Furnizimi me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujërave të ndotura urbane, mund të jepen me koncesion, dhe kontrata miratohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në një projektligj të hedhur në konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ‘Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane’, janë listuar 3 alternativa për të përmirësuar gjendjen e këtij sektori, ku një prej tyre është edhe mundësia e dhënies me koncesion.
Në nenet 24, 25 dhe 26 të projektligjit, janë sqaruar alternativat për menaxhimin e sektorit. E para është kontrata e performancës që lidhet ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe autoriteteve të qeverisjes qendrore të cilat përcaktojnë treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët.
Opsioni i dytë është dhënia me koncesion e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane pas një studimi fizibiliteti që e bëjnë bashkitë.
Dhe së treti është operatori i mundësisë së fundit që duhet të jetë me kapital shtetëror ose privat që licencohet nga ERRU-ja për të ofruar këtë shërbim.
Në relacionin e projektligjit thuhet se nëpërmjet këtij projektligji synohet të rritet performance e sektorit, të rriten financat Ujësjellës Kanalizimeve dhe të përmirësohet cilësia e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
“Miratimi i këtij projektligji është një qasje e re për përmirësimin e performancës së sektorit të ujësjellës kanalizimeve që vuan prej dekadash nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Për shkak të detyrimeve të shumta të sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe performancës negative, prej vitit të kaluar ka nisur reforma e shkrirjes së 46 ujësjellësve në vetëm 15 në të gjithë vendin, ku aksioneri kryesor është Ministria e Infrastrukturës.
Deri në muajin Qershor detyrimet e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj OSHEE për faturat e papaguara të energjisë ishin rreth 28.1 miliardë lekë. Nga të cilat, rreth 15 miliardë lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe rreth 13 miliardë lekë janë detyrime për kamatëvonesa.
Neni 24
Kontrata e performancës
- Ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe autoriteteve të qeverisjes qëndrore lidhen kontrata performance, të cilat përcaktojnë treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët.
- Kontratat e performancës nënshkruhen nga agjencia kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin, grumbullimin dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse.
- Në rastet e SKP-ve të krijuara me pjesëmarrjen edhe të ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, kontrata e performancës nënshkruhet ndërmjet asamblesë së përgjithshme të operatorit dhe administratorit te tij.
- Ministri përgjegjës për infrastrukturën miraton me udhëzim, çdo vit, brenda 9 mujorit kontratën tip të performancës, që do të nënshkruhet në vitin pasardhës ndërmjet palëve, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.
- Objektivat e kontratës së performancës të lidhur sipas këtij neni, reflektohen në planin e biznesit të operatorëve përkatëse.
Neni 25
Marrëveshjet koncesionare dhe partneriteti publik privat
- Dhënia me koncesion, apo me një marrëveshje të partneritit publik privat, e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse.
- Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me koncesion, ose nëpërmjet një marrëveshjeje të partneritetit publik privat, miratohet parimisht nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe nga ERRU-ja, brenda 3 muajve nga paraqitja e tij.
- Vetëm pas marrjes së miratimit, sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e vetëqeverisjes vendore vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.
Neni 26
Operatori i alternativës së fundit
- Operatori i alternativës së fundit është operatori, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të largimit, grumbullimit e trajtimit të ujrave të ndotura urbane për një, ose më shumë zona shërbimi, në rast të mosperformancës nga operatori i licencuar.
- Operatori i alternativës së fundit mund të jetë me kapital shtetëror, ose privat dhe në çdo rast i nënshtrohet licencimit nga ERRU-ja për të ushtruar veprimtarinë në përputhje me kohëzgjatjen e përcaktuar në licencën e lëshuar prej tij.
- Në rastet kur ERRU-ja vendos heqjen e licencës së një ose më shumë operatorëve, sipas dispozitave të këtij ligji, kryerja e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit e trajtimit të ujrave të ndotura urbane në zonën e shërbimit merret përsipër nga operatori i alternativës së fundit.
- Në rastin kur operatori i alternativës së fundit është me kapital shtetëror, ERRU-ja me vendim të veçantë cakton një nga të licencuarit ekzistues me performancën më të mirë, ose krijimin e një operatori me kapital shtetëror, pronë e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, si operatori i alternativës së fundit, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet për një ose më shumë zona shërbimi.
- Krijimi, vlera e kapitalit themeltar dhe statuti i operatorit me kapital shtetëror, që përcaktohet si operatori i alternativës së fundit, sipas pikës 3 të këtij neni, propozohen nga ministri përgjegjës për infrastruktuturën dhe ministri përgjegjës për financën dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Operatori i alternativës së fundit pajiset me licencë nga ERRU-ja sipas dispozitave të këtij ligji për zonën përkatëse të shërbimit.
- Kushtet e shërbimit të përcaktuara sipas pikës 1 marrin parasysh gjendjen aktuale të sistemeve të grumbullimit, prodhimit dhe shpërndarjes e furnizimit me ujë të pijshëm dhe tarifat dhe të ardhurat financiare të operatoreve të miratuara nga ERRU-ja, si dhe mbështetjen financiare që qeveria alokon në sipas programit buxhetor afatmesëm.