Kumanovë, 13 Korrik – Pas aksidentit të fundit në hekurudhën pranë fshatit Rramanli, kur lokomotiva përplasi një veturë, duke lënduar dy vëllezër, përfaqësuesit e fshatit u takuan me përfaqësuesit e komunës së Kumanovës dhe të hekurudhave, për të kërkuar një herë e mirë zgjidhjen e problemit.
Nga hekurudhat shprehën gatishmëri për ngritjen e nivelit të sigurisë në pikëkalimet hekurudhore, e banorët thanë se tërheqjen nga protestat e paralajmëruara, për t’i dhënë hapësirë bisedave.
“Banorët paraqitën kërkesat e tyre konkrete, drejtori i hekurudhave paralajmëroi se do të marrin për obligim të investojnë në rrjetin ekzistues të komunikacionit aty, në përputhje me dinamikën e tyre për investime, në funksion të ngritjes së nivelit të sigurisë, edhe atë në të tria pikat e kalimit hekurudhor në këtë fshat dhe eventualisht t’i zëvendësojnë shenjat sinjalizuese si dhe të vendoset trahu në pikëkalimin kryesor.”,- deklaroi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“Duke e pasur parasysh pjesëmarrjen e faktorëve nga të cilët kërkojmë zgjidhje për këtë problem, na jep shpresë se ky problem do të merr kahje ka zgjidhja definitive e këtij problemi që ne si fshat e kemi. Prej protestave, duke llogaritur se nuk kemi dobi shumë të madhe andaj konstatuam dhe po u japim mundësi bisedave, takimeve të ndryshme në nivele të ndryshme që të gjejmë zgjidhje optimale për këtë problem.”,- tha për TVM2 kryetari i Bashkësisë Lokale – Rramanli, Taxhedin Esati.
Në këto pikëkalime hekurudhore në fshatin Rramanli ndër vite kanë ndodhur aksidente të shumta me fatalitet, kurse i fundit ishte para gjashtë muajsh kur një qytetar humbi jetën.