Shkup, 10 gusht – Pjesëtarët e Armatës mëngjesin e sotëm janë nisur për në Slloveni ku duhet të ndihmojnë në riparimin e pasojave nga moti i ligë që përfshiu këtë vend.
Konform vendimit të Qeverisë, në Slloveni dërgohen 100 pjesëtarë të Armatës të cilët do të ndihmojnë në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia. Ndihma është kërkuar nga Sllovenia përmes mekanizmit të NATO-s EADRCC.
Pjesëtarët e Armatës do të qëndrojnë në Slloveni plotë tridhjetë ditë ku do të marrin pjesë në operacionin humanitar për riparimin e dëmeve nga stuhia.
“Republika e Maqedonisë së Veriut, si edhe më parë, vazhdon të vihet në dispozicion dhe pjesëmarrje solidare në misione dhe aksione të ndryshme humanitare në zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë që u publikua pas seancës qeveritare.