Tuesday, January 31, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Reformat në gjyqësi janë të domosdoshme që të kthehet besimi dhe të vazhdojë eurointegrimi!

Shkup, 10 janar – Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional. E ky nuk është opinion por është fakt i bazuar në rezultatet e hulumtimeve të realizuara përgjatë po të njëjtit vit, ku besimi në gjyqësor ka pësuar rënie drastike nga 8% që ishte shifër alarmante që si shqetësim e ngriti edhe ambasadorja amerikane që përfundoi mandatin e saj këtë vit. Kur besimi në gjyqësi është në nivelin më të ulët të mundshëm çfarë pritet nga institucionet tjera kur institucionet e drejtësisë nuk janë të afta as të ndajnë drejtësi e as të merren me rastet e montuara politike, e aq më pak me korrupsionin në vend. Drejtësia ka rënë në greminë, e për këtë nuk po ndërmerret asgjë konkrete që ky besim të stabilizohet e të ngrihet, por vetëm rënie që është drastike dhe shumë shqetësuese. Nga ana tjetër kusht për integrimin evropian është gjyqësori i reformuar, pa e kaluar këtë test Maqedonia e Veriut vështirë të rrugëtojë drejtë BE-së, shkruan Zhurnal.

Reformat në gjyqësor janë të patjetërsueshme-

Pa qeverisje funksionale të së drejtës, Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë për përparim në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht duke pasur parasysh se pika kyçe gjatë negociatave të cilat ende nuk kanë filluar është pikërisht kapitulli 23, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut. Perceptimi aktual i sistemit gjyqësor Në Maqedoninë e Veriut është pasqyrim i asaj për të cilin vlerësohet se është skajshmërish i partizuar, institucionet e drejtësisë nuk funksionojnë, thënë thjesht, gjyqësori nuk e kryen funksionin e tij si autoritet i tretë, pra si korrigjues i legjislativit dhe ekzekutivit. Prandaj nuk duhet të habitemi me besimin jashtëzakonisht të ulët i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili tashmë ka rënë nën katër për qind, që është një fakt shkatërrues për një vend. Prandaj, në plotësimin e kirtereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE është e domosdoshme edhe adaptimi i ligjeve të vendit kandidat me ato të BE-së, e kjo praktikë pra merret nga vendet evropiane të zhvilluara.

Për Maqedoninë e Veriut fokusi në vitin 2023 duhet të jetë në reforma. Reforma të cilat para së gjithash janë dhe mbi të gjitha do të jenë me kërkesë të qytetarëve dhe interesave të tyre. Rruga përpara, intensiteti i atyre reformave dhe përparimi drejt BE-së tani varet nga ne. Tani është momenti kur duhet të ndërlidheni në atë nxitje që ka ndodhur në vitin 2022 me fillimin e negociatave. Koha prej tani deri në zgjedhje në vitin 2024 duhet të shfrytëzohet pikërisht për këtë, të shtyhen përpara ato reforma aq të nevojshme, për të cilat dimë se cilat janë dhe çka nevojitet të bëhet.

Këtë e porositi euroambasadori në vend, Dejvid Gir para Këshillit kombëtar për eurointegrime në Kuvend, ku ambasadorja suedeze në vend, Ami Larson Jain i ka prezantuar prioritetet e kryesimit të shtetit të saj me Këshillin e BE-së. Gir nënvizoi se viti 2023 do të jetë vendosës për BE-në, për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut.

“Jetojmë në kohëra historike me tërë dhembjen, me të gjitha momentet e vështira që po na ndodhin. Por, po ashtu ka edhe një vendosmëri të madhe që të lëvizim përpara. Me rëndësi kyçe dhe më të lartë është sundimi i së drejtës. Ky ishte fokus i posaçëm dhe brengosja nga ana e qytetarëve vitin e kaluar. BE-ja, vendet anëtare dhe shtetet tjera partnere kanë harxhuar miliona në këtë sektor, ashtu që është e drejtë të pritet të ketë rezultate të caktuara. Maqedonia e Veriut ka nevojë për sektor profesional dhe të pavarur gjyqësor, duke përfshirë edhe prokurorinë. Njerëz që veprojnë me integritet të çliruar nga presioni politik ose nxitja financiare. Prioriteti kryesor duhet të jetë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha mes tjerash Gir.

Euroambasadori tha se me integrimin në BE, nuk humbet identiteti kombëtar. “Edhe një herë më lejoni që të sqarojë se inregrimi në BE në asnjë mënyrë nuk e merr gjuhën e juaj ose identitetin kombëtar. Marrëveshja paradokohe e nënshkruar me FRONTEKS-in është dëshmi për këtë. Sjell siguri për kufijtë e juaj”, tha Gir.

Ajo që duhet bërë urgjentisht për të filluar rregullimin e situatës në gjyqësor është lënia mënjanë e politikës dhe pavarësimi i plotë i sistemit gjyqësor. Që kjo të ndodhë, kërkohet zbatim rigoroz i standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sa është besimi në gjyqësi sipas anketës së fundit?

Vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit, kjo sipas anketës së fundit që IRI që është publikuar ditëve të fundit. Anketat e mëhershme tregonin se 8 për qind e qytetarëve të anketuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut i besonin tërësisht gjyqësorit, për një vit ky besim ka shënuar ulje drastike. Në anketën në fjalë dukshëm është ulur besimi edhe në Prokurori, Polici, Sistemin shëndetësor, punën e Qeverisë, Arsimin.

Kjo tregon që besimi në gjyqësi dhe institucionet e drejtësisë është shqetësues se është shumë i ulët, e më shqetësuese se kaq është fakti se besimi nuk shkon në rritje vetëm në ulje e sipër. E kjo është dëshmuar që brenda vitit nga 8% ka rënë në 4%, e nuk dihet vitin e ardhshëm kjo përqindje ku do përfundojë.

Ambasadorja amerikane në vend, Kejt Meri Bërnz, në një konferencë para gjykatësve tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë besim në gjyqësi. Ajo u bazua në anketën e fundit të Eurothink, ku vetëm 8% e qytetarëve kanë besim në gjyqësi, ndërsa që të përmirësohet kjo, duhet të funksionojë sistemi.

“Nuk është sekret se opinioni nuk beson në gjyqësi. Në fakt, anketa e fundit e Eurothink tregoi se vetëm 8% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në gjyqësi dhe prokurori. Si duket, ka shumë gjëra për të bërë, duke përfshirë reformat gjyqësore dhe përforcimin e institucioneve, por gjithashtu duhet të adresohen dhe percepcionet – njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon. Qytetarët duhet të jenë të bindur se rastet e tyre do të dëgjohen nga gjykata neutrale dhe të pavarura në afat të caktuar. Ky është principi bazë në çdo demokraci të lirë dhe funksionale”, pati thënë Bërnz në konferencën ndërkombëtare gjyqësore në Shkup.

Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss