Saturday, June 25, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Përmes borxhit, ndërprerjeve të investimeve kapitale, apo në forma tjera do të sigurohen mjetet për rritjen e pagave?

Shkup, 1 qershor – Rritja e pagave minimale prej 2800 denarë ishte një rritje që shkaktoi më shumë pakënaqësi pasi gjithë sindikatat tjera kërkonin harmonizim të pagave. E fundit ishte Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë që shkoi në grevë për tre javë me të vetmen kërkesë rritjen e pagave. Pas shumë takimeve e negociatave me ministrin e Arsimit nuk arrinin të gjenin një marrëveshje të pranueshme për të dy palët. Negociatat vazhdonin por edhe humbja e mësimit për nxënësit vazhdonte, prandaj më në fund u arrit një kompromis duke bërë rritjen më të madhe të pagave deri më tani prej 15% për mësimdhënësit në kopshte, shkollave fillore, dhe atyre të mesme. Një rritje e tillë e pagave ka qenë e nevojshme, madje është dashur edhe më shumë se kaq, por ajo që nuk dihet është se nga do të sigurohem këto mjete?, shkruan Zhurnal.

Rritje prej 15% të pagave në arsim nga shtatori këtij viti, janë dakorduar SASHK-u dhe Ministria e Arsimit. Greva e mësimdhënësve dhe punonjësve nëpër çerdhe nisi më 11 Prill, me kërkesë për harmonizimin e pagave me rrogën minimale. Qeveria ofroi rritje fillimisht prej 10% e më pas me 12% por kjo nuk u pranua nga SASHK-u. Më 26 Prill u pezullua greva nëpër çerdhe, kurse më 28 Prill edhe në arsim, pasi SASHK-u u njoftua nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale se Ministria e Arsimit kërkon zgjidhjen e kontestit përmes ndërmjetësimit.

Ndryshe, kjo rritje konsiderohet si rritje historike e pagave sidomos në kohë krize, por sa i përket rebalancit të buxhetit për vitin 2022 ende nuk dihet se nga ku do të merren këto mjete për ët realizuar këtë rritje, do të përjashtohet nga puna administratorë, shteti do të marrë hua, apo do të ndërpriten disa projekte kapitale që janë paraparë?

Nga Ministria e Financave është bërë publik propozimi për rishikimin e Buxhetit për vitin 2022, pas miratimit të tij nga Qeveria. Sipas zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe efektit të tyre në ekonominë globale, ristrukturimi i buxhetit kishte për qellim adaptimin e projeksioneve me kontekstin e ri makroekonomik, parashikimin e mjeteve si reagim ndaj krizës, optimizimin e burimeve të financimit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 janë planifikuar në vlerë prej 245.8 miliardë denarë (4 miliardë euro) dhe janë për rreth 6.9 miliardë denarë (112.2 milionë euro) më të larta se projeksionet fillestare të Buxhetit.

Në bazë të të hyrave dhe shpenzimeve të tilla të planifikuara, deficiti është planifikuar në nivel prej 42.7 miliardë denarë (694.3 milionë euro), resprektivisht 5.3% të PBB-së, që është për 9.1 miliardë denarë (148 milionë euro) më shumë në krahasim me buxhetin fillestar.

Sa i përket pagave dhe kompensime, kanë planifikuar 32.3 miliardë denarë (526.1 milionë euro) ose 554.7 milionë denarë më shumë se buxheti fillestar për harmonizimin e pagave të të punësuarve tek shfrytëzuesit e buxhetit me pagë minimale dhe rritjen e planifikuar të pagave në gjyqësor dhe polici.

Këtu, duhet theksuar se në këtë vlerë përfshihen edhe efektet e kontrollit të punësimeve të reja dhe optimizimit të administratës publike, përkatësisht numri i administratës shtetërore tek shfrytëzuesit e buxhetit është ulur për 500 të punësuar krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2021 kur administrata kishte 87.000 të punësuar.

Transfertat rrjedhëse janë planifikuar në nivel prej 189.7 miliardë denarë ose rreth 19 miliardë denarë më të larta se plani për vitin 2022 dhe i referohen mjeteve të nevojshme për realizimin e masave ekonomike për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë. Janë paraparë 4.7 miliardë denarë (76.4 milionë euro) për rezervë (bafer), të cilat do të shfrytëzohen për përkrahjen e targetuar për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushte të vazhdimit të krizës në tregun botëror të emergjencave dhe produkteve primare.

Rritje rrjedhëse për vetëqeverisjen lokale, që vjen si rezultat i rritjes së bllok garantëve, të cilat i referohen rritjes së pagës prej 15% për kopshtet e fëmijëve, shkollat ​​fillore dhe të mesme nga muaji shtator i këtij viti.

Afër 44 mijë të punësuarve në çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme u janë rritur pagat. Nga Qeveria nuk kanë zbardhë ende se sa para saktësisht do të ndahen nga arka e shtetit për rritjen prej 15 për qind të pagave. Por, vetëm nga rishikimi i buxhetit nga Ministria e Financave e kanë paraparë se do të sigurojnë mjete të mjaftueshme për gjitha pagat që janë rritur. Flitet vetëm për uljen e numrit të punësuarve në Administratë Publike që me automatizëm janë shfrytëzues të buxhetit të shtetit, këtë vit kemi 500 të punësuar më pak.

Këtu shihet një burim që është shtuar në buxhet, mirëpo nuk dihet nëse për përmbushjen e buxhetit për t’i realizuar rritjet e pagave nëse do të ndërpriten disa nga investimet kapitale, sidomos atyre të infrastrukturës që janë të një rëndësie të veçantë, e projekte strategjike.

Për t’u përballur me krizën, Ministria e Financave ka paralajmëruar marrjen e mbi 900 milionë eurove borxh, një pjesë përmes shitjes së eurobondit dhe tjetrën nga bankat e huaja.

Borxhi publik përfshirë datën 31.3.2022 ishte 57.1%, por sipas Strategjisë së rishikuar të menaxhimit të borxhit publik, pritet që borxhi në fund të vitit të arrijë në 63.5% të PBB-së. Në periudhën afatmesme, përkatësisht deri në vitin 2026, projeksionet në Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik janë që ai do të stabilizohet dhe do të zvogëlohet në 56.5%, ndërsa borxhi shtetëror do të zvogëlohet në 50%.

Kujtojmë se, prej sot nuk vlejnë më një pjesë e masave antikrizë, të cilat Qeveria i ka vendosur në mars me qëllim të zbutjes së pasojave nga kriza energjetike dhe mbrojtja e standardit të qytetarëve. Produktet bazike ushqimore më nuk do të shiten me zero për qind TVSH, ndërsa nga sot kthehet edhe TVSH-ja për karburantet në 18 për qind. Kjo ka shkaktuar rritje enorme të çmimeve të produkteve ushqimore bazë si dhe karburanteve, me çka vendi dhe qytetarët thellohen në krizë të shumëfish. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.