Monday, May 29, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

(Mos)marrëveshja e Ohrit!

Shkup, 20 mars – Interpretime nga më të ndryshmet mbi takimin në Ohër mes krerëve të dyja shteteve që janë në proces të dialogut, Kosovë – Serbi. Herë quhet takim historik, e herë takim normal, por çfarë në realitet ishte takimi në Ohër?. Për çfarë u morën vesh dhe cila është marrëveshja finale për të cilën u pajtuan e asgjë nuk nënshkruan?. I gjithë fokusi mediatik dhe gjithë qytetarët sytë kah Ohri, kishte pritje të shumta, por në realitet përfundimi ishte i ngjashëm me takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Flitet për një marrëveshje dhe për një fakt që janë pajtuar dhe janë marrë vesh palët, por që nuk kanë vendosur firmat e tyre në asnjë letër asnjëri prej krerëve. Albin Kurti ka shpreh gatishmëri, Vuçiqi ka refuzuar. Zhvillime komplekse që hutojnë qytetarët dhe e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë në realitet po ndodhë. Nga njëra anë Albin Kurti luan rolin e fituesit duke shkuar në takime me “kimik” në dorë për ta vë firmën e tij sa më parë që ta mbyllë këtë çështje të hapur, nga ana tjetër Vuçiqit po i dhembë dora e djathtë sipas të cilit edhe katër vite do t’i zgjasë kjo dhimbje. Për çfarë u morën vesh, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq?, shkruan Zhurnal.

Çfarë ndodhi në Ohër më 18 mars?

Pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, Ohri i Maqedonisë së Veriut ishte përcaktuar si vendtakimi radhës për krerët Kurti – Vuçiq. Nga Brukseli dolën të dy liderët me deklarata krejtësisht të ndryshme, që tregonin një hendek të thellë dhe një pesimiëzëm për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Pak çaste pas këtij takimi u publikua edhe plani franko-gjerman, si bazë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, që përbëhej nga 11 nene. Kurti nga Brukseli u apeloi qytetarëve që ta lexojnë vetë që të mos bien pre e interpretimeve tendecioze, duke aluduar se plani në fjalë është në favor të Kosovës. Nga ana tjetër Vuçiq qysh në mbarim të takimit deklaroi se është kundër dhe nuk do të nënshkruaj atë marrëveshje që përbrenda nuk ka asociacion.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në Ohër arritën një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh, pas rreth 12 orë diskutimesh, por për këtë të fundit asnjëri prej tyre nuk kanë vendosur firmat e tyre, Kurti ishte i gatshëm, Vuçiq refuzoi. Por, refuzimi Vuçiqit nuk nënkupton se marrëveshja në fjalë është e dëmshme për Serbinë apo është në favor të Kosovës, mund të jetë edhe vetëm status-quo si dhe reflektimi të një lideri në vendin e tij që nuk vrapon pas nënshkrimit të marrëveshjeve që nuk janë kryekëput në favor të Serbisë.

Takimet në Ohër ishin të organizuar sipas këtij formati që një takim i ndarë i kryediplomatit evropian Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së Mirosllav Lajçak, me presidentin serb Aleksandër Vuçiqi. Pas takimit me Vuçiqin, dy përfaqësuesit e BE-së pritën në takim edhe Kurtin. Ndërkohë, para takimit veçmas me Borrellin e Lajçakun, Kurti u takua me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku temë e diskutimit ishte takimi dhe pritjet nga aty.

Pas përfundimit të takimit, diku rreth orës 22:00 , i pari për media foli presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se nuk ka nënshkruar asgjë dhe se sipas tij, ky proces tek po fillon. Tutje ai tha se për palën serbe është e rëndësishme formimi i Asociacionit në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të negociatave, teksa shtoi se është folur edhe për personat e pagjetur. Duke aluduar në marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruan nga Hashim Thaçi dhe atë të vitit 2015 të nënshkruar nga Isa Mustafi, për formim të Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Çfarë thanë ndërmjetuesit?

Më pas, në konferencë për media doli vetë Borrelli, i cili e dha lajmin e shumëpritur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit. “Kam kënaqësinë të them se pas 12 orësh kemi një marrëveshje, kemi një pajtim mbi atë se si do të bëhet”, u shpreh Borrell. Tutje ai tha se synimi i sotëm ishte që Kosova e Serbia të pajtoheshin me atë se si të implementohej marrëveshja e pranuar më 27 shkurt, por sipas tij, çështja ishte se si të zbatohej, çfarë duhet bërë e deri kur duhet bërë.

Borrell po ashtu tha se Kosova është pajtuar që të nisë menjëherë të sigurohet vetëmenaxhimi i komunitetit serb dhe se palët janë pajtuar për të miratuar deklaratën mbi personat e pagjetur.

Krejt në fund, Shefi i diplomacisë evropiane tha se Bashkimi Evropian ‘me forcë’ do t’i kërkojë Kosovës e Serbisë që t’i përmbushin obligimet e tyre dhe se sipas tij, mos-përmbushja e tyre do të ketë pasoja.

I dërguari i ShBA-së, Gabriel Escobar, e përshëndeti arritjen e marrëveshjes, duke thënë se marrëveshja është e vështirë, por e domosdoshme për të gjetur marrëdhënieve paqësore dhe afatgjata. “Kjo marrëveshje jo vetëm që hap derën për integrim evropian por edhe për paqen rajonale. Ishte moment vizionar. Do të bëjmë gjithçka që kjo marrëveshje të zbatohet”, u shpreh Escobar, i cili ishte i pranishëm në bisedime, në rolin e vëzhguesit.

Albin Kurti i fundit në prononcim –

I fundit që foli për media ishte kryeministri Albin Kurti, i cili tha se me Serbinë është arritur pajtimi publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Ai tha se në marrëveshjen bazë është njohje e ndërsjellë de-facto. Tutje, ai tha se i takon BE-së që të gjejë mekanizmin për ta bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme. Ai foli për çështjen e të pagjeturve, duke thënë se adresimi i krimeve të luftës është i domosdoshëm dhe urgjencë e veçantë.

Bashkimi Evropian më pas publikoi përmbajtjen e Aneksit të zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përmbajtjen e plotë të aneksit mund ta lexoni këtu.  /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss