Shkup, 30 qershor – Në draft-ligjin për librat e gjendjes civile që është dorëzuar në Kuvend nga një grup deputetësh, parashikohet që personat të mund ta ndryshojnë gjininë varësisht ndjesive të tyre. Por, pas reagimit të Kishës Ortodokse Maqedonase, LSDM si parti në pushtet, ka vendosur ta tërheqë nga procedura ligjin për evidencën amë, por jo edhe nga synimi për miratimin e tij. Të qenurit kundër këtij draft-ligji nënkupton që je pro vlerave familjare. Pavarësisht akuzave për diskriminim të komuniteteve të caktuara në vend, sërish familja si baza e shoqërisë duhet të ruhet në mënyrë konservatore. Kundër askujt, pro gjërave që janë pozitive e jo të heshtur përballë gjërave degraduese për shoqërinë. Maqedonia e Veriut është vend i vogël dhe agjenda të caktuara kur ndërhyn lehtë japin efektin e tyre, prandaj edhe të zgjedhurit në Kuvend, edhe të emëruarit në Qeveri duhet të jenë vigjilent e sy hapur që të mos bien pre e agjendave të caktuara që në fokus kanë degradimin e shoqërisë. Martesat mes gjinive të kundërta janë produktive dhe shpresë për ardhmëri të shëndoshë. Në Maqedoninë e Veriut më shumë po vërehen përpjekje për ndryshim të gjinisë se sa dikur për qytetarë shqiptarë që të fitojnë shtetësi. Kundër askujt, pro një të ardhme të shëndoshë për të gjithë shoqërinë, shkruan Zhurnal.
Kisha ortodokse e vetmja që kundërshton ligjin për ndryshim të gjinisë –
Kisha Ortodokse në Maqedoninë e Veriut e ka kundërshtuar synimin e Qeverisë për ndryshimin e ligjeve për barazi gjinore dhe të librit të gjendjes civile, pasi sipas Kishës, përmbajtjet e tyre janë në kundërshtim me “vlerat familjare” dhe përkufizimin e gjinisë biologjike. Kisha Ortodokse kundërshton në veçanti pikën 3 të nenit 4 të draft-ligjit për barazi gjinore, i cili ende nuk është dorëzuar për miratim në Qeveri e në të cilin thuhet: Neni 4, pika 3: “Identiteti gjinor” i referohet ndjenjës së brendshme dhe individuale që secili person ndjen thellë në veten e tij të shpreh ndryshe gjininë e tij duke përfshirë emrin, veshjen, fjalimin, sjelljet dhe gjininë.
Drejtuesit e Kishës thanë se “ndryshimet mund të plotësojnë kërkesat e një grupi të caktuar, por në anën tjetër shkelin të drejtat e 99 për qind të qytetarëve”.
“Do të protestojmë kundër kontekstit të ri që i jepet konceptit të gjinisë dhe keqpërdorimit të saj në projektligjin e librit të gjendjes civile që parashikon ndryshimin e emërtimit gjinor. Me sa duket askush nuk dëshiron të dëgjojë popullin dhe ne, përveç protestës, nuk kemi rrugë tjetër për të rezistuar. Prandaj, bëjmë thirrje që ta ruajmë traditën. Nuk ka rrugë tjetër veçse të mblidhemi dhe t’u themi një JO të madhe këtyre ligjeve shkatërruese për shoqërinë tonë”, ka deklaruar peshkopi Jakov Stobiski, për REL.
E ndaj reagimeve të Kishës Ortodokse nuk ka qëndruar e heshtur Qeveria –
Pas reagimit të Kishës Ortodokse Maqedonase, partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate, ka vendosur ta tërheqë nga procedura ligjin për evidencën amë, por jo edhe nga synimi për miratimin e tij.
“Ligji për barazinë gjinore ende nuk ka kaluar procedurën qeveritare, ndërsa tjetri është tërhequr nga procedura e Kuvendit. Mendojmë se duhet të ketë një debat të gjerë me përfshirjen e të gjitha palëve dhe në fund të arrijmë qëllimet si shoqëri. Vetëm pasi të mbyllet debati gjithëpërfshirës, atëherë propozimet do të dërgohen për miratim në Kuvend”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Nga Qeveria kanë thënë se ndryshimet në këto ligje synohen të miratohen me qëllim harmonizimin e legjislaturës vendase me atë të Bashkimit Evropian.
Në Maqedoninë më shumë përpjekje për të ndryshuar gjininë sesa për fitimin e shtetësisë –
Maqedonia e Veriut si vend që thirret në vlera evropiane deri dje ka lënë me mijëra qytetarë pa shtetësi duke qenë të huaj në vendin e tyre të lindjes, duke mos pasur të drejtë të shfrytëzojnë shërbimet publike. Dhe, pas një iniciative nga partitë opozitare vitet e fundit kanë filluar të pajisen me shtetësi gjëja më elementare dhe bazike për secilin qytetarë.
Por, këtu është bë fjalë për qytetarë shqiptarë pa shtetësi prandaj edhe nuk ka pasur presione e kërkesa të vazhdueshme, dhe mos pajisja e qytetarëve me shtetësi nuk e ka bërë atë kohë Maqedoninë e Veriut shtet më pak evropian, por tani kur bëhet fjalë për ndryshim të gjinisë të gjithë gojën plotë e sytë ka Evropa e vlerat evropiane.
Diskriminimi në asnjë mënyrë nuk mbulohet me diskriminim, shqiptarët më së miri e kuptojnë çfarë do të thotë të jesh i diskriminuar, prandaj në asnjë formë e rrethanë shqiptarët në veçanti nuk janë pro diskriminimit e nuk do të lejojnë të diskriminohet askush.
Mirëpo, kur bëhet fjalë për sjelljen e ligjeve të tilla këto shihen si tentime për legalizim të degradimit shoqëror. Ku fenomenet e dëmshme të shoqërisë fillojnë të normalizohen kjo është tragjike dhe shumë e rrezikshme për të ardhmen e secilit vend. Prandaj, mirë që ka reaguar Kisha Ortodokse, disa qytetarë, dhe Alternativa si parti politike shqiptare opozitare kundër këtij draft-ligji që nuk i shërben aspak askujt. Kundër askujt, vetëm pro një të ardhme të shëndoshë për shoqërinë në tërësi. /Zhurnal.mk