Shkup, 14 shtator – Ndryshimet klimatike, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, sigurimi i ushqimit, si dhe menaxhimi i rrezikut nga fatkeqësitë – ishin temat kryesore në fjalimin e ministrit dhe kryetarit aktual të OSBE-së, Bujar Osmani, i cili sot në Pragë hapi Forumin e dimensionit ekonomik dhe ekologjik të OSBE-së.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, ky Forum organizohet në kuadër të Kryesimit të OSBE-së në vitin 2023 dhe mbahet sot dhe nesër me temën “Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e OSBE-së duke arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike rezistente dhe gjithëpërfshirëse”. Ngjarja paraqet, siç tha Osmani, një mundësi për zgjidhje të mundshme për disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, duke mbuluar të gjitha prioritetet kyçe të kryesimit që janë qendrore për mandatin e Organizatës në dimensionin e saj të dytë.
Osmani në fjalën e tij, duke folur për ndryshimet klimatike, tha se duhet të merren masa të përbashkëta urgjente për zbutjen e pasojave të përhapura, duke përmendur përmbytjet e tmerrshme në Bullgari, Greqi, Turqi, Slloveni, Austri dhe vende të tjera; pastaj zjarret në pyje në SHBA, Kanada dhe disa vende evropiane dhe aziatike, por edhe tërmetet shkatërruese në Turqi dhe rrethinën e saj, si dhe i fundit në Maroko. Të gjitha këto janë përkujtues të tmerrshëm të urgjencës së përpjekjeve të koordinuara dhe veprimeve të përbashkëta të frytshme në favor të sigurisë mjedisore”, tha Osmani.

Ai rikujtoi gjithashtu se si kryesues i OSBE-së, caktoi edhe një përfaqësues special për ndryshimet klimatike me qëllim të rritjes së mëtejshme të ndërgjegjësimit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mundshme për të zbutur këto sfida urgjente.
“Ndryshimet klimatike janë sfida më urgjente e sotmes dhe e të nesërmes. Megjithatë, ka edhe shumë sfida të tjera afatgjate që vazhdojnë të na mundojnë”, tha Osmani. Ai shtoi se në të njëjtën kohë, globalizimi dhe ndërvarësia ekonomike kanë ndryshuar përgjithmonë shoqëritë tona dhe krizat e mëdha në vitet e fundit kanë treguar se sa të cenueshëm mund të jenë zinxhirët tanë të furnizimit dhe të ndikojnë në sigurinë. Ndër të tjera, kjo vlen edhe për sigurinë ushqimore, duke pasur parasysh se njerëzit në mbarë botën vuajnë më së shumti për shkak të rritjes së çmimeve dhe pengimit të aksesit në drithërat nga i cili varen aq shumë.
“Vendet pjesëmarrëse të OSBE-së u angazhuan për lehtësimin e tregtisë dhe transportit si një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të tyre ekonomik. Në rajonin tonë, “Agjenda e lidhjes” e Ballkanit Perëndimor, e përforcuar nga BE-ja, është një shembull i vlefshëm i bashkëpunimit ndërmjet OSBE- BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë ka rezultuar në zgjerimin e rrjetit transevropian dhe nisja e nismave rajonale. Andaj, dialogu i mëtutjeshëm është i një rëndësie vendimtare për stimulimin e rritjes ekonomike të vendeve të OSBE-së dhe njëkohësisht për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë”, tha Osmani.
Në hapje të Forumit, Osmani foli edhe për korrupsionin, si sëmundje e përsëritur në rajonin e OSBE-së. Prandaj, ai bëri thirrje për vendosmëri të qartë, përpjekje të koordinuara dhe vullnet politik për t’u përballur me pasojat e saj negative. Në këtë kontekst, ai paralajmëroi edhe konferencën rajonale për luftë kundër korrupsionit të organizuar nga kryesimi i cila do të mbahet në fund të tetorit.
“OSBE-ja ka një mandat të fortë në këtë fushë tematike dhe ne do të vazhdojmë t’i fokusojmë përpjekjet tona të përbashkëta në inkurajimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë në fushën publike dhe private”, tha Osmani.
Ai e përfundoi fjalimin e tij me një thirrje drejtuar vendeve pjesëmarrëse në OSBE për veprim të përbashkët dhe vendosmëri në ofrimin e zgjidhjeve të përbashkëta për njerëzit dhe të ardhmen e tyre.
“Kemi një rrugë të paparashikueshme dhe të pasigurt përpara, por edhe rruga më e gjatë nuk duhet të na dekurajojë që të gjejmë zgjidhje dhe rrugë më të mira për ne dhe për brezat e ardhshëm. Si organizatë dhe shtete pjesëmarrëse, ne duhet të sigurojmë qëndrueshmërinë, vizionin dhe mjetet për të përballuar këto dhe sfida të tjera urgjente. Kjo është detyra jonë. Për këtë është themeluar OSBE-ja dhe për këtë unë si kryesues do të vazhdoj të punoj”, ka përfunduar Osmani.