Shkup, 13 maj – Pas “vëllazërimit” të Rames me Vuçiqin mbase edhe pritej një vendim i tillë, por nuk duhej të ndodhte e as që paramendohej më parë që shteti shqiptarë të del në mbrojtje të shtetit serb që ka kryer gjenocid po ashtu mbi shqiptarët e Kosovës. Kuvendi Shqipërisë hynë në histori me vendimin skandaloz për refuzimin e shqyrtimit të një rezolute që dënon krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid, shkruan Zhurnal.
Rama-Putin-Vuçiq, tre kënde që bashkohen edhe se asgjë të përbashkët nuk kanë. Gjenocidi rus që po ndodhë edhe sot e kësaj dite në Ukrainë nuk sanksionohet nga Serbia, gjenocidi serb i ndodhur në Srebrenicë po refuzohet të dënohet nga Shqipëria, ndërkaq edhe Rusia edhe Serbia janë kundër shtetit të Kosovës e popullit shqiptarë. Pra, është trekëndësh që dy kënde janë kundër njërit, por sërish ky këndi servil qëndron stoik në përmbushjen e kërkesave të agresoreve.
Shqipëria po kalon në faza të ndryshme të çuditshme e të rrezikshme, nga izolimi totalitarist Enverist, në servilizim banal e skandal të Rames. Shteti shqiptarë e ka obligim kushtetues sipas nenit 8 të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, ky nen po shkelet me dy këmbë nga Edi Rama. Ky përveç që nuk kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve punon kundër interesave shqiptare duke u “binjakëzuar” me të ashtuquajturin Putini vogël, Aleksander Vuçiq.
Edhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se masakra në Srebrenicë përbën gjenocid, Kuvendi i Shqipërisë refuzon të shqyrtojë një rezolutë për këtë gjenocid. Kjo përveç që tregon afërsinë e tepruar e të kreut shqiptar Rames me atë të Serbisë pasuesin e Millosheviçit, Vuçiq, është edhe tmerrshme se deri ku ka çaluar shteti shqiptarë.
Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar të enjten kërkesën e një deputeti të opozitës për të shqyrtuar dhe mbështetur një rezolutë që dënon krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid.
Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu u hodh poshtë nga votat e deputetëve të Partisë Socialiste, që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.
Shehu tha para deputetëve se refuzimi i Kuvendit të Shqipërisë ta dënojë gjenocidin serb në Srebrenicë dhe ta detyrojë Serbinë që të njohë krimet e saj “është vepër e shëmtuar, një shfaqje paprecedent, një shfaqje turpi”.
Ndërkaq kryeministri Kurti pas miratimit të së njëjtës rezolutë nga Kosova vitin e kaluar pati thënë që mohimi i gjenocidit serb në Srebrenicë është akt i urrejtjes.
“Ata që e mohojnë atë duhet të përballen me të kaluarën e tyre, të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, të kërkojnë falje dhe të tregojnë pendimin”, ka thënë Albin Kurti.
Debati rreth rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë vjen në një kohë kur Shqipëria synon rol më aktiv në rajon, përfshirë një riformulim të marrëdhënieve me Serbinë përmes iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur,” ide e cila është përkrahur nga Serbia por është refuzuar nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat konsiderojnë se kanë probleme të pazgjidhura me Serbinë.
Ide e cila është e gatuar në kuzhinat e Beogradit po promovohet nga kreu shqiptar Rama, me energji maksimale që të përkrahet kjo ide nga gjitha shtetet e rajonit, vetëm e vetëm që ta fuqizojë shtetin Serb të udhëhequr nga miku i tij Vuçiq. Por kjo ide do të përfundojë si e dështuar për faktin se nuk janë të inkuadruar gjitha shtetet. Ndërkaq, në këtë ide flitet për heqje kufijsh në të njëjtën kohë Serbia nuk njeh kufijtë e shtetit të pavarur të Kosovës, që u çlirua me shumë sakrificë nga okupimi serb.
Kujtojmë se, në vitin 1995 forcat serbe të Bosnjës kishin vrarë rreth 8.735 burra dhe djem të mitur boshnjakë në Srebrenicë. Kjo masakër është dënuar si gjenocid nga Tribunali ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë dhe Ratko Mlladiq, komandanti i forcave serbe të Bosnjës dhe bashkëpunëtorë të tij janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.
Një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë u miratua në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor 2021. Edhe Maqedonia e Veriut ka miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 2010.
Mirëpo, përkundër klasifikimit ndërkombëtar që krimet në Srebrenicë të njihen si gjenocid, në Serbi autoritetet shtetërore vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin dhe të mohojnë që krimet në Srebrenicë ishin gjenocid. E që tani me vendimin e fundit të Kuvendit në Shqipëri, për refuzim të një rezolute të tillë, Shqipëria bëhet shteti i dytë pas Serbisë që çështjen e gjenocidit serb në Srebrenicë e vendosë në dilemë./Zhurnal.mk