Friday, September 30, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Shoqata “Tradita” e organizoi Tribunën shkencore për Tetovën

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në 10-vjetorin e themelimit të saj (20 shtator 2012 – 20 shtator 2022), organizoi një veprimtari shkencore për rolin e Tetovës në proceset historike. Në këtë vit jubilar u theksua se Shoqata “Tradita” është themeluar në një vit historik, siç ishte viti 2012 – në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit kombëtar (1912 – 2012).

Në hapjen solemne të tribunës shkencore, kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani deklaroi se me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit kombëtar (1912 – 2012), në mbarë hapësirat shqiptare u realizuan qindra veprimtari të rëndësishme, si: konferenca dhe simpoziume shkencore, promovime të veprave nga historiografia shqiptare, si dhe një mori ngjarjesh të tjera kulturore dhe artistike. Në këtë 100-vjetor, inteligjencia shqiptare në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Maqedonisë së Veriut dhe në diasporë, zhvilloi debate të gjera rreth historikut të shtetit shqiptar dhe zhvillimeve të tjera që e shoqëruan këtë shtet ballkanik deri në vitin 2012.

“Në vendin tonë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si momente kryesore që e shënuan këtë vit jubilar dhe që do të kujtohen ndër vite, janë: hedhja e gurthemelit të “Sheshit Skënderbeu” në Shkup, “Kupa e Flamurit” në Kodrën e Diellit, e organizuar nga Universiteti i Tetovës dhe koncerti festiv në Shkup. Universiteti i Tetovës, si institucion i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në RMV, përpos realizimit të një agjende të ngjeshur, në nderim të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, pikërisht në këtë vit historik e përuroi edhe godinën e re universitare. Të motivuar nga atmosfera e lartpërmendur, ne një grup miqsh, duke qenë se ishim edhe pjesë e realizimit të disa prej veprimtarive të rëndësishme në Universitetin e Tetovës dhe të vetëdijshëm se euforia e 100-vjetorit do të kalojë, ndërmorëm nismën për të themeluar një subjekt kulturor që do të angazhohej për ta mbajtur gjallë frymën kulturore dhe artistike në qytetin e Tetovës dhe më gjerë. Pas konsultimeve të gjera, më 20 shtator të vitit 2012, e themeluam në Tetovë Shoqatën për kulturë dhe art “Tradita”, me synim, sendërtimin e prioriteteve arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike”, u shpreh Selam Sulejmani.

Në 10-vjetorin e themelimit të “Traditës” kryetari i kësaj shoqatë u shprehu falënderimin dhe mirënjohjen studiuesve të njohur të kulturës shqiptare, ekspertëve të arsimit dhe njohësve të mirëfilltë të proceseve historike për ndihmesën e tyre në realizimin e programeve dhe të projekteve arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike.

“Bashkëpunimi i shoqatës “Tradita” me emrat më përfaqësues të inteligjencies sonë ka rezultuar tejet i suksesshëm, sidomos në veprimtarinë botuese, në hulumtimet shkencore dhe në përkujtimin e ngjarjeve dhe të personaliteteve nga lëmi i arsimit, i kulturës dhe i artit. Në këtë përvjetor vijmë para publikut tetovar dhe jo vetëm, me tribunën shkencore: “Tetova dhe kontributi i saj në proceset historike gjithëkombëtare”. Organizimi, përgatitja dhe mbajtja e një tribune të tillë shkencore, nuk është një veprimtari e radhës në qytetin tonë, por vlerësojmë se është një ngjarje me rëndësi, kudo që të flitet për Tetovën dhe për trevën e Pollogut, si pjesë e pandarë e zhvillimeve dhe e proceseve historike, ku përkujtohen figura emblematike të këtij trualli, të cilët me veprimtarinë e tyre në lëvizjet kombëtare, u flijuan për çlirimin e popullit tonë, për avancimin si dhe për sendërtimin e aspiratave tona. Po ashtu, në këtë tubim me karakter shkencor, do të hidhet një dritë e re mbi ngjarjet historike për të kaluarën e këtij rajoni, mbi përpjekjet e shqiptarëve të kësaj ane për ruajtjen e identitetit, për vazhdimësinë e ekzistencës, të kulturës, të historisë, të traditës, të gjuhës, etj. Qyteti rrëzë Sharrit – Tetova, zë një vend të veçantë edhe në studimet e udhëpërshkruesve të huaj. Ata e përshkruajnë qytetin tonë dhe e veçojnë për pasurinë etnokulturore, për peizazhet natyrore dhe ato etnologjike tepër tërheqëse dhe për

gjallërinë e veçantë të jetës ekonomike dhe shoqërore, si një vend, në dukje i mbyllur, por në të vërtetë dukshëm i hapur me botën”- tha Selam Sulejmani.

Duke iu referuar studiuesve, ai po ashtu shtoi se në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, Tetova bënte pjesë në mesin e tridhjetë qyteteve më kryesore të trojeve shqiptare, të cilët me veprimtaritë e tyre zejtare dhe tregtare, ishin jo vetëm tregues të zhvillimit ekonomiko-social të vendit, por kontribuonin ndjeshëm edhe në ecurinë e këtij zhvillimi.

“Po t’i referohemi historisë së shtypit shqiptar, mësojmë se Tetova dhe rrethina e saj pasqyrohen edhe në shtypin e Rilindjes, sidomos në motet e ngjarjeve të mëdha, siç janë vitet 1897-1899, kur lëvizja jonë kombëtare çoi në organizimin e Lidhjes së Pejës; viti 1908 kur lëvizja xhonturke arriti fitoren me shpalljen e kushtetutës xhonturke, ku, sikurse dihet, forcat e armatosura të katërkëndëshit Selanik-Manastir-Tetovë-Shkup, luajtën një rol të veçantë, si dhe vitet 1911-1912, kur kryengritjet e mëdha shqiptare ndihmuan në shembjen e Perandorisë Osmane. Në artikujt e gazetave të kësaj periudhe pasqyrohen ngjarje të rëndësishme, me ç’rast Tetova dhe tetovarët përmenden si faktor kryesor që kanë ndihmuar në zhvillimin e proceseve si dhe në përtëritjen e besës së dhënë. Tetovarët u treguan të vendosur për ta çuar kauzën shqiptare deri në fund. Në një analizë të thellë të një studiuesi, Tetova mund të trajtohet edhe si një kronikë historike, përkatësisht qendër e zhvillimeve të mëdha që e kanë shoqëruar këtë qytet ndër vite. Mjafton të theksojmë periudhën e Skënderbeut në Pollog; pjesëmarrësit tetovarë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; rolin e ministrit të Luftës, Memet Pashë Derallës në qeverinë e Ismail Qemalit; përpjekjet për bashkim kombëtar në shek XIX; veprimtarët tetovarë ndër vite, si Memet Gega, Rafi Halili, Sadudin Gjura, Zaim Beqiri, Fadil Sulejmani dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë; Rilindjen Kombëtare dhe organizatën “Besa”; mësuesit e parë nga Shqipëria në Tetovë; gjeneratën e parë të “Normales”; rrëfimet e udhëpërshkruesve; shkrimet e para për Tetovën në gazetat britanike; rininë gjimnaziste në ballë të demonstratave të Tetovës; demonstratat e ’68-ës; demonstratat e ’81-shit; fillimin e pluralizmit politik në vitin 1991; themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994; luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitit 2001; veçoritë arkitektonike; vlerat kulturore-historike dhe fetare; e dhjetëra e dhjetëra përshkrime e rrëfime autentike” – veçoi në fjalën e tij kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”- Selam Sulejmani.

Pas fjalës së tij, i filloi punimet Tribuna shkencore të cilën e drejtuan Prof. Xhelal Zejneli dhe Prof. Dr. Salajdin Salihi. Punimet e tribunës u zhvilluan në dy sesione shkencore ku studimet e tyre i prezantuan emra të njohur të arsimit, të shkencës, të artit dhe të kulturës, si: Nebi Dervishi: “Të dhëna për Tetovën në shekullin XV-XVI në dokumentet osmane”; Xheladin Murati: “Shkolla dhe arsimi shqip në qytetin e Tetovës në rrjedhën historike”; Abdulla Memeti: “Roli i arsimit dhe i shkollës shqipe në ruajtjen e vlerave të përbashkëta të kombit shqiptar”; Agron Salihi: “Numri i shkollave dhe i nxënësve në Tetovë e rrethinë (1948-1962)”; Bardhyl Zaimi: “Mes harresës dhe protagonizmit”; Behixhudin Shehabi: “Tetova në shekullin XIX dhe perspektiva urbane e qytetit”; Besnik Rameti: “Mehmetriza Murtezani – Gega dhe Rafi Halili, dy figura historike dhe emblematike të Tetovës dhe të qëndresës kombëtare”; Donika Bakiu: “Praktika e mbishkrimeve publike dhe private në qytetin e Tetovës”; Fadil Lushi: “Sa më pak bukë, ujë dhe ajër për Sadudinin dhe për bashkëmendimtarët e tij”; Habil Bexheti: “Historiku i Klubit futbollistik Shkëndija”; Ibish Kadriu: “Tetova, vend i pikënisjeve për zgjidhjen e çështjeve kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni”; Lulzim Memedi: “Kontributi i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës në nxjerrjen e kuadrove arsimorë në Komunën e Tetovës”; Njomza Shaqiri: “Roli i protestave të Fakultetit të Mjekësisë të UT-së në vitin 2004” Salajdin Salihi: “Muidi, poeti fatkeq nga Tetova”; Shaban Sinani: “Tetova dhe kontributi i sportit në proceset historike gjithëkombëtare”; Zeqirija Idrizi: “Kriza humanitare e Kosovës dhe reflektimi i saj në Pollog në vitin 1999”;

Zeqirija Rexhepi: “Roli politik dhe humanitar i shqiptarëve të Maqedonisë gjatë kohës së çlirimit të Kosovës” dhe Xhelal Zejneli: “Shpërngulja e të rinjve nga Tetova dhe rrethina”.

Duhet theksuar se përgjatë proceseve historike gjithëkombëtare, tetovarët e kanë demonstruar vullnetin e tyre kombëtar dhe afirmimin e identitetit të tyre historik dhe kulturor, duke shënuar kështu zgjimin e tyre, një zgjim i përfaqësuar nëpërmjet shumë figurave intelektuale rezistuese, të vendosur në mbrojtjen e dinjitetit kombëtar, të flamurit dhe të kauzës sonë.

Organizimi i kësaj tribune shkencore dëshmoi përkushtimin e Shoqatës “Tradita” për organizmin e veprimtarive kulturore, ku shënohen data me rëndësi historike si dhe përkujtohen ngjarje që kanë bërë kthesa të mëdha në zhvillimet gjithëkombëtare.

Ndërmarrjeve shqiptare të njohura, siç janë: Zgjimi Kompani, Kipper, Restorant Lord, Restorant Oxa dhe STR Kompjuters, u falënderohemi për mbështetjen financiare të tribunës së sipërthënë.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.