Shkup, 8 nëntor – Konteksti i përgjithshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit nën prizmin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim si dhe detyrimet e përbashkëta që dalin prej saj, kanë qenë temë e takimit në Sofje mes ministrit për Punë të Jashtme, Bujar Osmani me kolegun e tij bullgar, Nikollaj Millkov.
Siç informojnë nga MPJ, në takim janë dakorduar mekanizma konkret për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në të dyja vendet, me ç’rast të dy ministrat u pajtuan se nuk duhet të lejohet që provokimet e shumta nga grupe dhe individë në të dyja vendet të prishin procesin e forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Dua të besoj se së bashku me kolegun, Millkov do të bëjmë gjithçka që të mos lejojmë të tjerët ta udhëheqin politikën tonë të jashtme, të tjerët t’i diktojnë marrëdhëniet bilaterale, por ne të dy, bashkë me diplomatët e ministrive tona, në frymën e vlerave evropiane, do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhme evropiane për të gjithë qytetarët tanë. Nuk duhet harruar se jemi aleatë aktual në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha miq dhe fqinjë të mirë dhe pres që bashkëpunimi ynë të zhvillohet në përputhje me këto rrethana”, tha Osmani.
Në kuadër të takimit u soll edhe vendimi që në muajin dhjetor të mbahet Forumi i ardhshëm i biznesit mes dy vendeve, në të cilin do të shqyrtohen mënyrat për të trajtuar bashkërisht çështjet më aktuale, siç janë: sfidat energjetike, si dhe bashkëpunimi në bujqësi, shëndetësi dhe valorizimi i përfitimeve të bashkëpunimit ndërkufitar.
“Për dinamikën e bashkëpunimit të ndërsjellë flet edhe rritja e shkëmbimit tregtar, e cila për tetë muajt e parë të këtij viti arrin në mbi 710 milionë euro, që është një rritje prej saktësisht 52 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe e vendos Bullgarinë në vendin e pestë në listën e vendeve me të cilat kemi shkëmbimin më të madh tregtar”, theksoi Osmani para gazetarëve dhe shtoi se pret që me këtë trend deri në fund të vitit shkëmbimi tregtar të kalojë një miliard euro.
Në takim mes tjerash u bë shqyrtim i aktiviteteve të deritanishme në lidhje me hapjen e kalimit kufitar Klepalo, si dhe i bashkëpunimit në planin e kulturës, duke inkurajuar qartë intensifikimin e bashkëpunimit kulturor, i cili përmes vlerave të tij universale duhet të veprojë në drejtim të afrimit dhe ndërtimit të miqësisë mes qytetarëve të të dyja vendeve.