Shkup, 21 gusht – Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski sot së bashku me nënkryetarin dhe deputet Aleksandar Nikollovski realizuan takim me ambasadoren gjermane në Maqedoninë e Veriut Petra Dreksler.
Siç informojnë nga partia, në takim është biseduar për gjendjen aktuale politike dhe procesin eurointegrues të vendit.
“Kryetari Mickoski e informoi ambasadoren Dreksler për gjendjet politike aktuale në vend dhe se pushteti me vetëdije e shkel Rregulloren e punës së Kuvendit me atë që nuk i vendos ndryshimet kushtetuese në votim, sepse nuk ka shumicë prej dy të tretash, ndërsa kjo u konfirmua siç tha ai edhe në seancën kuvendore, ku pas përfundimit në vend që të vihen në votim, e njëjta u ndërpre”, citohet në kumtesë.
Mickoski edhe njëherë e përsëriti qëndrimin e partisë se nuk do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë kusht për fillimin e negociatave me BE-në.
Mickoski ka thënë se në kushte kur pushteti është i delegjitimuar dhe nuk ka as mbështetje nga qytetarët, është e nevojshme mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Njëherit, Mickoski shprehu mirënjohje të madhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga ana e Republikës Federale të Gjermanisë ndaj Maqedonisë.