Thursday, May 26, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Përdhunimi si mjet lufte, ekspozitë në Nju Jork me foto nga Kosova

Në qytetin e Nju Jorkut, u hap të martën ekspozita me titull “Një grua duke qarë: Gratë dhe Lufta”, e fotoreporteres së njohur Marissa Roth, që trajton temën e dhunës dhe përdhunimit si mjete lufte. Një pjesë të madhe të fotografive të ekspozuara, gazetarja amerikane i realizoi në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, fituesja e çmimit Pulitzer flet mbi vështirësitë dhe misionin e projektit të saj. Të pranishme në hapjen e ekspozitës ishin edhe të mbijetuarat e luftës në Kosovë, Vasfije Kransiqi-Goodman dhe Besarta Jashari. Siç njofton kolegu Burim Goxhuli nga Nju Jorku, ato folën mbi domosdoshmërinë e vënies para drejtësisë të autorëve të krimeve ndaj tyre.

Për 38 vite, fotoreporterja amerikane, fituese e çmimit Pulitzer, Marissa Roth, realizoi në mbarë botën fotografi me gra që u mbijetuan krimeve të luftës, përmes së cilave solli historitë rrëqethëse të këtyre grave.

Një pjesë e fotografive të saj u shfaqën në ndërtesën e Rusveltit në Nju Jork, në kuadër të një ekspozite të realizuar nga Muzeu i Tolerancës i qendrës “Simon Wiesenthal” dhe nga organizata “Rally for her justice”.

Shumë prej fotografive në ekspozitën e titulluar “Një grua duke qarë: Gratë dhe Lufta” janë realizuar në Kosovë.

“Kam parë gjëra që do të doja të mos i shihja kurrë, por nuk mund t’i fshij nga kujtesa. Mundohem që të përfshihem me zemër dhe pastaj të tregoj e ritregoj këto histori. Ato më pikëllojnë por ndjej se përmes këtyre historive mund t’i tregoj botës atë që ka ndodhur. Kjo është mënyra ime për të treguar se sa të forta dhe të guximshme janë këto gra. Them se jam aktiviste e paqes dhe se kjo është mënyra ime e të thënit se mjaft është mjaft”, thotë zonja Roth për Zërin e Amerikës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 qershor.

Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt edhe një panel diskutimi ku mori pjesë aktivistja dhe e mbijetuara e përdhunimit gjatë luftës së viteve 98-99 në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman.

Ajo tha se lufta në Ukrainë është tregues i qartë se historia mund të përsëritet, nëse nuk merren masat e nevojshme për të parandaluar këto krime.

“Kam luftuar për drejtësi nga viti 1999 dhe kurrë nuk gjeta drejtësi për rastin tim. Por nuk do të ndalem së luftuari derisa ta arrij qëllimin. Është koha që Serbinë ta mbajmë përgjegjëse për të gjitha krimet e kryera. Por vendet demokratike po lejojnë Serbinë ta luajë rolin e viktimës, në vend të agresorit të luftës”, tha zonja Krasniqi-Goodman.

Në kërkim të drejtësisë është edhe Besarta Jashari, e mbijetuara e vetme në sulmin e 5-6 dhe 7 marsit në Prekaz, ku humbën jetën 22 anëtarë të familjes së saj.

“Jam shumë e emocionuar dhe po më rikthehen përjetimet e atyre tre ditëve, më 5-6 dhe 7 mars. Mirëpo njëkohësisht jam shumë krenare që pas gjithë këtyre viteve dikush diskuton për Kosovën dhe besoj se shumë shpejt ata që kanë kryer këto krime në vendin tonë do të dënohen dhe do të mbahen përgjegjës”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe ish-ligjvënësi amerikan Eliot Engel.

Ai tha se është e frikshme që përgjegjësit për këto krime ende nuk janë vënë para drejtësisë, ndërsa sot Evropa po përjeton sërish atë që ndodhi në Kosovë vite më parë.

“Është një situatë makthi. Bota po e sheh dhe po e shpreh zemërimin, por vitet kalojnë dhe asgjë nuk ndodhë. Njerëzit që kanë vrarë dhe u kanë shkaktuar gjëra të tmerrshme grave në luftërat e Ballkanit ende nuk janë gjykuar. Është shumë zemëruese. Prandaj mendoj se duhet të bëjmë një analogji mes asaj që po ndodhë në Ukrainë dhe ngjarjeve në Kosovë”, tha zoti Engel për Zërin e Amerikës.

Drejtorja e “Muzeut të Tolerancës”, Liebe Geft, tha se ndëshkimi i këtyre krimeve do të ishte më i lehtë nëse qeveritë kanë vullnet politik dhe guxim.

“Sanksionet, masat ekonomike, embargo e armëve, ndalesa të udhëtimeve. Të gjitha këto së bashku mund të shfrytëzohen si mjete për të ndryshuar llogaritë e palëve në një konflikt, që veprojnë duke menduar se jo vetëm që nuk ndëshkohen por se mund edhe të përfitojnë”, thotë ajo.

Sipas vlerësimeve, gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 10 mijë shqiptarë, dhe ende po kërkohet për trupat e rreth 1 600 prej tyre.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut rreth 20 mijë gra e vajza janë përdhunuar dhe mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. /VOA / KultPlus.com

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.