm 29,690 prej tyre. Kjo dëshmon se qytetarët kanë humbur besimin te partitë politike dhe se përmes këtyre zgjedhjeve, do të zgjidhen problemet e tyre.

Ndonëse Bilall Kasami që nga ardhja në detyrë si kryetar i komunës punoi mjaft dhe është pothuajse çdo ditë në rrugë së bashku me bashkëqytetarët e tij, problemet për Tetovarët nuk mund të zgjidhen aq shpejtë dhe aq lehtë sepse pasojat nga menaxhimi i dobët i mëparshëm i komunës janë afatgjate. Nga komuna e Tetovës u patën shprehur se kanë arritur të ulin borxhin e komunës për rreth 4 milion euro, e këto janë nga kamatat e krijuara nga borxhet ndaj kompanive të ndryshme. Sipas njoftimit të Kasamit, komuna ka arritur marrëveshje me disa kompani që borxhi të paguhet në këste dhe pa interes.

Ndryshe në Tetovë rezultatet janë si në vijim:

BDI në zgjedhjet lokale 2021 në Tetovë mori 10.114 vota, kurse tash 8.702. Ka rënie për 1.412 vota.

BESA në 2021 mori 8.367, kurse sot 9.620. Ka ngritje prej 1.253 votave.

ASH në 2021 mori 3.912, kurse sot 777 vota. Ka rënie prej 3.135 vota.

PDSH në 2021 mori 2.526, kurse sot 1.058 vota. Ka rënie prej 1.468 votave.

“Më mirë për Tetovën” në vitin 2021 mori 2.842, kurse sot 761 vota. Ka rënie prej 2.081 vota.

Nga tabori maqedonas, VMRO-DPMNE ka arritur të fitojë 3332 vota ndërsa LSDM 1953 vota. VMRO fitoi katër këshilltarë ndërsa LSDM vetëm dy.

BDI fitoi 11 këshilltarë, Besa 12, Alternativa 1, PDSH 1, ASH asnjë dhe Më mirë për Tetovën asnjë./Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.