Shkup, 4 gusht – Sulejman Sulejmani, i punësuar në Ministrinë e Ekonomisë, është zgjedhur kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor të Tetovës, ku do të mbahen zgjedhjet për anëtarë të Këshillit të Komunës së Tetovës.
Sulejmani është zgjedhur në seancën e sotme të 59-të të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Ai vjen në vendin e kryetares së deritanishme të KKZ-së Tetovë, Salije Asllani Abdiji, e cila është shkarkuar me kërkesë të saj. Siç ka elaboruar nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, kryetarja e deritanishme e KKZ-së Tetovë kishte paraqitur kërkesë për shkarkim nga posti për arsye shëndetësore.
Në kuadër të seancës së sotme, anëtarët e KSHZ-së e kanë miratuar edhe Propozim-vendimin për mbylljen e Listës zgjedhore për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të Komunës Qendër Zhupa, për kryetar të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës dhe për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Komunës së Tetovës, e cila do të mbahet më 28 gusht të këtij viti.
Gjitashtu anëtarët e KSHZ-së e kanë votuar edhe Propozim-vendimin për publikimin e vendvotimeve në Qendrën Zhupa, Mavrovë dhe Rostushë dhe në Komunën e Tetovës.