Shkup, 1 nëntor – Në Kuvend sot duhet të vazhdojnë debatet për seancën e 88-të, ku mes pikave tjera, në rend të ditës janë edhe ligjet e lidhura me masat për ballafaqim me pasojat nga kriza energjetike dhe ligjet për shoqata dhe fondacione dhe partitë politike.
Në rend të ditës së seancës plenare është edhe Propozim-ligji për përkrahje financiare të kategorive të ndjeshme sociale për ballafaqim me krizën energjetike, me procedurë të shkurtuar, si dhe Propozim-vendimi për risistemimin e mjeteve mes shfrytëzuesve të buxhetit të pushtetit qendror dhe mes fondeve.
Mes pikave në rend të ditës janë edhe Propozim-ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për efikasitet energjetik, të Ligjit për energjetikë, të Ligjit për rezerva të obligueshme të naftës, me procedurë të shkurtuar. Këtu janë edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për mbrojtje sociale, të ligjit pët mbrojtje të fëmijëve, me procedurë të shkurtuar, Propozim-ligjet për ndryshimin e ligjit për ndërmarrje publike, si dhe të Ligjit për punësim dhe sigurim, në rast të papunësimit.