Saturday, June 25, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Rikthehet debati për kontrollin e armëve në Kongresin amerikan

Ligjvënësit amerikanë do të votojnë sot për të shtuar kontrollet mbi të kaluarën e individëve që synojnë të blejnë të armë, pas sulmit me armë zjarri në një shkollë fillore të Teksasit këtë javë, incidenti i dytë më i rëndë në historinë e vendit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson, vrasjet rindezën debatin kombëtar mbi kontrollin e armëve, por shanset që politikanët të miratojnë ndryshime të mëdha janë të pakta.

Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy të rritur humbën jetën si pasojë e sulmit me armë në një shkollë fillore në Teksas të martën. Vrasjet rikthyen debatin mbi kontrollin e armëve. Guvernatori i Teksasit, republikani Gregg Abbot, u përball me kundërshtarin e tij demokrat Beto O’Rourke, i cili pretendon se lehtësirat ligjore për blerjen e armëve çuan në tragjedi.

Guvernatori tha se 18 vjeçari i armatosur, Salvador Ramos, nuk dha sinjale se po planifikonte sulmin para se ta kryente atë. Abbot bëri thirrje për rritjen e shërbimeve të shëndetit mendor, në vend të ashpërsimit të ligjeve për armëmbajtje.

“E urrej ta them, por çdo fundjavë ka më shumë vrasje në Çikago sesa në shkollat e Teksasit. Çikago, Los Anxhelosi dhe Nju Jorku rrëzojnë teoritë e atyre që mendojnë se ndoshta me zbatimin ligjeve më të ashpra për armët, problemi do të zgjidhet”, thotë Guvernatori Abbott.

Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Kongresit, që ka shumicë të vogël demokrate, të miratojë ndryshimet ligjore.

“Kur, në emër të Zotit, do të bëjmë atë që duhet bërë? Që edhe nëse nuk i ndalojmë plotësisht, të ulim ndjeshëm numrin e tragjedive”, thotë Presidenti Biden.

Demokratët thanë se duan të lëvizin me shpejtësi për të miratuar rregullore të reja.

“Epidemia e armëve në Amerikë nuk krahasohet me asnjë komb tjetër në botë që ekziston për sa ekzistojmë ne. Asnjë amerikan nuk është i sigurt nga kjo sëmundje dhe populli është lodhur nga kjo”, thotë udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer.

Por demokratët theksojnë se përpjekje të ngjashme janë penguar në të kaluarën.

“Ky është diskutim për industrinë e armëve. Industria e armëve kërkon të ndalojë çdo debat për ndryshimin e ligjeve pas këtyre sulmeve. Ata e dinë se ky është momenti kur publiku kërkon ndryshimin e politikave”, thotë senatori demokrat Chris Murphy.

Ndërkohë republikanët e pranojnë shkallën e tragjedisë.

“Është e tmerrshme të mendosh jetët e atyre të rinjve të pafajshëm, që u vodhën nga ky brutalitet i pakuptimtë”, thotë udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.

Republikanët paralajmëruan se ata janë kundër kufizimit të së drejtës kushtetuese të amerikanëve për të mbajtur armë.

Protestat nuk kanë arritur të shtyjnë Kongresin të miratojë ligje të reja, sa herë që janë shënuar sulme vdekjeprurëse.

“Supozohet se çdo politikë, që mbron reformën është një veprim për konfiskimin e armëve dhe ndryshime sipas modelit të Zelandës së Re. Kjo nuk është ajo që po propozojmë. Ka shumë masa ligjore, që janë propozuar, që do të krijonin pengesa për njerëzit që përpiqen të kryejnë akte të tilla”, thotë Matthew Valentine nga Universiteti i Teksasit.

Sipas një sondazhi të qendrës kërkimore “Pew” më 2021, gjysma e amerikanëve i shohin sulmet me armë si një problem serioz dhe një numër i madh demokratësh dhe republikanësh mbështesin shtimin e kontrolleve mbi të kaluarën e individëve që synojnë të blejnë të armë.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.