Sunday, December 4, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Qytetarët ankohen për kontrata jotransparente nga “shitoret e parave”

Shkup, 30 Tetor – Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut bën të ditur se është në rritje numri i ankesave të qytetarëve ndaj shoqërive private financiare -jo bankare të njohura si “shitore për para” për dhënien e kredive të shpejta, për shkak të rritjes enorme të borxhit bazë si rrjedhojë e mospagesës me kohë të kësteve.

Ankesat e qytetarëve kanë të bëjnë edhe me mungesën e transparencës së kontratave gjatë marrjes së këtyre kredive.

Një nga ta është dhe Moza, identiteti plotë i së cilës është i njohur për redaksinë, e cila thotë se ka pasur një përvojë shumë të hidhur me kredinë e marrë nga një shoqëri private financiare jo bankare.

“Ne u bllokuam diçka nga ana financiare dhe gjatë pagesës së fundit kisha vonesë për një javë. Më erdhi njoftimi, i cili kushtonte 300 denarë ( 5 euro) dhe për një ditë vonesë për pagesën e këstit kam paguar 800 denarë (rreth 14 euro) plus nga kamata dhe borxhi parë. Këtë gabim më nuk do ta bëj kurë”, thotë Moza duke nënvizuar se nga shoqëria financiare nga e cila e ka marrë kredinë nuk ka qenë e njoftuar me kushtet e kredisë.

“Kredia aprovohet shpejt. Por, nuk të bëhen të qarta aspak kushtet e kthimit. Thjesht, nëshkruan kontratë pa pasur mundësi për t’i parë kushtet”, thotë ajo.

Puna e shoqërive private financiare të njohura në opinion si “shitore për para”, të cilat ofrojnë kredi të shpejta, është e rregulluar me Ligjin për marrëdhënie të obligacioneve.

Ky ligj pësoi ndryshime në tetor të vitit 2021 me c’rast përmbaruesit nuk do të mund të përllogaritin kamatë më të lartë se borxhi kryesor në kamatat e dakorduara ndëshkuese.

Por, qytetarët thonë se dhe këtu ka hile, pasi në momentin që ata s’mund t’i shlyejnë kamatat e borxhit që kanë marrë, u propozohet që të nënshkruajnë kontrata të reja në bazë të revidimit të kredive, me një vlerë dyfish më të lartë nga hera e parë.

“Nisa me 7.000 denarë, (120 euro) për kohë të shkurtër, pas vonesës së kësteve, ata u paraqitën për rifinancim të kredisë…. Ata të shantazhojnë me përmbarues nëse nuk dëshiron të rifinancosh kredinë, dhe për herë të dytë më është rritur kredia nga 7.000 në 17.000 denarë, (280 euro) . Me rifinancimin e tretë të kredisë arita në 33.000 denarë (520 euro) dhe tani jam në borxh mbi 70.000 denarë (1 mijë e 200 euro)” tregon për Radon Evropa e Lirë përvojën e saj një qytetare tjetër.

Megjithëse në bazë të Ligjit për shoqëri financiare licencën për themelimin e shoqërive financiare e jep Ministria e Financave.

Institucionet, ku bën pjesë edhe Ministria e Financave, që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e punës së shoqërive private financiare, thonë se këto institucione punojnë në bazë të Ligjit për marrëdhënie të obligacioneve dhe përderisa nuk e shkelin këtë ligj, ato vazhdojnë me veprimtarinë e tyre.

Ndërkaq, nga institucioni i Avokatit të Popullit thonë se për çdo ditë marrin ankesa nga qytetarët për shkak të rritjes enorme të borxhit bazë të kredive të shpejta.

“Numri i qytetarëve që ankohen tani është dyshifror. Qytetarët ankohen se kamata e kredive të marra di të arrijë shumën edhe deri në 50, po edhe në 100 për qind, nga shuma e përgjithshme e mjeteve që kanë marrë si kredi”, ka thënë Jovan Andonovski, Avokati i Popullit.

Ai tregon një nga rastet kur në zyrën e Avokatit të Popullit ka shkuar një qytetar, i cili për 30 mijë euro që ka marrë, kishte thënë se i duhet t’i kthejë 60 mijë euro.

“Sipas meje, kjo është fajde e ligjësuar, ndërkohë që dhënia e parave me fajde është e ndaluar me Kodin Penal. Për fat të keq, ne si institucion nuk kemi kompetencë ndaj subjekteve private, megjithatë Ministria e Financave është ajo që duhet të bëjë mbikëqyrje të rregullt të punës së shoqërive private financiare që ofrojnë kredi të shpejta. Qytetarët ankohen se pësojnë madje edhe kërcënime dhe presione, se po qe se nuk e paguajnë shumën menjëherë, jo vetëm që nuk do t’u ndalet rritja e kamatës, por se do t’u merren pjesë prej pronës private”, thekson Andonovski për Radion Evropa e Lirë.

Avokati i Popullit, si institucion, ka iniciuar dhe iniciativë për kufizimin e kamatës ndëshkuese, por deri më tani nuk ka marrë mbështetje nga asnjë parti politike. Propozimi është në interes edhe të qytetarëve, edhe të sektorit të biznesit, thotë ai duke shpjeguar arsyet:

“Në bazë të informatave që disponojmë, duke iu referuar institucioneve relevante kemi rreth 250 mijë llogari të bllokuara, pjesa më e madhe e të cilave janë të personave fizikë, pra diku 220 mijë, dhe pjesa tjetër e kompanive. Unë nuk them se qytetarët nuk duhet të shlyejnë borxhet pavarësisht se kujt i detyrohen, por jo rrallëherë qytetarët shndërrohen në skllevër të borxhit pasi edhe pse e kanë paguar borxhin bazë, llogaritë bankare u mbeten të bllokuara. Ata me vite nuk arrijnë të shlyejnë borxhin që rritet si rrjedhojë e kamatave që arrijnë aq sa është dhe borxhi bazë”.

Nga ana tjetër, avokatja Nebie Zaimovska, që mbron një klient nga Shkupi, i cili ka borxh nga 7 shoqata private financiare për kredi të shpejta, thotë se kreditë e shpejta jepen pa kritere, përkatësisht pa vlerësuar mundësitë financiare që ka klienti dhe me këtë rrezikohet jetesa e kredimarrësit.

“Marrëveshjet që i pashë, të cilat i kishte nënshkruar klienti im në tri vende,… në kushtet për dhënien e kredisë theksohej se kamata rritet çdo ditë nga 3%. Pala kishte marrë kredi në 7 vende, tërë paga i ka shkuar në kredi të shpejta dhe mbi kokë kishte një grumbull përmbaruesish”, thotë Zimovska.

Të ardhurat e përgjithshme të 30 shoqërive private financiare – jo banka të regjistruara në Maqedoninë e Veriut, të cilat ofrojnë kredi të shpejta gjatë vitit të kaluar, kishin realizuar një fitim neto prej 10.5 milionë eurosh.

Këto mjete shoqëritë private financiare – jo banka i kanë arkëtuar nga kamatat dhe shpenzimet e ndryshme administrative për dhënien e borxhit.

Sipas Regjistrit të Shoqërive Financiare, disa shoqërive private financiare -jo banka të njohura në opinion si “shitore për para”, përveç miratimit të kredisë ofrojnë dhe aktivitete plotësuese financiare, si administrimin e kartës së kreditit dhe dhënie të garancive.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.