Monday, February 6, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Oda e zejtarëve Shkup e shënoi 90-vjetorin nga themelimi

Shkup, 21 dhjetor – Oda e zejtarëve Shkup sot e ka shënuar jubileun – 90 vjetorin nga themelimi. Është themeluar më 24 dhjetor të vitit 1932, kur disa zejtarë nga Qyteti i Shkupit kanë arritur të bashkohen. Përmes formave të ndryshme të organizimit tashmë 90 vite u ndihmon zejtarisë dhe zejtarëve. Nga viti 1985 ka edhe hapësira në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Në manifestimin morën pjesë ministrat e Ekonomisë dhe Arsimit dhe Shkencës, Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri, kryetari i Odës së Zejtarëve, Goran Ristovski, drejtoresha e Drejtorisë për të ardhura publike, Sanja Llukarvska, e tjerë.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi me këtë rast tha se 90-vjetori tregon qartë se sa gjatë dhe me përpikëri kujdeset Oda për mbijetesën dhe funksionimin e zejtarisë në Maqedoninë e Veriut.

“Odat e zejtarëve janë hallkë e rëndësishme në gjithë eko-sistemin, e veçanërisht është i rëndësishëm roli i tyre për afirmimin dhe promovimin e zejtarisë, zhvillimin e ardhshëm të zejeve dhe avancimin e kësaj veprimtarie. Ministria e Ekonomisë e mbështet në vazhdimësi zejtarinë, e këtë e dëshmojmë edhe me mënyrën e udhëheqjes së politikave dhe zbatimit të masave që ishin parashikuar për këtë vit. Ministria e Ekonomisë, si kompetente për politikat për zejtari, punon në mënyrë të vazhdueshme në krijimin e kushteve për avancimin e zejtarisë dhe mbështetjen e zejtarëve, ndërsa këtë e tregojmë edhe me mënyrën e udhëheqjes së politikave dhe zbatimin e masave për mbështetjen e zejtarisë”, tha Bekteshi.

Sipas ministrit, si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer me odat zejtare, janë arritur rezultate të rëndësishme në vitet e fundit. Sidomos në vitet e kaluara, të cilat shënuan disa sfida, duke filluar nga kriza e Kovid-it e deri te kriza energjetike.

“Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e RMV-së në vazhdimësi në bashkëpunim me odat ka arritur të sigurojë mbështetje për zejtarët duke i përfshirë ata në të gjitha pakot e masave kundër krizës gjatë krizës së kovidit. U realizua ulja e normës së TVSH-së nga 18 në pesë për qind për veprimtari të caktuara zejtare, zejtarët morën qasje në mjetet financiare pa kamatë nga Banka Zhvillimore Maqedonase, ndërsa si përgjigje ndaj krizës energjetike për veprimtari të caktuara zejtare nga industria ushqimore kemi siguruar të drejtën e çmimit preferencial të energjisë elektrike”, tha ministri i Ekonomisë.

Mbështetja për zejtarët dhe odat e zejtarëve është rregullisht pjesë e Programit për sipërmarrësi dhe aftësi konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me ç’rast mjetet financiare për mbështetje shënojnë rritje nga viti në vit, e gjithsesi edhe numri i zejtarëve të mbështetur”.

“Ministria e Ekonomisë edhe për vitin 2023 siguron subvencionim të zejtarëve për furnizimin e pajisjes dhe veglave, me ç’rast është parashikuar vlerë rekorde prej 5.000.000 denarëve” tha ministri dhe shtoi se, Ministria ka siguruar mjete në buxhetin për vitin 2023 për mbështetjen e odave të zejtarëve për implementimin e projekteve që do të jenë në drejtim të forcimit të kapaciteteve të zejtarëve përmes organizimit të trajnimeve për veprimtari individuale zejtare dhe zeje kreative, organizim të forumeve, pjesëmarrje dhe organizim të aktiviteteve (panaireve) promovuese, si dhe trajnime për forcimin e vetëdijes për përfitimet nga legalizimi i biznesit zejtar.

Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri tha se Oda e Zejtarëve është faktor i rëndësishëm në anvancimin e cilësisë së arsimit në vend.

“Oda e Zejtarëve në Shkup jo vetëm që merr pjesë në funksionimin por kontribuon edhe në avancimin e cilësisë së sistemit arsimor nacional, në fushën e arsimit profesional dhe trajnimit. Sëbashku ndër vite, Ministria dhe Oda kanë krijuar zgjidhje të shumta ligjore, masa dhe projekte të cilat mundësojnë krijimin e kuadrove profesionale cilësore, e në këtë mënyrë ngritjen e nivelit të punësueshmërisë në vend, si qëllim përfundimtar i të gjitha politikave”, tha Shaqiri.

Ai pret që partneriteti i tyre të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Edukimi në vend nuk është i mundur pa Ju, ndërsa arsimi është çështje e ndryshueshme i cili duhet t’iu përshtatet trendeve, rrjedhave dhe proceseve shoqërore dhe globale dhe këtë mund ta bëjmë vetëm nëse ju dhe ne, së bashku, si më parë, punojmë në interes të qytetarëve dhe gatishmërisë së tyre për përfshirje dhe qasje të suksesshme në tregun e punës”, tha Shaqiri

Ministri i MASH-it u shpreh se Oda është promotore dhe afirmuese e arsimit profesional, bën përpjekje që sa më shumë të rinjë të fillojnë të merren me zeje dhe kjo është me rëndësi të veçantë në një periudhë kur vendi po përballet me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe atë profesionale.

“Zejtaria jo vetëm që është një nga shtytësit e ekonomisë dhe zhvillimit të shoqërisë, por është edhe një kujtim i historisë, traditës dhe kulturës së një kombi. Ndërsa Ju si odë e zejtarëve e mbroni dhe е zhvilloni pikërisht atë”, potenocoi ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss