Me tingujt e kambanave dhe një minutë heshtje filloi ceremonia me rastin e 21-vjetorit të sulmeve në Nju-Jork, ku ishin shkatërruar kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore pasi aeroplanët e kidnapuar u rrëzuan mbi to më 11 shtator të vitit 2001.
Familjarët e viktimave dhe zyrtarët u grumbulluan edhe në vende të tjera ku aeroplanët e kidnapuar u rrëzuan më 11 shtator, gjegjësisht në Pentagon dhe një fushë në Pensilvani.
Nënpresidentja e SHBA-së, Kamalla Haris dhe bashkëshorti i saj, Dag Emhof, iu bashkëngjitën ceremonisë para Përmendores Kombëtare të 11 shtatorit në Nju-Jork, por tradicionalisht, asnjë personalitet politik nuk do të flasë në ceremoninë e pikës zero.
Presidenti amerikan, Xho Bajden e shënoi 21-vjetorin e sulmeve në ceremoninë zyrtare në Pentagon, me çka vendosi kurora me lule.
Ceremonia e sotme u mbajt pak më shumë se një vit pasi Bajdeni i dha fund luftës së gjatë dhe të shtrenjtë në Afganistan, të cilën SHBA-ja dhe aleatët e saj e nisën si përgjigje të sulmeve terroriste. Bajdeni theksoi se edhe pasi SHBA-ja u largua nga Afganistani, administrata e tij vazhdoi të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit. Muajin e kaluar ai njoftoi se SHBA-ja në një operacion të fshehtë kishte vrarë Ajman al Zavahairin, udhëheqësin e Al-Kaidës që ndihmoi në planifikimin e sulmeve.
“Asnjëherë nuk do të harrojmë, asnjëherë nuk do të dorëzohemi”, tha Bajdeni. “Vendosmëria jonë që të parandalojmë sulm të ri ndaj SHBA-së është e palëkundshme”, shtoi ai.
Presidentit iu bashkëngjitën edhe anëtarët e familjeve të viktimave, shërbimet urgjente të cilat ishin në Pentagon në ditën e sulmit dhe udhëheqësia e Ministrisë amerikane të Mbrojtjes. “Ne ju kemi borxh të jashtëzakonshëm”, tha Bajdeni.