Thursday, August 11, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Ofensiva ruse për të kapur Odesën, kryeministrja e Moldavisë e shqetësuar

Pushtimi rus në Ukrainë duket se ka rritur frikën në Moldavi për një fat të ngjashëm.

Pavarësisht se BE po tenton që ta afrojë republikën ish-sovjetike në gjirin e saj duke i dhënë edhe statusin e vendit kandidat për në BE, kryeministrja e Moldavisë në një konferencë urgjente për mediat ka thënë se është shumë e shqetësuar.

Ajo është shprehur se gjasat që Rusia të pushtojë vendin e saj pas Ukrainës janë të larta, ndërsa paralajmëroi se asnjë vend nuk është i sigurt nga Vladimir Putin. Paralajmërimi i Natalia Gavrilita erdhi pasi forcat e Moskës arritën të shtrihen gjerë në jug dhe lindje të Ukrainës, afër kufirit Moldavi-Ukrainë në muajt e fundit.

Analistët besojnë se Kremlini po përpiqet të krijojë një urë tokësore midis territorit të pushtuar nga Rusia në Ukrainën lindore dhe Transnistria (një rajon i panjohur separatist i mbështetur nga Rusia) në mënyrë që të shkëputë Ukrainën nga Deti i Zi.

Transnistria kontrollon një rrip të ngushtë toke që gjendet kryesisht midis lumit Dniester dhe kufirit Moldavi-Ukrainë. Ajo shpalli pavarësinë nga Moldavia pas një konflikti të shkurtër ushtarak në 1992, por ndërkombëtarisht ende njihet si pjesë e vendit të Evropës Lindore.

“Për momentin është një skenar hipotetik, por nëse veprimet ushtarake lëvizin më tej në pjesën jugperëndimore të Ukrainës dhe drejt Odesës, atëherë sigurisht që ne jemi shumë të shqetësuar”, tha Gavrilita për CNN të dielën.

“Ne jemi shumë të shqetësuar, veçanërisht duke pasur parasysh që trupat janë në territorin e rajonit secesionist të Transnistrisë. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të siguruar që luftimet të mos përshkallëzohen”, shtoi ajo.

Me vetëm 2.5 milionë banorë, Moldavia është një komb i vogël, veçanërisht kur krahasohet me Ukrainën fqinje, e cila kishte një popullsi prej mbi 40 milionë banorësh përpara se të fillonte pushtimi i Putinit më 24 shkurt.

Përmasat dhe popullsia e madhe e Ukrainës i kanë mundësuar asaj të bëjë një rezistencë të ashpër kundër pushtuesve rusë, duke habitur shumë njerëz , jo më pak Kremlinin, që priste që forcat e tij të kapnin Kievin brenda pak ditësh.

Një vend si Moldavia, i cili është kushtetuesisht neutral dhe për këtë arsye jo anëtar i NATO-s, do ta kishte shumë më të vështirë të mbrohej. Moldavia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1991 kur u nda nga blloku komunist në shpërbërje. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ajo ka strehuar rreth gjysmë milioni refugjatë ukrainas.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.