Wednesday, October 5, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Micotakis përsërit mbështetjen për perspektivën në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Athinë, 11 shtator – Përgjimet, zgjedhjet dhe kodi zgjedhor, ekonomia dhe masat të cilat dje i kumtoi, kriza energjetike, dimri i ardhshëm i rëndë, por edhe marrëdhëniet me Turqinë dhe politika e jashtme, ishin disa nga temat për të cilat kryeministri grek foli në konferencën tradicionale për media në kuadër të Panairit Ndërkombëtar në Selanik.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për marrëdhëniet me Tiranën, Micotakis, mes tjerash, e përsëriti edhe mbështetjen e tij për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Tha se anëtarësimi i Shqipërisë në rrugën evropiane është në interes të Greqisë.

“Për këtë edhe personalisht e mbështeta fillimin e bisedimeve integruese edhe për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut”, theksoi Micotakis.

Në mesin e porosive të cilat i dërgoi kryeministri grek nga Selaniku, ishte edhe siç tha, tre “jo”, gjegjësisht “jo për zgjedhjet e parakohshme, “jo” për ndryshim të kodit zgjedhor dhe “jo” për rikonstruim të Qeverisë, përderisa për krizën energjetike edhe një herë theksoi se i presin vendimet evropiane, por Greqia angazhohet që të vendosë çmime tavan të gazit natyror.

Përveç kësaj, ai përsëriti se Rusia zgjedh të instrumentalizojë gazin natyror për të shkaktuar destabilizimin dhe shprehu mbështetje për Ukrainën, “në mënyrë që ajo të mund të negociojë me Rusinë sipas kushteve të veta, jo si një vend i mundur”, por mohoi që Greqia do të dërgojë material plotësues ushtarak përveç vendimit për dërgimin e mjeteve të blinduara të vjetra me kusht që ato të zëvendësohen me më moderne nga Gjermania, diçka për të cilën diskutimet janë në vazhdim.

Për deklaratat që vijnë nga Turqia dhe nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, theksoi se janë të papranueshme, por megjithatë është i hapur për takim eventual me të.

“Ne do të përpiqemi gjithmonë që të kemi kanale të hapura komunikimi me Turqinë, sepse nuk jam unë ai që shkatërroi urat e komunikimit me shtetin fqinj dhe nuk jam unë që thashë ‘Erdogan jok’ për komunikimin mes dy vendeve në nivel të liderëve të shteteve dhe qeverive. Unë jam gjithmonë i hapur për t’u takuar me zotërinë Erdogan. Është ai që nuk dëshiron të flasë me mua”, shpjegoi Micotakis dhe shtoi se, siç tha ai, nuk mund ta kapë për qafe dhe ta detyrojë të takohen.

Theksoi se nuk mund të paramendojë konflikt ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, ndërsa Turqia të jetë sulmuesi, por theksoi se nëse ndonjëherë ndodh Ankaraja do të marrë përgjigje adekuate dhe shumë mirë e di gatishmërinë e forcave të armatosura greke.

Në lidhje me përgjimet në vend, sqaroi se menjëherë kishin filluar të gjitha procedurat e parapara, ai e ka marrë përgjegjësinë me pranimin e dorëheqjeve, komentoi se “nuk është normale që të ndiqet lideri politik”, por edhe duke theksuar se në parim askush nuk duhet të përjashtohet nga procesi potencial i ndjekjes, ndërsa konkretisht për kryetarin e PASOK – Lëvizja për ndryshime tha se ndjekja ishte e ligjshme.

Konferenca për media e cila tradicionalisht mbahet në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar në Selanik, këtë vit zgjati tri orë, ndërsa kryeministri grek Kirjakos Micotakis u përgjigj në mbi 50 pyetje të gazetarëve.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.